Në seminarin e KOE-s bëhet thirrje për mos diskriminim të sportistëve të Kosovës

Sporti

Në seminarin e KOE-s bëhet thirrje për mos diskriminim të sportistëve të Kosovës

Më: 19 maj 2019 Në ora: 17:23
Në seminarin e KOE-s bëhet thirrje për mos diskriminim të sportistëve të Kosovës

Në Vjenë të Austrisë po mbahet seminari i 40-të i Komitetit Olimpik Evropian (KOE), në të cilën është bërë thirrje edhe një herë për mos diskriminim të sportistëve, me theks të veçantë atyre nga Kosova dhe Izraeli.  Delegatët kujtuan thirrjen e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON), të cilët muaj më parë kërkuan garanci për të gjithë sportistët, për të mos u përjashtuar nga garat ndërkombëtare për arsye politike, shkruan Inside the Games. Në seminarin dy ditësh po marrin pjesë edhe drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, presidenti Besim Hasani dhe sekretari i përgjithshëm, Shasivar Haxhijaj, të cilët disa herë kishin bërë trysni në KON dhe KOE të merren masa ndaj shteteve që diskriminojnë sportistët tanë.

James Macleod, i cili këtë vit u emërua drejtor i Departamentit për Marrëdhënie me Komitetet Olimpike dhe Solidaritetin Olimpik në KON, u tha delegatëve: “Dua t’ju kujtoj të gjitha Komiteteve Olimpike se KON përkrah parimin që sportistët duhet të kenë të drejta të barabarta në garat e tyre dhe se duhet të mos ketë ndonjë interferencë të ndërhyrjes politike për pjesëmarrje në gara”. Macleod përmendi incidentet me sportistët nga Kosova dhe Izraeli. Boksierja jonë, Donjeta Sadiku, për arsye politike nuk u lejua në dy vitet e fundit të marrë pjesë në kampionatin botëror në Indi, pasi qeveria e këtij vendi ia mohoi dhënien e vizës. I pranishëm në seminar, në cilësinë e panelistit ishte edhe zëvendësdrejtori i KON-it, Pere Miro, njëherit mik i madh i Kosovës. Ai u kujtoi të pranishmëve rastin e Donjeta Sadikut. “Incidenti i fundit ka ndodhur në Indi, ku delegacioni sportiv dhe sportistët nga Kosova nuk u lejuan të marrin pjesë në kampionatin botëror të boksit. Kjo tregon qartë se, derisa kjo çështje të adresohet dhe të zgjidhet seriozisht nga autoritetet kompetente indiane, India nuk do të jetë në gjendje të organizojë ngjarje ndërkombëtare sportive, në të cilat do të marrë pjesë edhe delegacioni sportiv i Kosovës”, deklaroi Miro.

“Duke marrë parasysh të gjitha këto, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar rekomandon fuqishëm që para se të caktojnë ndonjë ngjarje ndërkombëtare sportive në një vend, të gjitha organizatat sportive ndërkombëtare duhet të japin garancinë e nevojshme me shkrim, e cila duhet të merret nga autoritetet lokale, në mënyrë që organizatori të sigurojë trajtim të barabartë për të gjithë sportistët pjesëmarrës dhe delegacionet e tyre”, shtoi Miro.

Kërcënimi i KON-it dha dritën e gjelbër tek shteti i Spanjës, të cilët së fundi lejuan karateistët tanë të paraqiten në kampionatin evropian, të barabartë me gjithë garuesit tjerë. Seminari i Komitetit Olimpik Evropian do të vazhdojë punimet edhe sot, derisa ndër temat e shumta që po diskutohen janë edhe Lojërat Olimpike Tokio 2020, Lojërat Evropiane Minsk 2019, si dhe Festivali Olimpik Evropian për të rinj, Baku 2019.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat