Haliti: Udhëheqja komunale e Prishtinës është në gjumë të thellë 

Sporti

Haliti: Udhëheqja komunale e Prishtinës është në gjumë të thellë 

Nga: Kemajl Goca Më: 30 maj 2019 Në ora: 13:18
Astrit Haliti

Sa më shumë që të kemi pishina gjysmë-olimpike nëpër qytetet e ndryshme të Kosovës, sigurisht se mund të rritet edhe cilësia e notit! Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Notit të Kosovës, Astrit Haliti, uron nismën e projektit të ndërtimit të pishinës në qytetin e Ferizajt, por ka shpreh shqetësimin e tij se çfarë po ngjan në Komunën e Prishtinës, duke hedhur edhe kritika në adresë të kuvendit komunal, veçmas ia kujton edhe disa premtime që ka bërë kryetari i  Prishtinës, Shpend Ahmeti.
“Bota sot”: Ferizaj po bëhet me pishinë olimpike, është një mundësi edhe më e mirë për zhvillimin e notit në përgjithësi të Kosovës?
Astrit Haliti:
Ne urojmë nismën e projektit të ndërtimit të pishinës në qytetin e Ferizajt, dhe sigurisht që kjo nismë po bëhet fal projektit ideor të federatës dhe mbështetjes nga ana e MKRS-së përkatësisht ministrit z. Gashi për çka e falënderojmë për këtë nismë që ishte edhe premtim i ministrit në vitin që lamë pas dhe gjithashtu shpresojmë që projekte të tilla të fillojnë edhe në komunat tjera ashtu siç edhe kemi biseduar në takimin që kishim me ministrin pra ndërtimin e disa pishinave gjysmë olimpike që do të jenë në funksion të qytetarëve të Kosovës por në veçanti sportistëve që po bëjnë sakrificë të madhe duke udhëtuar gjatë për stërvitje dhe gjithashtu prindërve që paguajnë shuma të mëdha për ushtrimet e këtyre sportistëve, besojmë se shumë shpejt me ndërtimin e pishinave, që të ju mundësohet më lehtë të përballojnë këto shpenzime si dhe udhëtimet e gjata. Ne edhe njëherë urojmë ministrin për nismën gjithashtu kryetarin e Ferizajt z. Aliu për një qasje shumë pozitive për sportin e në veçanti sportet e ujit, besojmë fuqishëm që Ferizaj meriton të ketë një pishinë të tillë dhe gjithashtu japim përkrahjen e parezervë të federatës që kjo të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur! 

Image

“Bota sot”: A është mëkat që kryeqyteti, Prishtina, që mos të ketë pishinë olimpike dhe në anën tjetër, si ecin gjërat në ndërtimin e pishinës në Prizren?
Astrit Haliti:
Tani kryeqyteti sigurisht që është jo mëkat por e papranueshme që mos të ketë pishinë me dimensione olimpike kur kemi parasysh që në kryeqytet jetojnë rreth 300 mijë banorë dhe është absurde që mos të ketë pishinë, është shumë shqetësuese, por për këtë problem nuk mund të fajësojmë MKRS-në, fajtor kryesor për këtë është Komuna e Prishtinës përkatësisht kryetari i cili edhe pse ka premtuar qysh para 5 viteve që shumë shpejt Prishtina do të ketë pishinën me dimensione Olimpike, thuajse ky premtim është në gjumë të thellë dhe as që diskutohet fare, ne kemi bërë përpjekje me anë të shkresave por asnjëherë nuk kemi marrë të paktën asnjë përgjigjeje për një takim eventual! Besoj se gjumi i gjatë në të cilin ka rënë komuna e Prishtinës, kryeqyteti një ditë do të zgjohet dhe te mendoj se ky qytet ka nevojë për ide të reja dhe investime të reja, këta fëmijë që jetojnë këtu kanë nevojë të mësojnë notin dhe qyteti ju ka borxh infrastrukturën për mësim e stërvitje. Kemi marr konfirmim nga MKRS përkatësisht ministri që momentin që komuna ndan lokacionin ne fillojmë procedurat e ndërtimit të pishinës por udhëheqja komunale është në gjumë të thellë, shpresojmë të zgjohet! Prizreni, kryeqyteti i shqiptarëve ka filluar ndërtimin e pishinës me dimensione Olimpike, besojmë se kjo pishinë me disa intervenime të vogla në këtë fazë ku është tani do të jetë një prej objekteve shumë të bukura sportive dhe gjithashtu do ti shërbej qytetit te Prizrenit, sportistëve dhe gjithë qytetarëve të Prizrenit dhe të Kosovës por dhe federatës për organizimin e aktiviteteve qofshin ato të nivelit kombëtar gjithashtu edhe ndërkombëtar, andaj mbetemi të përkushtuar të mbështesim çdo iniciativë për ndërtimin e infrastrukturës së sporteve të ujit pa marr parasysh se ku do të ndërtohen, qëllimi ynë është të kemi sa më shume objekte të tilla dhe për këtë falënderojmë si Komunën e Prizrenit gjithashtu edhe MKRS-në që më në fund pas 20 viteve pas luftës kanë filluar ndërtimin e objekteve të tilla, shpresojmë në përfundimin sa më të shpejt dhe vënien në funksion të këtyre objekteve me vlera të shumëfishta.

Image

“Bota sot”: Noti me shumë sfida, ka përparim në shumë disiplina?
Astrit Haliti:
Sigurisht sfidat janë të mëdha por edhe përkushtimi për rezultate më të mira është i madh, këtë e tregojnë edhe statistikat e rekordeve nëse flasim në aspektin e rezultateve, gjithashtu edhe aspekti i masovizimit është ne rritje e sipër, këtë e tregojnë edhe shifrat e pjesëmarrjes në aktivitetet që organizon federata, ngritja dhe shkollimi i trajnerëve gjyqtarëve është në rrugë shumë të mirë jo vetëm për sportin e notit por dhe për sportet tjera të ujit si vaterpolo e kërcimet në ujë ku janë mbajtur edhe seminare me ekspert ndërkombëtar dhe ka pasur një numër të konsiderueshëm të pjesëmarrësve në këto seminare jo vetëm pjesëmarrës vendor por edhe ndërkombëtar, që janë rezultat i punës në federatë, por përkundër kësaj që është bërë mbetet shumë për t’u bërë në vazhdim dhe shpresojmë se me ndihmën e atyre që punojnë çdo ditë në sportet e ujit por edhe atyre që do të vijnë të këto sporte të arrijmë synimet e përcaktuara me planin strategjik të federatës!
“Bota sot”:  A po vijnë emra të rinj në not, cilin mund ta veçoni si potencial?
Astrit Haliti: Gjithherë në not vijnë emra të ri, sportist të rinj, shumë cilësor por se me këto kushte në të cilat punojnë këta sportist është e vështirë të pretendohen rezultatet e nivelit botëror dhe europian por prapë po e përsëris jemi në rrugë të mirë drejt synimeve për rezultatet më të mira të cilat dita ditës po përmirësohen e kjo falë punës së trajnerëve sportistëve dhe prindërve të sportistëve të cilët janë krah i djathtë i rezultateve sportive në not.  Tashmë kemi shumë emra që kanë arritur rezultate shumë të mira por për shkak të korrektësisë nuk do të doja të veçoja ndonjë emër të veçantë, por ju siguroj se ka një numër të konsiderueshëm të këtyre talenteve që stërviten çdo ditë me një përkushtim të madh!

Image

“Bota sot”:  A do të jetë vit me suksese më të mira e më pak telashe?
Astrit Haliti:
Se do të jetë vit me i mirë se i kaluari as që kemi dyshime, se do të ketë më shumë telashe unë personalisht jam kërkues në këtë drejtim dhe mendoj që sado që jemi munduar të eliminojmë telashet e viteve të mëhershme gjithherë ka pasur kërkesa të reja dhe nevoja të reja, ne do të jemi të gatshëm të përballojmë çfarëdo pengese eventuale dhe bashkarisht me stafin e federatës por edhe me klubet dhe sportistët të përkushtohemi për arritjen e synimeve të përbashkëta dhe për këtë nuk dyshojmë fare, do të punojmë me përkushtimin më të madh për përmbushjen e të gjitha obligimeve që dalin nga objektivat e planit strategjik të Federatës në mënyrë që një të ardhme të afërt të jemi shembull i suksesit te përbashkët!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat