Fortesa la modelizmin për sport, pretendon olimpiadën

Sporti

Fortesa la modelizmin për sport, pretendon olimpiadën

Nga: Kemajl Goca Më: 23 prill 2019 Në ora: 10:45
Fortesa Orana

Në vendin tonë kemi një numër të garuesve elit që pretendojnë majat e suksesit në rrafshin ndërkombëtar. Një synim të tillë e ka edhe karateistja më e mirë në Kosovë, Fortesa Orana, e cila garon në disiplinën +68 kg. Simpatikja nga Gjilani që garon për ekipin e Ipponit nga Prishtina dhe është pjesë e kombëtares së Kosovës, punon me zell të shtuar në drejtimin e trajneres Shqipe Zogiani, me qëllim që të jetë e gatshme për secilën betejë!  Karateistja me shikim të mprehtë sikur të një japonezes është në formë të jashtëzakonshme dhe me padurim i pret sfidat e radhës.  

Image

Asaj i mbetet pikë në zemër që nuk e fitoi medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian që u mbajt para pak jave në Spanjë! Ishte shumë afër medaljes, pak i mungoi fati sportiv pak iu bë e padrejtë dhe nuk e realizoi synimin e saj, megjithatë kjo nuk e ka dekoncentruar por e ka motivuar edhe më shumë që të punon e të përgatitet deri në pikën e fundit për sfidat e mëdha,  ku luftohet për pikë olimpike. Është e thjeshtë, e buzëqeshur si gjithmonë, e matur dhe misioni i saj është puna, jo fjalët e mëdha! Fortesa iu është mirënjohëse pakufi edhe familjes së saj, babait e nënës po ashtu edhe vëllezërve që vazhdimisht e mbështesin drejt realizimit të ëndrrës, drejt medaljes evropiane e botërore, por edhe me shpresë që të siguron normën olimpike pr Lojërat Olimpike – “Tokyo 2020”.

Në asnjë formë nuk është pishman që e la modelimin dhe iu përkushtua vetëm karatesë, sport që i sjellë emocione, që besa edhe shpesh gëzime. Ajo zotohet se do të përgatitet maksimalisht që ta realizojë ëndrrën e saj, të fitojë medalje të nivelit më të lartë qoftë në Kampionatin Evropian qoftë në Kampionatin Botëror, mbase edhe në Olimpiadë.   Në intervistën për gazetën kombëtare “Bota sot” Fortesa ka folur për synime e saja,  po ashtu përveç karatesë a punon dhe çfarë ushqimi preferon dhe çfarë marke të veturës ka!

Image

“Bota sot”: Fortesë, karrierë interesante e juaja, fillimisht e nisët si karateiste, pastaj edhe si modele. Sa ishte i vështirë?
Fortesa Orana:
Fillimi i karrierës ka qenë mosha 7-vjeçare që jam marr me sportin e karatesë, ndërsa fillimi i modelizmit ka qenë në moshën 15-vjeçare. Angazhimi i të dyjave ka qenë mjaft i vështirë duke e ditur që njëra me tjetrën kanë pasur një dallim të madh por për mua ka qenë më rëndësi sporti, karateja është synimi im në jetë. Qëllimet e mija kanë qenë tek sporti, ndërsa modelizmin mund ta quaj vetëm në kohën e lirë.

Image

“Bota sot”: Fortesa me pak fat do të stolisej me medalje të bronztë në Kampionatin Botëror që u mbajt në Spanjë, megjithatë a mendoni se jeni në formën më të mirë?
Fortesa Orana:
Gara e Spanjës ka qenë një garë mjaft e rëndësishme për mu sepse aty ishte qëllimi im, mund ta quaja edhe krejt ëndrrat e mija, por në Spanjë nuk me priu fati edhe pse isha shumë afër medaljes, njëkohësisht edhe pati padrejtësi dhe me dëmtuan aty. Kam qenë në formën më të mirë dhe isha nisur për medalje përkundër se kisha shumë vështirësi para kampionatit për shkak të ftohjes në gjoks, ku me ka penguar që të jem në formën më të mirë për Evropian, megjithatë nuk jam dorëzuar. Jam munduar me dhënë më të mirën, por nuk do të ndalem ani se jam duke i parë shumë pengesa gjatë këtij rrugëtimit tim të gjatë deri tek medalja, në të cilën e pretendoj unë.

“Bota sot”: Ju jeni në rrugën drejt olimpiadës, a shpresoni se do të arrini normën olimpike dhe cilat janë garat më të vështira gjatë këtij vitit?
Fortesa Orana:
Si shpresë olimpike pretendoj të kualifikohem edhe pse në sportin e karatesë është një betejë mjaft e madhe për mu kualifikuar në olimpiadë. Kemi ende shpresë dhe vitin tjetër është viti më me rëndësi duke u nisur prej garës Parisi Open, pastaj Evropiani, Botërori, të gjitha këto gara të vlefshme për pikë olimpike. Shpresoj që vitin tjetër të jetë me më fat për mua pse jo të kualifikohemi në një ndër garat më të forta në botë siç është olimpiada dhe është ëndërr e çdo sportistit që të jetë aty.

Image

“Bota sot”: Si çdo sport tjetër apo sportist që po ballafaqohet me peripecitë e ndryshme, sa është vështirë të jesh karateiste në Kosovë?
Fortesa Orana:
Po flas për vetën time, vështirësitë janë mjaft të mëdha për me ardh deri të kampioni, është fjala për me ardhur deri tek një medalje evropiane, është mjaft vështirë, sepse duhen përgatitjet me qenë në nivelin shumë të lartë, përkrahja më e madhe në të gjitha aspektet, tek ne është në nivelin jo shumë të arritur por as shumë poshtë nuk mund të them, por sportisti duhet mu mbështet ne forca të veta sepse këto mundësi i kem familja, është ajo që me mbështet dhe me përkrah në çdo aspekt por edhe klubi i karatesë Ippon siç dihet është klubi me sportist shumë të arritur, kjo me ndihmon më së shumti.

“Bota sot”: Përveç me karate, a punon a po me çka merresh në jetën private?
Fortesa Orana:
Jeta ime është më së shumti sport, ushtroj deri në 3 herë në ditë përveç sportit merrem edhe me një program sportiv që ndonjëherë e udhëhoqi personalisht ngjarjet e sportit, në vikend më së shumti e kaloj kohën time me familje, kjo është e gjitha.
“Bota sot”: Çfarë makine ngas?
Fortesa Orana:
Tipin alfa romeo 2006.

“Bota sot”: Çka ju pëlqen nga ushqimi?
Fortesa Orana:
Ushqimi im i preferuar është mishi i bardhë.
“Bota sot”: Cili ka qenë motivuesi apo përkrahësi më i madh që Fortesa merret me karate?
Fortesa Orana:
Familja ime, të cilin nuk janë dorëzuar asnjëherë dhe pretendojnë që një ditë do ta realizoj ëndrrën time. Babi im, nëna ime dhe dy vëllezërit me ndihmojnë dhe me përkrahin shumë drejt realizimit të ëndrrës sime.
“Bota sot”: Ëndrra juaj?
Fortesa Orana:
Ëndrra ime është që të bëhem kampione evropiane dhe t’i preku majat e sportit të karatesë siç është Kampionati Botëror, olimpiada... Synime që shpresoj se do të më bëhen realitet dhe të gjitha arrihen me punë.

Image

“Bota sot”: Çfarë iu ka mbetur pa realizuar deri me tash dhe objektivi për muajit e ardhshëm?
Fortesa Orana
: Siç e ceka më lartë, nuk me priu fati sportiv edhe pse isha shumë afër të rrëmbeja një medalje. Kjo më ka mbetur në gjysmë gjatë rrugëtimit, medalja evropiane. Objektivat e mija janë që me 17 maj të jem në garën e ardhshme ku luftohet për pikë të olimpiadës, që do të mbahet në Turqi, pastaj do të kemi një pushim veror por do të mundohem ta shfrytëzoj për përgatitje sepse viti ardhshëm do të jetë shumë afër dhe një ndër vitet më të rëndësishme. E imja është të përgatitem dhe shpresoj pak edhe në fat sportiv.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat