Lazër Rajta, portrerti i një alpinisti model në sport dhe në jetë

Sporti

Lazër Rajta, portrerti i një alpinisti model në sport dhe në jetë

Gëzim Loka Nga Gëzim Loka Më 22 shkurt 2019 Në ora: 17:17
Lazër Rajta

Kur kthen kokën pas për të kujtuar rrugëtimin e tij të jetës, një jetë plot fisnikëri, pasion e përkushtim, Lazër Rajta ndjen ta përshkojnë emocione të forta dhe kohëhapësira e ecjes së tij pikëzohet tek pikat kulmore të këtij udhëtimi. Megjithëse i ka mbushur të shtatëdhjetat, ka ende një trup të fortë, kthjelltësi e mprehtësi në gjykim, ndjeshmëri ndaj halleve të të tjerëve, kuarajë për ta parë të vërtetën në sy. Dashuria e tij e parë dhe e fundit, më e madhja e jetës së tij, ishte dhe mbeti alpinizmi, ku sot pas rreth pesëdhjetë vjetëve nga nisja e këtij sporti magjiplotë, ndodhet në krye të shoqatës së Alpinistëve të Shqipërisë, me të njëjtin pasion dhe përkushtim të pesë dekadave të shkuara. Ai tenton të rizgjojë atë entuziazmin e kohëve të shkuara për këtë sport kaq të bukur e të vështirë, sidomos tek të rinjtë, për të mos e lerë që të shuhet e vdesë, pasi me aplikimin e tij lidhet një mendësi progressive për jetën, duke e konsideruar atë si një sprovë të përhershme të guximit dhe kurajos qytetare e njerëzore…

Ky bir lurian, mbetur jetim që në moshë të njomë, do të shkollohej nga gjyshi, i cili do t’i bëhej mbështetje e fortë në ato vite të vështira fëmijnore dhe rinore, kur po formohej karakteri dhe individualiteti i tij.

Lazri e donte botën e dijeve, donte librin, leximet, muzikën, udhëtimet, ishte i shoqërisë dhe miqësisë, i tavolinës dhe muhabetit të zgjedhur, por mbi të gjitha ishte një sfidant i palodhur majash, ngjitjesh të guximshme, që vinin në provë jo vetëm fizikun e tij të fuqishëm, por dhe karaketrin e fortë.

Karreiera e tij nisi shumë vite më parë në korpusin e Burrelit, si strukturë e Forcave të Armatosura, ku djaloshi shtathedhur, energjik dhe kurajoz, si oficer karriere do të nxirrte në pah vlerat e një të riu plot vullnet dhe pasion, në shërbim të kauzave më humane të kohës.

Ishte viti 1980, kur me iniciativë të tij u ngrit ekipi i alpinizmit në Burrel dhe që atë vit merr pjesë në veprimtari kombëtare. Katër vite më vonë, Lazri do të caktohet si trainer i ekipit të alpinizmit të Matit, duke u ngjitur në katergorinë e parë. Ngjitjet e tij të befta e të vështira, pasioni dhe përkushtimi prej sportisti model, bënë që të binte në sy të organeve eprore, të cilat morën në konsideratë arritjet e tij dhe i dhanë titullin “Mjeshtër i Sportit” për rezultate të larta në sportin e alpinizmit, duke thyer rekorde ngjitjesh të vështira në Alpet e vendit, çertefikuar nga profesorë e mjeshtra, ikona të alpinizmit shqiptar.

Image

Pasioni ishte dhe mbeti kryefjala e veprimtarisë sportive të Lazër Rajtës, të cilin matjanët do ta shihnin për gjashtëmbëdhjetë vite rresht majave e grykave të thepisura, në ngjitje të vështira e gati të pamundura, do ta shihnin thuajse për çdo vit fitues të anketës vjetore “10 sportistët më të mirë të rrethit të Matit”. Ai e lidhi jetëne tij me alpinizmin, këtë sport kurajoz e burrëror dhe bëri shumë miq e shokë, ngriti peshë zemra e ndezi flakë shpirtëra me ngjitjet e tij në çdo mal e grykë të Shqipërisë.

Pas viteve ’90, me hapjen e Shqipërisë me botën, alpinizmi do të njihte qasje, projeksione dhe nivele ë reja e kështu alpinisti i talentuar Lazër Rajta, në vitin 1991, do të merrte pjesë në Kampionatin Ndërkombëtar të Alpinizmit, që u zhvillua në Rumani. Ato çaste kur me kuarjë e guxim do të ngjitej në majat më të larta të zonës së Broshovës, Rumani, do të mbeten përjetë të pashlyera në mendjen e sportistit lurian, që po shijonte frutet e hapjes dhe të lirisë, të cilat i ofronin shanse dhe mundësi të reja në rrugën e tij sportive.

Përafrimi i ushtrisë shqiptare me standardet e NATO-s, anëtare e së cilës ka disa kohë që tashmë është dhe Shqipëria, u shoqërua me kritere moshe e kritere të tjera selektive, çfarë bënë që ushtaraku Lazër Rajta të dilte në reformë, por ai vazhdon të mbetet një ushtarak i devotshëm dhe një sportist aktiv, gjithmonë në kërkim të përvojave të reja alpisnitike dhe njerëzore.

Ai ishte dhe mbeti një ushtarak i zoti, që kudo që punoi, qoftë si drejtor i Shtëpisë së Ushtarakëve të Korrpusit të Burrelit, gjatë viteve 1993-1996,  qoftë si instruktor i parë i përgatitjes fizike të Forcave RENEA në Kombinat (1996-1998), shfaqi dhuntitë më të mira të një ushtaraku e të një njeriu të përkushtuar për liritë njerëzore dhe të drejtat qytetare. Pas daljes në reformë, do të shpaloste vizionin dhe talentin e tij edhe në fushën menaxheriale, si menaxher tek “Rozafa” dhe si kordinator (shef sigurie) në QSUT Tiranë.

Ish sekretari Organizativ i Federatës së Alpinizmit shqiptar gjatë viteve 1996-2000, LazërRajta, katër vjet më vonë, në vitin 2004, krijoi Shoqatën Alpinistike “Tirana” dhe aktualisht është president i kësaj shoqate.

Ishte viti 2006 kur Lazër Rajta, që kishte arritur kulmet e karrierës sportive, qoftë si sportist, qoftë si titular sporti, dekorohet me “Medaljen e Mirënjohjes”,për kontribut të veçantë në ngritjen, funksionimin dhe strukturimin e alpinizmit shqiptar.

Përveçse promovimin sportiv të alpinizmit, në krye të shoqatës “Tirana”, Lazri promovon dhe resurset dhe potencialet turistike të trevave më të thyera të vendit tonë, kryesisht të Alpeve shqiptare, duke u bërë një inkurakues dhe mesazhues i integrimit mbarëshqiptar.

Me datë 26/062016, me dekret 9667, Presidenti i Republikës e dekoron Lazër Rajtën me titullin “Mjeshtër i Madh”, me moivacion: “Për ndihmesën e çmuar të dhënë në shumë vite për përhapjen dhe masivizimin e sportit të alpinizmit në vendin tonë, si anëtar i ekipit kombëtar të alpinizmit, pjesëmarrës me rezultate të larta sportive në ngjitje alpinistike, të organizuara në veprimtaritë e rëndësishme të aktiviteteve kombëtare e ndërkombëtare”.

Aritjet e tij, jo vetëm në alpinizëm, por dhe në jetë, si oficer i talentuar dhe njeri me vizion largpamës, janë të lidhura pazgjidhshmërisht me familjen e tij, bashkëshorten Liljana dhe tre vajzat, Ildën, që jeton e punon si mësuese në Londër, Albin, punonëse e dalluar dhe ndër më të aftat që punon në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Irës, që jeton e punon në Kanda, që të trija me një pasion të madh për dijen dhe të arsimuara në nivelet më të larta të arsimimit shqiptar dhe atij perëndimor.

Lazër Rajta dhe familja e tij e rrënjëve dhe degëve, që gjithçka në jetë e kanë lidhur me Lurën, këtë vend të magjive të fshehta e të hapura, janë një shembull që duhen ndjekur nga çdo lurian, nga çdo dibran, nga çdo shqiptar i drejtë dhe i ndershëm, që kërkon të krijojë një jetë të ndershme dhe me dinjitet në tokën e tij, në vendin e të parëve të tij.

Jam krenar që kam kontakte të vazhdueshme me Lazrin, këtë njeri shpirtbukur, me pasione të mëdha dhe ëndrra po kaq të mëdha më shumë se për veten e tij për Lurën dhe lurianët tanë.

Njerëz si Lazër Rajta nuk janë aq të shumtë në këtë përditshmërinë tonë të tejngarkuar e stresante, se po të ishin…ah, po të ishin, ndoshta gjërat nuk do të shkonin kështu rrokopujë e pafundme në këtë vend…

Lazër Rajtën unë jam krenar që e kam mik, që shkëmbej me të një fjalë, një përshëndetje, që rrugëtojmë së bashku në kohën e kujtimeve dhe mbresave të përbashkëta të Lurës sonë, në kohën e ëndrrave të jetës, disa prej të cilave mbetën në sirtar, por shumica marrin udhë kudo nëpër Lurë e gjetkë nëpër atdhe dhe Lazër Rajta mbetet lajmëtar i këtyre ëndrrave, lajmëtar i vlerave të mëdha të dashurisë së pathyeshme për tokën e të parëve, për gurin e pragut dhe të varrit, që lidhin kohët dhe njerëzit, brezat dhe epokat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat