UEFA pritet ta dënojë Neymarin, për komentet pas ndeshjes ndaj Man Unitedit

Sporti

UEFA pritet ta dënojë Neymarin, për komentet pas ndeshjes ndaj Man Unitedit

Më: 7 mars 2019 Në ora: 12:36
Neymar

UEFA do të presë për ta shqyrtuar raportin e gjyqtarit të ndeshjes, pas fitores së Manchester Unitedit kundër Paris Saint-Germainit, mbrëmë. Neymari pritet të dënohet për shkak të komenteve që i bëri pas ndeshjes.

Neymari e ka kritikuar gjyqtarin e ndeshjes Paris Saint-Germain – Manchester United, për akordimin e penalltisë në favor të anglezëve, në fund të ndeshjes, pasi që beson se incidenti nuk ishte i mjaftueshëm për penallti.

Gjyqtari i ndeshjes e akordoi një penallti në minutat shtesë të ndeshjes, pasi një goditje e Diogo Dalotit u ndal nga krahu i Presnel Kimpembe. Ky incident u shqyrtua edhe nga VAR-i.

Marcus Rashfordi përfitoi nga kjo mundësi e artë dhe e shënoi golin që e kualifikoi Manchester Unitedin në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, për shkak të epërsisë së golave të shënuar si mysafirë.

“Kjo është e turpshme. UEFA i zgjodhi për ta rishikuar incidentin katër njerëz që nuk kanë lidhje me futboll. Ajo prekje me dorë thjesht nuk ekziston”, ka shkruar Neymar në llogarinë e tij në Instagram.

“Si mund të akordosh penallti për prekje me dorë pas shpinës? Ahh, q***eni veten!”, përfundon braziliani, i cili mungoi në këtë ndeshje për shkak të një lëndimi që e kishte pësuar në fillim të këtij viti.

Trajneri i PSG-së, Thomas Tuchel e mbrojti brazilianin pas ndeshjes, duke kërkuar nga gazetarët që të mos e gjykojnë Neymarin për këto komente, pasi që ai kishte shkruar nga zemërimi. Mirëpo, braziliani nuk besohet se do t’i ikë dënimit të UEFA-s.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat