Sportistët ambasadori ynë më i mirë

Sporti

Sportistët ambasadori ynë më i mirë

Më: 28 dhjetor 2018 Në ora: 15:42
Pamje nga konferenca

Me një minutë heshtje për policin e vrarë dje në Istog, Izet Demaj është zhvilluar sot konferenca e dytë “Sporti dhe Media”.

Në formë të paneleve kjo konferencë u organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) në bashkëpunim me Shoqatën e Gazetarëve Sportiv të Kosovës (SHGSK).

Presidenti i KOK-ut, Besim Hasani e ka vlerësuar vitin 2018, si vit të suksesshëm për ta, duke numëruar edhe sukseset e korrura.

Hasani: Sportistët ambasadori ynë më i mirë

“KOK respektivisht lëvizja olimpike në përgjithësi dhe ajo sportive po e lënë vitin 2018 me një sukses mund të themi të shkëlqyer, e themi këtë sepse në rrafshin ndërkombëtar janë arritur rreth 50 medalje, që për një shtet të vogël siç është Kosova padyshim është sukses i madh, prandaj edhe si rezultat e quajmë të shkëlqyer. KOK ka marrë pjesë në tri evente të mëdha multi-sportive, për herë të parë në lojërat olimpike dimërore, ku u përfaqësuam më një sportist, por që ishte me normë olimpike madje në 5 disiplina i kualifikuar, pastaj morëm pjesë po ashtu për herë të parë në lojërat mediterane në Tarragona të Spanjës, dhe hera e tretë ishte në Buenoi Aires të Argjentinës ku Kosova për herë të parë po ashtu u paraqit në lojërat olimpike për të rinj, krahas kësaj Kosova ishte edhe nikoqire e samitit të Sigas- një organizatë ndërkombëtare me një rritje me trendin më të shpejt të zhvillimit, ku shpalosen parimet e qeverisjes së mirë, po ashtu KOK i ka kushtuar rëndësi të jashtëzakonshme vlerave olimpike dhe ndërtimeve të kapaciteteve të  burimeve njerëzore”, u shpreh Hasani.

Ai tha se ky format edhe si rezultat i shpalosjes së pritshmërisë të njëri-tjetrit, në mes sportit dhe medias.

Shoqata e gazetarëve sportive të Kosovës  u prezantua nga kryetari, Arlind Grantolli, i cili ndër tjerash deklaroi se më e mira është se ka gjeneratë të re të gazetarëve të sportit.

Kurse, këshilltari i Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daut Thaçi ka shprehur gatishmërinë e këtij dikasteri për bashkëpunim me media.

Thaçi:Pa gazetarët ky pasqyrim s’do ishte i plotfuqishëm

“Ne si ministri do të jemi të hapur me gjithë gazetarët, po ashtu edhe me gjitha federatat dhe organizatat sportive që do të jenë në aktivitetet e tyre. Desha ta përshëndes KOK për këtë organizim, por duke inkurajuar që këto organizime të vazhdojmë edhe në të ardhmen për shkak se një bashkëpunim i mirë mes komunitetit të sportit dhe mediave e pasqyron realisht edhe të arriturat e një shteti, shihet se sportistët tanë janë ambasadori më i mirë i joni në arenën ndërkombëtare, dhe pa pasqyrimin e anës mediatike, ju gazetarë edhe ky pasqyrim nuk do të ishte i plotfuqishëm”, tha ai.

Në këtë konferencë tutje u lexuan rekomandimet e vitit 2017. Ndër to figuronin pajisja me internet e hapësirave të gazetarëve sportivë, rritja e gazetarisë qytetare, zvogëlimi i titujve bombastik, e paanshmëria e gazetarëve të kësaj lëmie.

Pronari i Agjencisë së Lajmeve KosovaPress, njëherit sponsor i KOK-ut, Skender Krasniqi ka vënë në pah se sporti ka nevojë edhe për më tepër përkrahje.

Krasniqi: Ndjehemi mirë që para 20 vjetorit kemi arritur që të bëhemi sponsor i KOK-ut

“Ndjehemi mirë që para 20 vjetorit kemi arritur që të bëhemi sponsor i KOK-ut, edhe ta përkrahim me mundësitë tona, aq sa kemi mundësi, ka qenë një vendim jo i lehtë i bordit për të përkrahur komitetin olimpik. Por me sa e kam parë unë sporti ka nevojë shumë më shumë për përkrahje, shumë më shumë për ndihmë, por për të ndodh kjo ndihmë, ndoshta do të duhej që mediat të rregullohen më mirë me ligj. Në kuadër të Odës së Afarizmit të Kosovës  e kemi krijuar një sektor të mediave, jemi duke u munduar që në ligjet për sponsorime të futet edhe përkrahja mediale e sportit. Kemi pas kontakt me ministrinë e kulturës, me ministri,  është premtuar krijimi i një komisioni që ka me ridraftu këtë ligj, kemi takuar edhe kryeministrin, kryeministri na ka premtuar, kemi dërguar edhe kërkesat tona. Presim që të përkrahet dhe të ridraftohet ligji për sponsorizimin në mënyrë që mediat të kenë më shumë buxhet për ta përkrahur sportin, sepse në këtë gjendje që janë mediat nuk e kanë të lehtë që të gjitha aktivitetet e të gjitha federatave të sportit t’i përkrahin. Duhet një ndihmë më e madhe meqenëse mediat janë biznese, edhe sporti është një kosto që kushton, në këtë drejtim do të mundohemi ne në qoftëse arrijmë më ridraftu këtë ligj, të kemi më shumë buxhet, financa për të përkrahur sportin më shumë”, tha ai.

Krasniqi ka treguar se ndër problemet më të mëdha janë mosfunksionimi i TVSH-së për media, si dhe mos identifikimi i ID-së së Kosovës.

Presidenti i Federatës së Futbollit, Agim Ademi, tha se këtu të gjithë janë për sport.

Ademi: Nuk ka kurrfarë frike, të gjithë jemi këtu për sport

“Nëse ne kemi rezultate të mira apo të këqija, faktikisht nga ajo pjesë ju shkruani, keni tema, keni lajme, kështu që faktikisht kjo është e dyanshme....Ne këtu jemi për sport, jemi gjithsesi me mandate edhe nuk ka kurrfarë frike, besoj që të gjithë jemi të vetëdijshëm që mandate e ka një kohëzgjatje dhe jeni në vendin e vet ose mandatin e vet me rezultate, jo me dëshirë të dikujt, s’ish dasht të paktën”, u shpreh ai.

Kryetari i Federatës së Hendbollit, Eugen Saraçini ka thënë se federatat gjithmonë duan mbulimin medial.

Saraçini: Gazetarë të paktë për mbulimin e aktiviteteve sportive

“Gazetarët si çdo herë janë në numër të pakët për t’i mbuluar të gjitha aktivitetet sportive, kjo ka të bëjë kryesisht për arsye se edhe teknikisht edhe në numër nuk mund të mbulohet gjithçka që është në interes të sportit. Ndërkaq ne si federatë dhe në përgjithësi si federata kemi dëshirë që çfarëdo qoftë lloj aktiviteti të pasqyrohet në media dhe kështu të informohet edhe qytetari për atë që se çfarë po bëhet. Është e vërtete që së paku kemi shënuar ngritje të shikueshmërisë, po jo në sportin lokal, atëherë kur ndeshen klubet por shumë ma tepër në organizime ndërkombëtare...edhe në ndeshjet midis reprezentacionit të Kosovës dhe Gjermanisë”, u shpreh ai, përcjell KosovaPress.

Ai tha se klubet kanë problem të mëdha se s’kanë njerëz adekuat.

Kurse, sekretari i përgjithshëm i Komitetit Olimpik të Kosovës, Shasivar Haxhijaj, ka treguar për rëndësinë që i kushtojnë informimit të publikut.

Haxhiaj tha se transparenca është nocion i gjerë dhe gjithmonë ka mundësi edhe për më shumë transparencë.

Haxhiaj: Po bëhemi lloj agjencie mediale e sportit, duke marrë shkas nga KosovaPress

“KOK ka filluar që në njëfarë forme të jetë zëri i të gjithë sportistëve, i të gjitha federatave, sidomos kur marrin pjesë në gara ndërkombëtare, edhe t’i pasqyrojmë në mënyrën më të drejtë të mundshme, pa anime, të gjitha rezultatet e të gjitha sporteve. Kjo nuk do të thotë që i kemi lënë anash këto sportet që kanë qenë më të promovuara edhe më të mbështetura prej mediave. Edhe kur nuk arrijmë rezultate ne si KOK mundohemi që me pasqyruar në mënyrën më të drejtë të mundshme. Shpesh herë e kemi pa që disa prej federatave ta zëmë nëse nuk arrijnë rezultate në gara, fare nuk e qesin lajmin. Edhe pse nuk e postojnë federatat atë lajm, ne KOK e qesim, në njëfarë forme kemi filluar të bëhemi një lloj agjencie mediale e sportit, ndoshta duke marrë shkak prej sponsorit tonë të komitetit olimpik, Agjencisë së Lajmeve KosovaPress, duam më bë si një lloj binjakëzimi”, tha ai.

Redaktori i sportit në gazetën “Zëri”, Valon Konushevci ka pasur kritika rreth realizimit tejet të vogël të rekomandimeve nga viti i kaluar, të cilat u prezantuan para panelistëve.

Konushevci: Nuk ju pëlqejnë hulumtimet që si përfundim kanë një rezultat negativ

“Në këtë tryezë të gjithë po flasin fjalë shumë të mira për raporte të medias, por në realitet nuk është bash krejt kështu, ju pëlqejnë raportimet për rezultate pozitive që i arrijnë sportistët, federatat, por nuk ju pëlqejnë hulumtimet gazetareske të cilat si përfundim e kanë një rezultat negativ për punën e federatave për ato çka i gjen ai hulumtim”, tha Konushevci.

Ai ka shtuar se nuk janë kryer as 10% të rekomandimeve nga viti i kaluar.

Më i ashpëri ndaj situatës së sportit, ishte komentatori i sportit Agim Kasapolli.

Kasapolli: Nuk jam i kënuar, gazetarët të ndarë në dysh flet diçka

 “Kjo shoqatë për të cilën unë kam iniciuar  vet personalisht, kryetari i tanishëm me marrë pritë me u bë, nuk jam aspak i kënaqur, vet fakti që gazetarët janë të ndarë ne dysh flet diçka, vet fakti që raporti ka mbetur në gjysmë, ka dalur aty ka keqpërdorime nuk ka shkruar më tutje, unë nuk jam i kënaqur...”, tha Kasapolli. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat