Kosovës i besohet organizimi

Sporti

Kosovës i besohet organizimi

Më: 30 maj 2019 Në ora: 18:23
Kosovës i besohet organizimi

Përfaqësuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, anëtari i Bordit Ekzekutiv, Avni Nuha, njëherit kryetar i Komisionit Mjekësor, zyrtarja ligjore, Blerina Imeri dhe këshilltari për Sport në Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport, Daut Thaqi, kanë marrë pjesë në takimin e radhës të Organizatës për Evropën Regjionale Lindore të Anti-Dopingut (EERADO), të mbajtur për dy ditë në Tbilisi të Gjeorgjisë.
Zyrtarja ligjore, Blerina Imeri, është certifikuar në trajnimin për Menaxhimin e Rezultateve, në të cilin ligjëroi profesori për Anti-Doping nga Britania e Madhe, Philip Law, derisa i pranishëm ishte edhe Sebastien Gillot, përfaqësues i WADA-s (Agjencia Botërore për Anti-Doping). 
Në ditën e dytë u mbajt Mbledhja e Bordit të EERADO-s, pjesë e të cilëve është edhe Kosova, e ku i pranishëm ishte anëtari i Bordit të kësaj organizate, Avni Nuha, të cilit pas aplikimit që bëri dhe përmes prezantimeve për vendin tonë, të gjithë anëtarët e Bordit votuan pro mbajtjes së takimit të radhës në Kosovë.
Vendi ynë u bë i pari që vetëm disa muaj pra pranimit të organizojë takimin e radhës, derisa data do të caktohet më vonë.
Në Rend të Ditës ishte edhe zgjedhja e kryetarit të kësaj organizate, e ku me shumicë votash kryetar i EERADO-s, u zgjodh Amir Avdagiq nga Bosnja e Hercegovina.
Krahas Kosovës, e cila u bë anëtare e EERADO-s në muajin shtator të vitit të kaluar, anëtare të kësaj organizate janë edhe: Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina, Moldavia, Armenia, Gjeorgjia, të cilat ishin të pranishme edhe në Mbledhjen e Bordit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat