Ministria e Sportit shpërblen sportistët e Kosovës 

Sporti

Ministria e Sportit shpërblen sportistët e Kosovës 

Më: 23 maj 2019 Në ora: 18:25
Ministria e Sportit shpërblen sportistët e Kosovës 

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, në një ceremoni të organizuar në kabinetin e tij, ka bërë ndarjen e shpërblimeve shtetërore për sportistë dhe trajnerë. Ndarja e këtyre shpërblimeve u bë sipas dispozitave të Rregullores Nr. 15/2013 për Ndarjen e Shpërblimeve Shtetërore për Sportistët që Arrijnë Rezultate Kulminante në Garat Ndërkombëtare. Xhudistja Erza Muminoviq shpërblehet me 10,000 euro, për medaljen e bronztë në xhudo në Lojërat Olimpike për të Rinj në kategorinë -44 kg, të mbajtur në Buenos Aires të Argjentinës. Xhudisti Akil Gjakova shpërblehet me 5,000 euro për medaljen e artë në xhudo në Kampionatin Evropian U 23 të Xhudos në kategorinë -73 kg, të mbajtur në Gyor të Hungarisë.
Xhudistja Loriana Kuka shpërblehet po ashtu me 5,000 euro, për medaljen e artë në xhudo në Kampionatin Evropian U 23 në kategorinë -78 kg, të zhvilluar në Gyor të Hungarisë.
Ndërkaq, Driton Kuka, trajner i Kombëtares së Kosovës në xhudo, shpërblehet me 5,500 euro si trajner i xhudistes Erza Muminoviq dhe me nga 2,500 euro si trajner i sportistëve Akil Gjakova dhe Loriana Kuka. Karateisti Melos Gashi shpërblehet me 3,500 euro për medaljen e argjendtë në karate, në Kampionatin Evropian për kadet-junior  dhe U 21 të karatesë në kategorinë +70 kg, të mbajtur në Aalborg të Danimarkës. Ndërkaq trajneri i tij, Muhamet Rexhepi, shpërblehet me 1,750 euro. Karateistja Albulena Gërvalla shpërblehet me 2,000 euro për medaljen e bronztë në karate në Kampionatin Evropian për kadet -junior dhe U 21 të karatesë në kategorinë -55 kg, të mbajtur në Aalborg të Danimarkës. Ndërkaq trajneri i saj, Isak Curri, shpërblehet me 1,000 euro. Me këtë rast ministri Gashi tha: “Është kënaqësi e veçantë për mua si ministër që në këtë ceremoni t’i ndajmë këto shpërblime dhe mbështetjen tonë financiare për sportistët dhe trajnerët më të mirë.

Jemi të vetëdijshëm si Ministri që mundi dhe puna juaj nuk shpaguhet me mjete financiare, megjithatë këto shpërblime janë motivim shtesë”. “Synimi jonë është që t’i mbështesim sportistët dhe trajnerët që me punën dhe angazhimin e tyre janë duke e promovuar shtetin e Kosovës. Unë i quaj ambasadorë të Kosovës sepse tashmë jemi mësuar ta shohim flamurin të ngrihet në shumë vende të tjera, madje ata po na bëjnë krenarë edhe në vendet që nuk e njohin Kosovën”, tha Gashi. Ai shtoi se “janë këta sportistë që na kanë sjellë medalje gjatë vitit 2018 dhe 2019 dhe gjithë këto rezultate kanë emrat e mbiemrat dhe një nder ta është trajneri Driton Kuka që i ka sjellë mbi 50 medalje Kosovës”. Sportistët dhe trajnerët që morën këto shpërblime falënderuan ministrin Gashi për mbështetjen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat