Dosja e rusit që vrau dy gazetarët gjermanë në Duhël dhe kurrë nuk u dënua

Speciale

Dosja e rusit që vrau dy gazetarët gjermanë në Duhël dhe kurrë nuk u dënua

Nga: Shefket Bujari Më: 13 qershor 2020 Në ora: 12:45
Dosja e rusit që vrau dy gazetarët gjermanë

13 qershori i vitit 1999 e shënonte Ditën e Çlirimit të Suharekës nga pushtuesi serb dhe ardhjen e paqes në këtë qytet të vogël. Mirëpo, dy gazetarë gjermanë të revistës “Stern”, Gabriel Grüner e Volker Krämer, dhe përkthyesi i tyre, Senol Alit, nuk gjetën paqe në Qafën e Duhlës. Ata u vranë nga një mercenar rus para syve të forcave serbe.

Gabriel Grüner, 35 vjeç, dhe Volker Krämer, 56 vjeç, ishin fotoreporterë dhe gazetarë të revistës gjermane “Stern” që kishin raportuar shpeshherë nga zonat e luftës si në Bosnje, Afganistan e Algjeri. Ata kishin ardhur në Prizren posa kishin zbarkuar trupat paqeruajtëse të KFOR-it në këtë qytet.

Pasi kishin bërë një duzinë fotosh nga lufta në Kosovë, dy gazetarët e kishin marrë udhën për të shkuar në Shkup. Posa të arrinin në Shkup, ata kishin në mendje që t’ia dërgonin fotot dhe raportet e tyre që i kishin realizuar në Kosovë redaksisë së revistës “Stern”, që e kishte selinë në Hamburg.

Image

Në orën 17, dy gazetarët nisen nga Prizreni me një Mercedes me ngjyrë të kuqe. Bashkë me ta ishte edhe përkthyesi i tyre, Senol Alit, i cili ishte maqedon me prejardhje turke. Grüner e Krämer, para se të niseshin, i kishin shkruar shkronjat “TV” me anë të një ngjitësi të letrës në xhamin e përparmë të Mercedesit.

Rruga më e mirë për të udhëtuar drejt Shkupit ishte përmes Qafës së Duhlës, fshat 25 kilometra afër Prizrenit. Para se të hyje në rrugën gjarpërore e plot kthesa të kësaj qafe mali, mund t’i shihje përgjatë rrugës, në krahun e djathtë, gjashtë shtëpi identike, të radhitura, që po qëndronin në këmbë, edhe pse ishin të shkrumbuara nga ushtria serbe.

Qafa e Duhlës ishte një rrugë strategjike dhe ishte dëmtuar goxha shumë nga tanket dhe autoblindat serbë që patrollonin në atë zonë. Me të mbërritur në këtë destinacion, një grup ushtarësh e ndali veturën e dy gazetarëve gjermanë dhe nuk i lejoi të vazhdonin tutje.

“Mu në atë moment, një veturë Toyota erdhi me një shpejtësi rreth 80 kilometra në orë dhe u përplas në një kamion”, tha një ushtar serb, i cili dëshmoi për gazetarët hulumtues të revistës “Stern”.

Një burrë i vjetër, me kallashnikov në dorë dhe dy fëmijë, kishin dalur nga automjeti gjersa shoferi e kishte vozitur veturën prapa dhe e kishte bllokuar në një gropë. Senol Alit, përkthyesi i dy gazetarëve, e hapi dritaren dhe pyeti se çfarë po ndodh dhe se pse ishin ndalur. Burri i vjetër i ishte afruar veturës së gazetarëve dhe kishte thënë se kolona ishte ndalur nga forcat serbe dhe se po detyroheshin të ktheheshin në Suharekë. Burri i vjetër pastaj kishte shtuar se ky ishte një veprim jo i mençur, sepse UÇK-ja po qëllojnë gjithkënd me plumba në Suharekë. Senol Alit e kishte kundërshtuar këtë, duke thënë në gjuhën serbe se nuk kishte parë një rrezik të tillë në Suharekë.

Theksi turk i Alitit gjatë të folurit serbisht nuk i kishte pëlqyer burrit serb dhe ai kishte filluar ta shante duke e akuzuar se Aliti po dëshiron që të i dërgojë në kurth. Ai madje i kërcënoi duke i futur duart në xhep dhe duke thënë se do të ua gjuante një bombë në veturë.

Shoferi i Toyotas, mercenari rus, Aleksander Tschernomatschensev, i cili ishte i veshur me uniformë ushtrie serbe, kishte qëndruar duke e dëgjuar fjalosjen e burrit të vjetër dhe Senol Alitit. Pastaj kishte shkuar me vrull dhe kishte rrëmbyer nga dora e burrit të vjetër kallashnikovin dhe e kishte shprazur të gjithë karikatorin drejt xhamit të hapur të Mercedesit me një largësi prej dy metrave. Mercenari e kishte hapur derën e Mercedesit dhe i kishte nxjerrë zvarrë trupat e gazetarëve. Trupin e Senol Alitit e kishte hudhur në gërmadha, kurse dy trupat tjerë i kishte lënë në rrugë. Pastaj, mercenari e rrëmbeu Mercedesin dhe u drejtua për në Shtime.  

Senol Alit dhe Volker Krämer kishin vdekur menjëherë gjatë sulmit, kurse Gabriel Grüner i kishte mbijetuar për pak kohë sulmit pasi ishte plagosur në abdomen. Më vonë, edhe Gabriel Grüner vdes në një spital fushor britanik në Brazda të Maqedonisë.

Hamendësimet e shokut dhe kolgeut të Grünerit rreth vdekjes së tij

E gjithë historia e vrasjes së dy gazetarëve dhe përkthyesit të tyre ishte e mjegullt për një kohë për arsye që hetimet policore nuk mund të bëheshin ashtu siç duhet për shkak se nuk kishte ndonjë sistem ligjor të ndërtuar në një vend që ende nuk kishte dalur mirë nga lufta.

Image

Por rrethanat e krimit që u përmendën më lart ishin zbardhur nga dy kolegët e Grüner-it dhe Krämer-it. Uli Reinhardt dhe Joachim Rienhardt u caktuan nga revista “Stern” për ta hulumtuar rastin e vrasjes aë gazetarëve të saj.

Uli Reinhardt, përveç që ishte koleg me Grüner, ishte edhe mik i mirë me të. Reinhardt, në një intervistë për gazetën gjermane, Frankfurt Allegmeine Zeitung, tregon për eksperiencat e tij me Gabriel Grüner dhe se si mori vesh për vrasjen e tij.

Shoqëria e tyre filloi në Bosnjë më 1992, ku të dy raportuan nga zona lufte dhe madje realizuan edhe një raport për  Zlata Filipović-in, e cila kishte shkruar në ditarin e saj për vështirësitë gjatë luftës.

Uli Reinhardt ishte në Kosovë kur miku i tij, Gabriel Grüner, u vra në Qafën e Duhlës.

Reinhardt ishte me kolegen e tij, Ingrid Eißele, duke pritur për hyrjen e trupave gjermane të KFOR-it në Prizren dhe ishin duke përgaditur një raport për mediet gjermane. Reinhardt madje kishte bërë plan për të pirë nga një birrë me Grünerin në Prizren. Por, për fat të keq, Reinhardt dhe Eißele nuk arritën të vinë me kohë në Prizren dhe Grüner e Krämer ishin nisur për Shkup.

Në vazhdim, ai tregon për Frankfurt Allegmeine Zeitung se si e mori lajmin e zi për vrasjen e dy gazetarëve.

Ingrid Eißele kishte takuar një gazetar dhe ai i kishte thënë se dikush nga ta është vrarë. Menjëherë pas kësaj, Eißele kishte shkuar të bënte një telefonatë me redaksinë e “Stern”-it, e cila ia kishte konfirmuar vrasjen e Krämer-it dhe Grüner-it.

“Moment i tmerrshëm”, tha Eißele. “Pastaj duhej t’i tregoja Ulit, ai u zbeh dhe rrinte i qetë, iu desh një kohë e gjatë për të kuptuar vërtet se çka kishte ndodhur”, shtoi Eißele për FAZ.

Reinhardt e thirri në telefon të dashurën e Gabriel Grüner-it, e cila në atë kohë ishte në muajin e gjashtë të shtatzanisë. Ajo i lutet që Reinhardt të kthehet në Hamburg për t’i ndihmuar, por Reinhardt dëshironte më parë ta zgjidhte enigmën e vrasjes së mikut të tij.

Reinhardt kishte vendosur që të shkonte në Gjermani, por së pari dëshironte të shihte vendin ku ishte vrarë Grüner e Krämer. Në Prizren po u sillnin shumë thashetheme e konspiracione se si u vranë dy gazetarët gjermanë. Ata thonin se dy gazetarët treguan pakujdesi pasi kishin dalur të kërkonin varreza masive dhe ishin zënë në pritë nga ushtria serbe.

“E dija se nuk ishte ashtu, Gabrieli nuk ishte i pakujdesëshëm, por sërish nuk mund ta vërtetoja”, tha Reinhardt.

Uli Reinhardt dhe Ingrid Eißele nuk e dinin me siguri se ku ishin vrarë shokët e tyre, por marrin udhën për në Shkup dhe kur vijnë në Qafën e Duhlës, shohin shenja gjaku në rrugë dhe ndalen. Reinhardt sheh trupin e Krämer-it dhe merr hov që t’i afrohet, ani pse Eißele i thotë që të mos shkojë pasi ishte rreziku i minave.

Por Reinhardt nuk e dëgjon dhe shkon afër trupit.

“Ju jeni mirë sot dhe kjo nuk ka më rëndësi”, thotë Eißele duke iu drejtuar Reinhardt.

“Pse po na qëllonin civilët?”

Uli Reinhardt dhe Joachim Rienhardt, dy të dërguarit specialë të revistës “Stern” për ta hetuar rastin e vrasjes, filluan t’i mblidhnin dëshmitarët dhe provat për ta zbuluar rrjedhjen e ngjarjes.

Ata treguan se vetura e lënë në skaj të rrugës u ndihmoi shumë në qartësinë e ngjarjes pasi që u gjet pronari dhe u kuptua se vetura ishte vjedhur nga një njeri me uniformë serbe.

Image
Gabriel Grüner & Volker Krämer në Afganistan 1992/Foto: Stern

Si dëshmitarë kyçë që dëshmuan se si me të vërtetë rrodhi ngjarja ishin dy pjesëtarë të ushtrisë serbe që kishin qenë të pranishëm në momentin e ngjarjes. Sipas Frankfurt Allegmeine Zeitung, në pamundësi të udhëtimit të dëshmitarëve në Gjermani, gazetarët hetues i xhiruan dëshmitë e tyre dhe i dërguan në Gjykatën e Lartë Rajonale të Hamburgut.

Dy dëshmitarët kishin treguar se menjëherë pas vrasjes së dy gazetarëve, një oficer serb i kishte urdhëruar ushtarët serbë që nëse KFOR-i do t’i merrte në pyetje, t’i thonin se UÇK-ja i ka zënë në pritë dhe i ka vrarë gazetarët.

Në Qafën e Duhlës kishin mbetur tri tanke të tipit M-80 243 të rajonit të Ferizajt dhe një ushtar kishte dalur nga tanku dhe ia kishte lidhur plagën Gabriel Grünerit dhe menjëherë ishin paraqitur infermierët e “Médecins Sans Frontières”, ku ushtari ua kishte dhënë ID-në e shtypit të Gabriel Grünerit dhe me një anglishte të dobët u kishte thënë që i lënduari është gazetar gjerman dhe duhej ta dërgonin në spital.

Infermierët e organizatës “Médecins Sans Frontières” (“Mjekët pa kufij”) kishin konstatuar se Volker Krämer nuk mund të ndihmohej pasi kishte vdekur. Më vonë, në autopsinë e bërë në trupin e Krämer-it, ishte zbuluar se ai ishte i vetmi që e kishte paraparë sulmin pasi i kishte vendosur duart para fytyrës, por megjithatë kishte mbetur i vdekur gjatë sulmit.

Image
Gabriel Grüner & Volker Krämer në Afganistan 1992/Foto: Stern

Gabriel Grüner u dërgua në një tendë mjekësore të një njësie kanadeze aty afër dhe ishte plotësisht i vetëdijshëm kur infermierët ia ndërruan fashën. Grüner kishte thënë se ushtria serbe ishte e pranishme aty dhe se ata nuk kishin ndërhyrë. “Civilët qëlluan ndaj meje dhe shokëve të mi, pse, pse po na qëllonin civilët?”, kishte thënë Grüner para infermierëve.

Më pas, Gabriel Grüner u dërgua në një spital fushor britanik në Brazda të Maqedonisë, ku pas një operacioni që zgjati dy orë e gjysmë, ai nuk arriti t’u mbijetojë plagëve dhe vdes.

Në raportin e autopsisë thuhej se Grüner u qëllua me një armë të tipit kallashnikov nga afër dhe ky raport i vërtetoi për gjykatën e Hamburgut deklaratat e dëshmitarëve okularë.

Tashmë, pasi e gjithë pista e hetimit tregonte hapur se vrasësi ishte Aleksander Tschernomatschensev, Gjykata e Lartë Rajonale e Hamburgut në pranverën e vitit 2001 lëshoi fletëarrest për qytetarin rus, por ai asnjëherë nuk u arrestua. Autoritetet ruse kishin thënë që i akuzuari kishte vdekur, por Rienhardt nuk e beson këtë. Ai thotë se Aleksander T. jeton në Rusi dhe del në intervista e radio duke u krekosur se si ka vrarë ushtarë e gazetarë perëndimorë.

“Kjo është më e hidhura”, thotë Rienhardt për FAZ. “Ai i poshtëri tash sillet i lirë”, shton gazetari i “Stern”.

Uli Reinhardt bën një përshkrim të vrasësit të kolegut të tij.

“Një urryes i shqiptarëve para Zotit”, tha Reinhard për FAZ.

Në revistën “Stern” që përkujton vdekjen e dy gazetarëve thuhet se Aleksander T. ishte vullnetar në ushtrinë serbe qysh nga viti 1998 dhe se ai mund të ishte pjesëtar i shërbimit sekret rus, prandaj edhe nuk u dorëzua nga autoritetet ruse tek ato gjermane. 

Mediat dhe organizatat ndërkombëtare reaguan kundër vrasjes së dy gazetarëve

Lajmi i vrasjes së dy gazetarëve dhe përkthyesit të tyre bëri bujë në mediet dhe organizatat ndërkombëtare, ku bëhej thirrje për kujdes të shtuar në Kosovë. 

Më 15 qershor 1999, siç tregon ky raport i gjetur në arkivën e UNESCO-së, u konfirmua vrasja e dy gazetarëve gjermanë si dhe reagoi drejtori gjeneral i UNESCO-s së asaj kohe, Federico Mayor Zaragoza.

“Jam i tmerruar nga vrasja e këtyre gazetarëve. Unë dënoj ashpër këto akte kundër jetës së njeriut dhe kundër lirisë së shtypit e që kjo e fundit është mision i UNESCO-s për t’u mbrojtur. Duhet rikujtuar se nën rregullat e Konventës së Gjenevës, gazetarët që mbulojnë zona të rrezikshme në konflikte të armatosura konsiderohen si civilë dhe nuk duhet të jenë objekte të sulmeve të qëllimshme. Bëj thirrje tek autoritetet që këto krime të mos kalojnë pa u dënuar dhe vrasësit të dalin para drejtësisë”, tha Federico Mayor Zaragoza në këtë raport.

Reagime pati edhe nga Federata Ndërkombtare e Gazetarisë (IFJ) më 14 qershor 1999, e cila dënoi ashpër aktin e vrasjes dhe kërkoi nga redaksitë që të dërgonin gazetarë me përvojë në zonat e konfliktit.

“Ne jemi të tronditur nga këto vrasje që na tregojnë se sa e rrezikshme është gazetaria dhe vdekjet e tyre na shqetësojnë për sigurinë e gazetarëve që po e mbulojnë konfliktin në Kosovë”, tha Aiden White, sekretari i përgjithshëm i IFJ-së.

“Një forcë paqeruajtëse është vendosur në Kosovë, por kjo nuk do të thotë që zona është tërësisht e sigurt, prandaj po e përsëris që kompanitë e lajmeve duhet të dërgojnë gazetarë të trajnuar dhe me përvojë. Ata duhet të pajisen edhe me jelekë antiplumbë në ato zona ku dyshohet siguria”, shtoi White.

Në këtë artikull të gazetës gjermane “Spiegel” mund të shihni në krye një foto ku është i shtrirë në mes të rrugës trupi i Volker Krämer-it.

Gazeta “Spiegel” në titull shkruan “Thjesht, fat i keq” dhe e fillon kështu kreun:

“Vdekja e një ekipi të “Stern” tronditi mediet gjermane. Kjo tregon se në zona lufte mund ta pësojnë edhe profesionistët. Në zonat e luftrave shpesh e paguajnë gazetarët pasi dikujt mund të mos iu konvenojnë guximi i gazetarëve.”

Në artikull thuhet se redaktori i “Spiegel”, Andreas Ulrich ishte duke udhëtuar me kolonën e KFOR-it gjerman, ku u ndalën në Qafën e Duhlës. Aty, ai pa një trup të vdekur të shtrirë në rrugë.

“Këpucët dhe rrobat e tij disi nuk dukeshin si të shqiptarëve apo serbëve”, tha Ulrich.

Më vonë, ai e kishte pyetur komandatin gjerman dhe ai i ishte përgjigjur se ky është një gazetar gjerman, por nuk e kishte ditur saktë se kush. Në këtë raport thuhet gjithashtu se Freimut Duve, zyrtari për medie i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), bëri thirrje për mbrojtje më të mirë për gazetarët.

Ballina e revistës “Stern” në Qershor 1999

Në këtë foto mund ta shihni ballinën e revistës “Stern” të qershorit të vitit 1999, ku shkruan “Jemi në zi për Gabriel Grüner (35 vjeç) dhe Volker Krämer (56), gazetarë të Stern-it në Kosovë që u vranë më 13 qershor 1999 rreth orës 18, gjatë rrugës prej Prizrenit në Shkup.”

“Ka vdekje, ka jetë”

Beatrix Gerstberger, e dashura e Gabriel Grüner-it ishte në muajin e gjashtë të shtatzanisë kur mori vesh për vdekjen e tij.

Në një intervistë për gazetën Der Tagesspiegel, ajo tregon se si është të jetosh duke e ditur që i dashuri i saj është vrarë. Ajo emrin e Alexander T., vrasësit të të dashurit të saj, e përmend sikur ai të mos ishte më shumë se një emër, thuhet në raportin e Der Tagesspiegel.

“Nuk më intereson për këtë njeri”, thotë ajo. “Është e jashtëzakonshme sesa ndryshe gratë dhe burrat përballen me dhimbjen, si përpiqen ta përballojnë atë. Unë nuk kam ndjenja të hakmarrjes. Për çfarë duhet të kem? Ky person ma ka shkatërruar jetën, por çfarë do të ndryshonte për mua nëse e shoh atë në bankën e të pandehurit në një gjyq”, shton ajo.

Ajo dha këtë intervistë për Der Tagesspiegel në vitin 2003 dhe atëherë djali i saj dhe i Gabriel Grüner, Jakob, i kishte tri vjet, kurse tani ai duhet t’i ketë 20 vjet.

Image
Libri “Nuk ka kohë për të thënë lamtumirë” nga Beatrix Gerstberger (e dashura e Gabriel Grüner)

Beatrix Gerstberger ka shkruar edhe një libër të titulluar “Nuk ka kohë për të thënë lamtumirë” për përvojën e saj pas vdekjes së të dashurit.

Libri fillon me këtë paragraf:

“Kur ai (Grüner) u qëllua, unë isha ulur me një mik në një kafene në Alster, duke i mbuluar sytë me të dy duart kundër diellit, duke lëvizur, duke folur për të ardhmen. Kur ai shtrihej në pluhurin e nxehtë të rrugës, duke u gjakosur përbrenda, i rrethuar nga ushtarë të huaj, gjuhën e të cilit ai nuk e kuptonte, unë isha në biçikletën time mbi një urë duke menduar për të, për zemrën e tij, për letrat e tij që shkruante “Të dëshiroj dhe të dua”. Një makinë me punonjësit e “Médecins Sans Frontières” e ngriti dhe e vendosën në veturë dhe e dërguan në një bazë kanadeze për rreth 90 minuta udhëtim. Unë isha e ulur në ballkonin tim dhe po studioja për testin e lundrimit. Ishte një mbrëmje e bukur verore në qershorin e 1999-s.”

Ajo vazhdon t’i tregojë arsyet se përse dëshironte ta shkruante këtë libër.

“Doja të gjeja histori të grave që kishin provuar diçka të ngjashme, doja të dija nëse diçka e tillë mund të kalohej dhe nëse dikush diku e ka kaluar këtë”, tregon Gerstberger.

“Por nuk arrija të gjeja diçka të tillë, mbaj mend se si qëndroja në regjistrat e librave duke kërkuar histori të tilla. Ka vdekje, ka jetë. Unë isha në mes një situate skizofrenike, ju dini pak për psikologjinë, isha e frikësuar se mund t’i bëja diçka keq vetes”, shprehet ajo.

Ajo për gazetën Der Tagesspiegel kishte treguar se ishte në terapi me psikologë, ku psikologia e saj i kishte thënë që ajo duhej të shkëputej nga historia e vrasjes së burrit të saj. Por Gerstberger kishte dashur që të përballej me tragjedinë e saj.

“Unë kisha frikë se mos po e harroj pasi imazhi i tij po zhduket dita-ditës”, tha ajo për Der Tagesspiegel.

Më vonë, ajo kishte mbledhur histori të tjera të grave që kishin humbur burrat dhe kishte vendosur të shkruante librin. Ajo thotë se ishte shumë e vështirë të shkruante pas tre vjetësh pas vrasjes së tij.

“I përjetova sërish ato momente”, thotë ajo. Ajo i përjetoi edhe një herë ngjarjet gjersa i shkruante ato gjersa shkruante si më poshtë duke treguar momentin kur e kishte marrë vesh për vdekjen e Grünerit.

“Nuk bërtita, nuk më ra të fikët. I mora në telefon kryeredaktorin e tij, një koleg dhe doktorin. E përsëritja thënien që të mos më tregonin ndonjë foto që e shfaqnin Grünerin duke vdekur. Doktori më dha një qetësues dhe kisha fjetur. Fëmija në barkun tim atë natë kishte shkelmuar shumë dhe për një javë pastaj nuk lëvizte më. Shkova te doktori dhe ai më tha se fëmija është gjallë dhe mirë e pastaj më përqafoi”, shkruhet në librin e saj.

Ajo në intervistën e dhënë në vitin 2003 për Der Tagesspiegel tregon se djali i saj kishte pyetur se ku ishte babai i tij. “Ai është në parajsë”, u përgjigja. “Nuk mund të mendoja për diçka tjetër”, tha ajo. “Deri më tani, mund të them se djali është i lumtur. Jam e ngazëllyer t’i përgjigjem pyetjeve rreth babait të tij në të ardhmen”, shton ajo.

Guximshmëri dhe profesionalizëm

Volker Krämer, përveçqë ishte një gazetar i mirë, ai ishte një fotoreporter shumë profesionist. Ai u bë i njohur me fotot e tij nga shtypja e pranverës së Pragës më 1968, ku ai realizoi një set fotosh profesionale.

Krämer fotografoi edhe në Sudan, ku e potretizoi urinë që po e kaplonte atë vend dhe pastaj shkoi në Afghanistan, ku vuri në pah muxhahedinët në setet e tij.

Më poshtë mund t’i shihni disa nga fotografitë e realizuara nga Volker Krämer.

Image
Pranvera e Pragës, 1968
Image
Fëmijë nga Sudani Jugor duke u larë
Image
“Deti i luleve” për princeshën Diana, 1997

Krämer, sipas revistës “Stern”, nuk dëshironte të ishte i specializuar vetëm për një zhanër në fotoraportim.

“Unë nuk jam ende i specializuar, nëse fotoja ende nuk duket reale”, e shpjegonte Krämer punën e tij.

Volker Krämer ishte vlerësuar me çmime nga “World Press Photo Award” dhe “The Royal Society of Photography”.

Ndërkaq edhe kolegu i tij, Gabriel Grüner, u njoh për raportimet e tij të shoqëruara me fotografi ilustruese të ngjarjeve që raportonte.

Më poshtë mund t’i shihni disa nga fotografitë dhe raportet e tij nga Sudani Jugor dhe krizën e urisë që e kishte kapluar këtë vend në shtator të vitit 1998.

E për nder të kujtimit të gazetarëve të vrarë, organizata “Zeitenspiegel” jep një bursë të titulluar “Gabriel Grüner Scholarship”, që është rreth 6ooo euro për reporterët e rinj që realizojnë fotoreportazhe.

Në Qafën e Duhlës, në vendin ku dy gazetarët dhe përkthyesi i tyre u vranë, tashmë gjendet një memorial përkujtimi për ta.

Image

E në këtë memorial gjendet një poezi e shkurtër, e dedikuar për ta.

“Shiu nuk kthehet prapë lart,

e kur plaga nuk dhemb më,

dhemb gjurma e plagës”

Më 13 qershor të vitit të kaluar, Komuna e Suharekës ka bërë një organizim për të përkujtuar tre të vrarët në Qafën e Duhlës. Në këtë organizim morën pjesë edhe gazetarët hulumtues të këtij krimi, Uli Reinhardt dhe Joachim Rienhardt.

Volker Krämer, Gabriel Grüner dhe Senol Alit do të jenë gjithmonë dëshmi se ushtria serbe nuk njohu profesion e etni gjatë vrasjeve të tyre makabre në Kosovë.

Image
Organizmi i përkujtimit të gazetarve nga Komuna e Suharekës/Foto:Uli Reinhardt/Zeitenspiegel

Të tre këta gazetarë do të mbesin simbol i përkushtimit të gazetarëve dhe fotoreporterëve gjatë raportimit guximtar në zonat e luftës dhe kështu do të përkujtohen për çdo vit nga populli shqiptar për kontributin e tyre në shfaqjen para botës të asaj se çfarë po ndodhte në Kosovën e vitit 1999.

*Shefket Bujari është student i vitit të parë i Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat