Bardhyl Zajmi ishte një personalitet i ndritur

Sporti

Bardhyl Zajmi ishte një personalitet i ndritur

Nga: Jakup Kasapolli Më: 10 janar 2019 Në ora: 10:14
Nga rivista federative në Beograd 1959 nga e majta: Skënder Belegu, Nysret Begolli, Ismajl Berisha, Ilaz Sina, Hysen Cenë Axhanela, Shyqri Pajaziti, Hajrulla Gruda. Në mes: Sami Morina, Mazllom Morina, Arsim Fehmiu. Poshtë: Bahri Katanolli, Bardhyl Zajmi, Masar Begolli, dhe Ekrem Katanolli

Në nderim dhe kujtim të njeriun që dha shumë për zhvillimin e Kulturës Fizike dhe sportit  në Kosovë nga 1947-1998 (2)

Në nderim dhe kujtim të njeriun që dha shumë për zhvillimin e Kulturës Fizike dhe sportit  në Kosovë nga 1947-1998 (2)  Bardhyl Zajmi ishte një personalitet i ndritur  Shkruan: Jakup Kasapolli Pas katër viteve, me 1960 doli gjenerata e parë prej 49  mësuesve të kualifikuar të fizkulturës - edukatës fizike, nga ata ishin dymbëdhjetë femra e 37 meshkuj. Në gjeneratën e dytë të vitit shkollor 1957/58 janë pranuar 63 nxënës.

Nga gjenerata e dytë në vitin 1961, dolën edhe 46 mësuese të fizkulturës – edukatës fizike. Nga ata sihin 24 femra e 22 meshkuj. Ishin këto shkëndijat e para të mësuesve të kualifikuar profesionistë të Kosovës. Këto vajza e djelmosha, mësues të rinj të Fizkulturës, përveç detyrave nëpër shkolla, ishin në ballë të aktiviteteve edhe në klube sportive, bartësit e përgatitjeve në rivista fizkulturale, që aso kohe ishin paraqitjet më të mëdha masovike të ushtrimit fizik. Rivistat e para në Kosovë filluan të organizohen nga viti 1948.

Rivista e parë në Kosovë është mbajtë në pranverën e vitit 1948. Iniciator ishin bashkëshortët Bardhyl dhe Rada Zajmi. Ata komponin ushtrimet përkatëse për femra e meshkuj. Në rivista kanë marrë pjesë nxënësit e shkollave, anëtarët e Shoqatave për Edukimikn Trupor “Partizan” nga qytetet e Kosovës dhe rinia punëtore dhe fshatare e Kosovës. Rivistat organizoheshin në të gjitha njësitë Federative – Republika e Krahina. Në vitin 1956, Kosova ka marrë pjesë në Rivistën Republikane të Serbisë në Kragujevac dhe Rivistën Federative në vitin 1959 në Beograd.

Profesori Bardhyl, nuk u ndal asnjëherë së kërkuari për të arritur më shumë për të shkuar më larg dhe për t’u ngjitur më lartë. Kështu në fillim të viteve gjashtëdhjetë, përkundër rrethanave jashtëzakonisht të vështira politike që rëndonin mbi Kosovën, në vitin shkollor 1963/64, si iniciatori  kryesor, arriti te finalizoi hapjen e Degës së Edukatës Fizike pranë Shkollës së Lartë Pedagogjike në Prishtinë. Prof. Bardhyl Zajmi, zgjidhet me titull Profesor i Arsimit të Lartë dhe emërohet shef i Degës e më pastaj edhe drejtor i Shkollës së Lartë pranë Universitetit te Prishtinës në Prishtinë.

Ai me përkushtimin më të lartë kryente njëkohësisht edhe punën e  pedagogut - mësimdhënësit. Që atëherë (unë Jakup Kasapolli isha studentë tëi gjeneratës së dytë 1964/65). Tek ai pashë qetësinë në shpirtin e tij racional e profetik, me ndjesi e dell të veçantë për punën dhe marrëdhënie me njeriun-studentin. Respekti ndaj tyre ishte i madh, pa dallim, pa përjashtim se kush ishte dhe nga ishte. Ishte skajshmërisht modest,  ai kurrë nuk fliste për veten e vet, por për të tjerët dhe sukseset e tyre.

Çdo gjë që bënte e bënte me përpikëri e përkushtim, i pa luhatur nga parimet universale njerëzore. Me iniciativën e tij dhe të bashkëpunëtorit më të afërt, profesor Arsim Fehmiut, nga viti 1967 nis me betejën e re, iniciativën tjetër shumë të rëndësishme, këtë herë për themelimin e Entit Krahinor të Kulturës Fizike të Kosovës dhe nismës për hapjen e Fakultetit të Kulturës Fizike pranë Universitetit të Prishtinës. Para se të hapej FKF në Prishtinë, me iniciativën e Profesor Bardhyl Zajmit (drejtor) dhe Prof. Arsim Fehmiut (shef i Degës së Edukatës Fizike) të SHLP në Prishtinë, hapet paralelja e ndarë e FKF të Universitetit të Beogradit pranë SHLP në Prishtinë.

Virtytet e larta prej një humanisti dhe gatishmëria për t’u gjendur pranë njeriut në fatkeqësi, e nxiten profesorin të themeloi shoqatën e zhytësve të Kosovës, e cila në vitin 1970 shndërrohet në Federatën  e Zhytjes. Prof. Bardhyl Zajmi si udhëheqës i Federatës, i zgjodhi dhe përzgjodhi disa kandidat, ndër të cilët është dalluar si pionier i parë dhe aftësuar si instruktor i parë i shytësve të Kosovës.

Ai ishte Prof. Ismajl Kosumi, personaliteti më i dalluar i organizimit të aksioneve bamirëse në Kosovës. Krahas hapjes së shumë degëve deficitare në kuadër të Universitetit të Prishtinës, ai nuk pushoi asnjëherë në përpjekjet e veta për ta ngritur kulturën fizike në nivel më të lartë profesional e shkencor, si përpjekje e vazhdueshme për të qenë sadopak në hap me popujt tjerë të rajonit dhe botës përparimtare.

Ekzistimi i kuadrit përkatës profesional e shkencor i Degës së Edukatës Fizike pranë SHLP të UP në Prishtinë dhe shkollimi i disa kuadrove shqiptare në qendrat tjera të avancuara të ish Jugosllavisë, krijuan kushtet e përshtatshme për sigurimin e kuadrit profesional e shkencor për iniciativën e radhës, projektin më kapital të jetës së vet:  hapjen e Fakultetit të Kulturës Fizike pranë Universitetit të Prishtinës.  

Edhe kjo ëndërr e tij e madhe u realizua në vitin shkollor 1979/80, me ç’rast ai u emërua si dekan  i parë i këtij tempulli të dritës arsimore. Kur jemi te nisma e FKF-së, duhet përmend grupin e profesorëve me titull të arsimit të lartë që me përvojën e tyre të mësimdhënësit nga  SHLP-ja, u pranuan me konkurs për punën në fakultet si: Bardhyl e Rada Zajmi, Arsim Fehmiu, Mirosllav Mekiq, Neshet Koshi, Masar Nixha, kurse  si ligjërues i ri Faik Çitaku, ndërsa asistent: Sadik Krasniqi e Mustafa Aliu. Mëpastaj pranohen edhe ligjëruesit tjerë si: Hysen Rakovica, Enver Gjinolli, Beqir Hasanxhekaj, kurse asistent: Aziz Dujaka, Myftar Haklaj, Xhemajl Kika e të tjerë...

Dhe pas 43 vjet të jetës së vet shumë aktive në kulturën fizike dhe sport, Profesor Bardhyl Zajmi u  pensionua me  thirrjen e Profesorit Ordinar të Fakultetit të Kulturës Fizike të UP në Prishtinë. Përvjetori i njëzetë i vdekjes së profesorit na kthen shumë kohë, vite e dekada prapa, për kohët që lan gjurmë që nuk harrohen dhe as nuk mohohen. Ishin kohë të organizimit dhe bashkëpunimit të solidaritetit e humanizmit, të sfidave dhe suksesit, në të cilën Bardhyli ishte një personalitet i ndritur i një epoke dhe tërësie të pamohueshme. Për figurën dhe kontributin e profesor Zajmit nuk është pushuar të flitet për gjithë këto 20 vite pas vdekjes së tij, në mjedisin e punëtorëve të Kulturës Fizike e Sportit në tërë Kosovën, nxënësve dhe studentëve, bashkëpunëtorëve dhe kolegëve më të afërt të tij si dhe dekanatit të tanishëm të FKF të UP në Prishtinë. Kryefjala që bashkoi gjithë këto mendje është nisma për shpërblimin  “profesor Bardhyl Zajmi”. Me vendim të posaçëm të dekanatit të FKF-së të UP-së në Prishtinë në muajin mars të vitit 2013, u vendos për materializimin dhe  zyrtarizimin e shpërblimit  “Bardhyl Zajmi”.

Ky shpërblim për të parën herë iu nda  figurës më të njohur të sportit kosovar në vitin 2013 dhe viteve të fundit, kampiones së Evropës, fitueses se medaljes se art olimpike ne Rio - 2016  Majlinda Kelmendi. Në fund vlerësojmë lartë iniciativën e ndarjes së çmimit “Bardhyl Zajmi“, nga ky institucion. Kjo reflekton vlerën e veprës jetësore të profesorit, prandaj detyrohemi akoma edhe më shumë ta nderojmë këtë figurë madhore, duke mos pushu se kërkuari qe emri i këtij njeriu dhe humanisti te madh te zyrtarizohet edhe me emërtimin e  ndonjë rruge apo shkolle e re ne Prishtinë, pse jo edhe ne qytete tjera të Kosovës.  Angazhimi ynë kolegjial, profesional, institucional, por mbi të gjitha njerëzor konkretizohet me mesazhin e qartë: profesor Bardhyl Zajmi nuk bën të harrohet.  

P.S. Pos autorit te shkrimit (J.K) që ishte student i gjeneratës së dytë te SHLP-së-1964/65, në plotësimin e të dhënave nga jeta dhe puna e prof. Bardyl Zajmit kontribuuan edhe: Arsim Fehmiu, dekan i dytë i FKF-së – 1981-1983.  Sadik Krasniqi, dekan i FKF-së – 2013-2016; Musa Selimi, dekan aktual i  FEFS – 2018.  Njoftim : Këshilli inicues i përkujtimit te 20 vjetorit te ndarjes nga jeta e prof. Bardhyl Zajmit, falenderon Fakultetin e  EFS dhe KOK, unë për mbështetjen dhe perkrahjen e idesë për këtë përvjetor dhe njëkohësisht njofton të gjithe ish koleget, profesorët, studentet, bashkëpunëtorët, dhe përfaqësuesit e institucioneve zyrtare së tubimi – përkujtimi i këtij përvjetori do të mbahet të premten me 11 janar në ora  11.00, në lokalet e Fakultetit te Edukimit Fizik dhe Sportit  në Prishtinë. Fund

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat