Babë e nënë artistë të Shotës, djemtë kampionë të Kosovës

Sporti

Babë e nënë artistë të Shotës, djemtë kampionë të Kosovës

Nga: Kemajl Goca Më: 27 shkurt 2019 Në ora: 14:59
Babë e nënë artistë të Shotës, djemtë kampionë të Kosovës

Kërcimi është urëlidhëse në mes vallëzimit dhe sportit, disiplinë e sportit ritmike dhe koreografike, e arteve skenike dhe atij marciale. Kjo më së miri shpjegohet përmes talentit që posedon në gjenin familjar familja Grajçevci, 4 anëtarë të familjes, 2 kërcimtarë të artit skenik përmes vallëzimit popullorë dhe 2 kërcimtarë të arteve marciale përmes sportit, pra taekwondos. Prindërit Besnik e Amire Grajçevci, artist të spikatur në AKKV Shota, duket se talentin nga gjeni i tyre e bartën edhe tek fëmijë e tyre, Kron dhe Jon Grajçevci. Pra, kjo është për t’u studiuar se talenti qenka dhunti e veçantë që duhet studiuar.

Image

Joni e Kroni

 Talenti bartet apo nuk bartet gjithmonë ngjan fëmija nga prindërit. Po ose jo? Talenti që trashëgohet tek fëmijët, mbartet për të njëjtën karakteristikë apo mund të përpunohet varësisht nga dëshira e fëmijës? Talenti është një dimensional apo shumëdimensional? Talenti si dhunti qenka një mundësi e ofruar nga gjeni familjar (komponent bërthamash e programator apo receptor) nëse mund t’i quajmë kështu dhe mund të manipulohen sipas vullnetit të lirë të individit varësisht nga dëshira apo rrethanat ku jeton dhe zhvillohet fëmija?!

Kjo temë na shtyu të trajtojmë pikërisht duke bërë një krahasim të talentit në gjenin e familjes Grajçevci, ku me 23 shkurt të javës që e lamë pas, në Kampionatin e Taekwondos së Kosovës, e organizuar nën patronatin e FTK-së, rezultoi që djemtë e Besnikut dhe të Amires, Kroni e Joni, të shpallen kampionë për vitin 2019. Kroni kampion - Kategoria A - 63 kg (medalje e artë, juniorë) dhe Jon Grajçevci- Kategoria A - 45 kg (medalje e artë, juniorë).

“Bota sot”: Kroni dhe Joni, kampionët e kategorisë tuaj, si arritët deri këtu?

Kroni: Nuk di si të filloj por vlen me theksuar se kemi filluar si aktivitet të sportit si çdo i ri që duhet të merret me sport ose kulturë gjatë moshës rinore dhe pa idenë dhe vetëdijen e plotë që mund të kemi një talent të veçantë.

Joni: E vërtet, ashtu është si thotë Kroni. Unë isha veç 8 vjeç kur fillova dhe vëllau 10 vjeç. Kemi filluar pa pas ndonjë dashuri të veçantë ndaj taekwondos si sport, por baba ynë e hapi Qendrën për Kulture, Rini e Sport "Brez pas Brezi" në vitin 2012 dhe përveç kulturës hapi edhe aktivitetin e sporti luftarak të Taekwondos dhe na propozoi që të aktivizohemi sepse është sport i mirë. 

Image

Prindërit valltarë

“Bota sot”: Babai ju ka imponuar këtë drejtim?

Kroni: Nuk e di, a është imponim apo jo, por mundësinë na ka ofruar.

Joni: Imponim mund me thënë kemi pas por jo saktë për këtë sport. Na foli shumë, se duhemi të mendojmë të merremi me aktivitete rinore mos me kaluar kohën kot por me planifikuar shkollë, aktivitet dhe kohë të lirë.

Kroni: Po si tha Joni ashtu mendova edhe unë, na ka udhëzuar që jeta pa plan-program e qëllime nuk ka kuptim as arritje. Por imponim për një drejtim nuk kemi pasur sepse po të kishte imponim me siguri do na impononte të bëhemi valltarë, si janë edhe dy prindërit tanë.

“Bota sot”: A kanë pas dijeni prindërit e juaj se keni talentin?

Joni: Nuk di për këtë, më mirë më i pyet vetë ata!

Kroni: Nuk di sa kam të drejtë me shpreh këtë mendim por e di që baba dhe nëna shumë pak kanë pasur kohë të merren me ne, mirëpo talentin e parë që kanë vërejt të unë, ka qenë mosha 3 vjeçe kur unë si fëmijë në shtëpi me gjyshen time që e dua shumë, në ambient kuzhine me lodra e me objekte të ndryshme, kam filluar ta shpreh talentin e ritmashit apo me saktë daullegjisë.

“Bota sot”: Paskeni talentin e artistit edhe ju. Tregona pak?

Kroni: Po unë, meqë gjithë ditën pa prindërit në shtëpi, me gjyshen time kaloja ditën duke u përzier nëpër punët e saj dhe ajo për të me mashtruar apo për t’i krijuar vetes mundësi me punuar punët e shtëpisë, drekën për dy prindërit e mi dhe gjyshin tim dhe anëtarët tjerë që kanë qenë në punë apo studime, ajo më lëshonte TV apo videoxhirimet e prindërve të mi për të me mashtruar. Unë shikoja programin artistik dhe gjithë programi me valle dhe muzikë dhe gradualisht kam filluar të imitoi ritmin, të përcjell ato tinguj e ritme me lodrat e mija çfarëdo që kisha në dorë.

Po rrëfej ashtu si me kanë shpjeguar familja saktësisht gjyshja ime sepse unë s’e kam pas kujtesën që t’i mbaj mend të gjitha por edhe sipas video-incizimeve dhe fotove që i kam pa, pastaj gjatë kohëve. Pra, gjyshja me ka hetuar dhe ditë pasdite mi ka dhënë lugët e ushqimit me të mëdha dhe "kofet" e plastikës së turshive, që ne përdorim në traditën e kuzhinës tonë familjare si objekte të lehta dhe të përshtatshme për të nxjerr tinguj. Kështu edhe prindërit me kanë pa dhe kam vazhduar, kur në moshën 5 vjeçe kam arritur të paraqes talentin tim në skenë profesionale si daullegji me ansamblin Shota, kemi edhe video-xhirime.

Joni: Po them edhe unë diçka, hahah. Kur është fjala të imponimi, mundem me thënë se prindërit tanë asnjëherë nuk na kanë imponuar zgjedhjen tonë, por mundësitë na kanë ofruar të ndryshme për të pa në vete mundësinë, me pa veten se ku po na flenë dëshira. E di që na kanë ofruar edhe kurse të këndimit edhe të instrumenteve dhe kemi pa që kemi edhe ato talente të trashëguar kryesisht nga nëna sepse ajo është valltare, këngëtare dhe gazetare.

“Bota sot”:  Prindi juaj është valltar i njohur?

Kroni e Joni: E di që e donë aktrimin shumë dhe e di që din të pikturoj dhe skulpturoj, si dhe është tip i gjithanshëm po ashtu e ka studiuar fushën e sportit në fakultet, por me kënduar nuk din as instrumenteve nuk din mi ra apo ekzekutuar. Pra, dua ta theksoj që mundësi na kanë ofruar shumë e ne me pas mundësi mu përcaktuar.

Image

“Bota sot”: Ju keni dhunti në talentin e juaj. A keni diçka që nuk keni thënë?

Kroni e Joni: Po, kemi, në moshën e re, herët na kanë drejtuar në karate për disa muaj, por rrethanat nuk kanë qenë me vazhduar. E dimë që baba aty ka marr mendime profesionale nga trajneri i karatesë se këta fëmijë kane karakteristika të veçanta për mu bë sportist të mirë. Prindi këtë e ka vlerësuar dhe na ka ofruar mundësinë e sporteve luftarake. Mos të harrojmë, se ne zhvillojmë edhe kursin e basketbollit. Kroni po vazhdon ende, unë e kam ndërprerë sepse kam filluar edhe me kick-box qe 3 muaj.

“Bota sot”: Jeni shumë aktiv,  a mund t’ia arrini të gjitha kur dihet që kërkohet shumë energji?

Kroni: Po, e vërtet. Por unë dy sportet i bëj me dashuri e pasion dhe punoj, nuk me lodhin, edhe besoj që me përshtaten shumë dy disiplinat dhe është me rëndësi me thënë se me kombinohen shumë, nuk me pengojnë njëra-tjetrën. Mendoj me vazhduar deri atëherë kur vlerësoj se nuk mundem me dyja apo njërën duhet ndaluar për arsye të energjisë së shtuar të sportit, që do të kemi njërën me prioritet.

Joni: Po, është goxha e mundimshme. Lodhje por pa lodhje s’ka rezultat. Unë basketbollin e kam ndërpre sepse me tepër do të orientohemi në sportet luftarake sepse ashtu më do dëshira. Kam filluar edhe me kick-box qe 3 muaj sepse dua të njoh sa më shumë këto sporte dhe të arrijë të bëjë dallimet dhe krahasimet mes disiplinave. Gjithsesi se dy këto disiplina me ndihmojnë në zhvillim të forcës, sigurisë dhe energjisë luftarake për pjesëmarrje në arenë. Dallojnë sepse kanë rregulla të ndryshme por qëllimin dhe gjinia janë të një lloji, një familje të arteve marciale.

“Bota sot”: A keni kohë t’i kushtoni rëndësi shkollës dhe kohës së lirë si çdo fëmijë apo bashkëmoshatar?

Kroni: Kur njeriu dëshiron diçka, ka kohë për të gjitha vetëm duhet pas qëllim në vete.

Joni: Po e plotësoj Kronin, nga mësuar nga baba, se në jetë çdo gjë arrihet nëse dëshirohet por duhet pasur një qëllim apo vizion të planifikuar dhe me respektuar kohën. E di që na thotë: Gjithë koha është më e vlefshmja dhe suksesi i të gjitha arritjeve nëse dimë ta planifikojmë e ta respektojmë me vete disiplinë. E di që po flasim si të rritur shumë por aktivitetet e sportit dhe kulturës janë një shkollë e zhvillimit të disiplinës dhe shoqërimit me të tjerët.

“Bota sot”: Kampionë u shpallët, si ndiheni për këtë sukses dhe cilat janë synimet për të ardhmen?

Kroni: Është shumë kënaqësi kur arrin të kurorëzohesh me kurorën e më të mirit ndër të mirët, padyshim ndjen e veçantë. Kjo arrihet kur bashkohet një ekuacion apo formulë kimike, psh: Talenti + mësuesi i mirë + disiplina dhe përkushtim = sukses. Unë do të përpiqem, me dhënë nga vetja maksimalen në fushën e sportit paralelisht në dy sportet dhe gjatë rrugës me e vlerësuar se cila duhet të jetë prioritet, që me ditë se deri ku mund të arrijë brenda moshës së lejuar të sportistit. Mos të harroj të theksoj, se jashtë këtij pasioni unë kam edhe një pasion profesional, që ky do të jetë profesioni im në të ardhmen: Dizajn grafik.

Joni: Unë po ashtu mendoj me punuar me këto sporte dhe ne bashkëpunim me trajnerët do të shoh se deri ku mund të kemi sukses dhe a mund të synojmë si çdo sportist për t’u bërë kampion i medaljeve botërore apo Olimpike. Unë besoj shumë dhe dua ta sfidoj veten.

“Bota sot”: Pas kampionatit që arritët, cilat janë planet për këtë vit?

Kroni:  Synimet? 1. Shkollën e dizajnit ta ndoqi deri në nivelet më të larta të shkollimit në këtë fushë. 2. Tash si kampion të punoj, të jam i përgatitur që të mbroj ngjyrat e shtetit tim e me suksese në garat ndërkombëtare përmes Federatës së Taekwondos dhe klubin tim “Olympik Art” ta bëjë krenar. 3. Dua të shoh veten triumfues në Lojërat Olimpike 2020 dhe 2024 përmes këtij sporti.

Joni: Ashtu edhe unë mendoj: 1. Obligimet e shkollës t’i kemi prioritet dhe të jemi mesatar: as i fundit as i pari deri në momentin e zgjedhjes së profesionit adekuat që duam të studiojmë si profil e atëherë të bëhemi më të mirët. 2. Synoj të përkushtohem me punë e ushtrime drejt sukseseve në garat e radhës në arena ndërkombëtare. Normal, me suksese më të larta si çdo sportist që ëndërron edhe unë, vetëm punë kërkohet dhe mundësi financiare! 3. I bëj thirrje rinisë, që të merren me sport se ndiheni më të fortë me shëndet në sigurinë personale dhe t’i shërbeni vendit nëse kërkohet.

“Bota sot”: Për fund kujt ia dedikoni këtë sukses?

Kroni: Po, normalisht është e kuptueshme se pa përkrahjen e familjes nuk do të kishim mundur me filluar asnjë rrugë apo nuk kishim mundur asnjë derë me hapur që ne me pa ditë. Pastaj trajnerin Arsim Agushi që ka aftësi dhe na ka përgatitur që të bëhemi mjeshtër në këtë fushë. Padyshim, vullnetin që na ka dhënë Zoti, mundësinë dhe talentin ta zhvillojmë.

Joni: I tha Kroni të gjitha, hahahah. Por, pasi jam dy vite më i ri dhe besoj se do të mundem me arritur më shumë, sepse mësohem duke e pa vëllaun e madh si po i kalon shkallët njëra pas tjetrës, të cilat unë do i shkeli pak më vonë. Është një tregues i mirë për mu si vëlla më i vogël dhe ato pengesa që nuk mund t’i kaloj Kroni unë të punoj e t’i kaloj me sukses. Falënderoj familjen, babën, nënën që na përkrahin maksimalisht që ne t’i realizojmë qëllimet tona edhe pse më shumë mund e sakrificë. Ju besojmë dhe ju jemi mirënjohës, po ashtu trajnerit për përgatitjen tonë dhe Zotin që na ka dhënë këtë mundësi ta shijojmë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat