Harta e vitit 1870: “Britania i kthen shpinën një Europe kaotike” - Bota Sot
Harta e vitit 1870: “Britania i kthen shpinën një Europe kaotike”

Speciale

Harta e vitit 1870: “Britania i kthen shpinën një Europe kaotike”

Më: 19 shtator 2018 Në ora: 11:09
Harta e vitit 1870

Harta satirike e vitit 1870 tregon një Europë në krizë, të përçarë e me tensione që në korrik të atij viti u konkretizuan me luftën midis Francës dhe Prusisë.

Pasojat e konfliktit ishin poshtërimi i Francës me humbjen e Alsas-Lorenës, dhe frika e Britanikëve nga një Gjermani më e bashkuar e më e fuqishme. Këto pasoja luajtën një rol shumë domethënës në nisjen e Luftës së Parë Botërore rreth 40 vite më pas.

Edhe pse trajton një temë shumë serioze, harta i jep çështjes një anë humoristike, duke e paraqitur secilin prej kombeve si një karikaturë komike.

Prusia paraqitet si një lopë deti gjigante me imazhin e “Kancelarit të Hekurt”, Oto Fon Bismarkut. Franca del si një ushtar nga Afrika e Veriut, që dhe pse i vogël, duket sikur ndalon heroikisht përparimin e Bismarkut (vlen të theksohet që harta është botuar në Francë).

Ndërsa Britania është e paraqitur si një grua plakë, e izoluar, që duket sikur po plas nga zemërimi dhe që i kthen shpinën me vendosmëri ngjarjeve në Europë, pothuajse duke harruar Irlandën, qenushin që duket se e mban të lidhur me litar.

Gradët e gjatësisë gjeografike janë shënuar në formë pushke, duke treguar se sa e nxehtë është situata.

Harta është punuar nga karikaturisti francez, Paul Hadol (1835-1875) i cili ka përdorur për disa kohë edhe pseudonimin enigmatik “White”.

Edhe pse hartat karikaturë kanë ekzistuar nëpër Europë që nga shekulli i 14-të, kjo është e para që i paraqit format e vendeve si personazhe me trajtë të plotë, një stil që vazhdoi të përsëritet gjatë gjithë shekullit të 19-të e deri në të njëzetin.

Versioni i hartës së vitit 1870 që shini në foto është në fakt një printim i riprodhuar në Gjermani në vitin 1914, për të treguar edhe një herë tensionin e përhapur nëpër Europë, që faktikisht çoi drejt Luftës së Parë Botërore./The Economist

Image
Image
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test
Tjera