I çmenduri, “perëndia” komunist

Speciale

I çmenduri, “perëndia” komunist

Më: 13 qershor 2017 Në ora: 06:10
Kim Jong Un

“Në 14 maj, Pheniani kreu një test balistik duke lëshuar një raketë me rreze të gjatë, e cila fluturoi lart për një orë e gjysmë, përpara se të binte në ujërat mes Koresë së Veriut dhe Japonisë”.

Nis kështu në revistën amerikane The New Yorker, një artikull i gazetares Hannah Beech, mbi politikën joracionale dhe të rrezikshme të Koresë së Veriut.

“(…) Fakti që testi raketor u krye vetëm pak ditë pas marrjes së detyrës nga presidenti i ri koreano-jugor, Moon Jae-in, i cili ka premtuar në nisë një dialog me Korenë e Veriut, konfirmon impulsin e Phenianit për provokime.

Ky test ka shënuar një hap të mëtejshëm në kërcënimet e Koresë së Veriut, që zakonisht janë kufizuar në fjalë. Retorika e koreano-veriore ka qenë luftarake prej dekadash, si për të kujtuar se, ndonëse Veriu dhe Jugu i hodhën armët në vijim të armëpushimit të vitit 1953, asnjë marrëveshje paqeje jetëgjatë nuk është arritur ndonjëherë. Donald Trumpi mund të ketë folur në 27 prill për Reutersin, për një “konflikt të madh, të madh me Korenë e Veriut”, por nga pikëpamja e Republikës Popullore Demokratike të Koresë, lufta nuk është ndalur asnjëherë.

(…) Mesazhet inatçorë të Koresë së Veriut mund të lexohen edhe si një strategji në evoluim. ‘Edhe po të mbash parasysh programin e saj bërthamor, Korea e Veriut është një vend i dobët, me një aparat ushtarak të mangët dhe një popullsi të pakët’, më ka thënë Andrei Lanko – vazhdon Beech, duke cituar një intervistë të bërë me profesorin e studimeve koreane në Universitetin e Kookminit në Seul. “E vetmja kartë që mund të luajnë është ajo që të shfaqen tërësisht joracionalë dhe të paparashikueshëm.

Kur thonë se do të fshijnë Korenë e Jugut dhe SHBA nga harta gjeografike, kjo propagandë u shërben për të krijuar imazhin e fanatikëve të çmendur, që mund të bëjnë gjithçka. Duan që bota të besojë tek ky imazh’.

Në luftën asimetrike, propaganda luftarake është një instrument shumë i dobishëm; pa përmendur raketat balistike bërthamore, që një ditë mund të arrijnë brigjet amerikane. Koreanoveriorët e kanë mësuar artin e propagandës nga sovjetikët, që bashkë me kinezët, i dhanë mbështetje ideologjike dhe logjistike Kim Il-sung, themeluesit të dinastisë që qeveris Korenë e Veriut prej tre brezash. (…) Dekada të tëra ekonomi e planifikuar nga qendra e kanë transformuar Korenë e Veriut në vendin më të varfër të Azisë, një vend që është mbyllur në vetvete”.

Në fund, vëren Beech, “Ministria e Propagandës ka nxjerrë në dritë një kult personaliteti që e ka glorifikuar Kimin, dhe më pas djalin e tij Kim Jong-un, sot në qeverisje. Edhe sovjetikët, që në kohën e Hrushovit u larguan nga teprimet agjografike të epokës staliniste, e quajtën absurde shndërrimin në perëndi të familjes Kim”. / Përgatiti: Bota.al

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat