A ka ma marre se me të ik garuesi më i mirë nga shteti i Kosovës!

Sporti

A ka ma marre se me të ik garuesi më i mirë nga shteti i Kosovës!

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 19 korrik 2019 Në ora: 12:58
A ka ma marre se me të ik garuesi më i mirë nga shteti i Kosovës!

Nuk duhet shumë filozofi, as nuk ka nevojë të analizojmë shumë për situatën që po kalon Kosova. Edhe budallai më i madh e din se ku jemi dhe si jemi! Është dëshpërim i pafund në shtetin e Kosovës! Populli i Kosovës është lodhur me vite e vite dhe nuk sheh perspektiv e vet!

Nuk ka më shumë se dhjetë vite, e din mirë Driton Kuka, përzgjedhës i kombëtares së Kosovës në xhudo, se sa u desh të punon e ta bindë shtetin se përnjëmend po fiton medalje zyrtare dhe nuk është duke garuar në garat e katundeve, as nuk është duke mashtruar me medalje, as nuk është duke i blerë dyqaneve të Shkupit, Stambollit e të Zagrebit.

Atëkohë, sikur sot më kujtohet, kur disa thoni: “Dritoni na lodhi me do gara të lodhëta, duke marr pjesë në turne të mëhallëve”. Driton Kuka i ka pasur nervat shumë të forta, edhe psikologjinë shumë të fortë, sepse durimi i tij ishte aq i madh, saqë investonte me aq fuqi kapitale që kishte dhe nuk merrej me turli “eksperti” të vetëshpallur, që dyshonte në sukseset e garuesve të tij!

Dhe për çudi, si ndodhë shpesh në sportet luftarake, nuk e ke ditën për dreq dhe humb. Kjo i ndodhi Majlinda Kelmendit (-52 kg) kur përfaqësonte shtetin Shqiptar!

Ata që dyshonin, e forcuan bindjen dhe thoshin me krenari: “U pa kush është Majlinda në Lojërat Olimpike – ‘Londra 2012’. Aty nuk ka rrena!”. Me një fjalë, u kënaqen apo iu ka bërë zemra mal nga dështimi i Majlindës!  Edhe këtu Driton Kuka nuk u mor më askënd, i grahi punës si thonë në popull: si kali!

Gradualisht arriti në majet e suksesit, kampion Evrope dhe kulmi në Rio, Majlinda kampione e botës në vitin 2014! Mediat botërore në këmbë, shkruani me të madhe për Majlindën, ata që dyshonin struken si buajt e Sadik Topillës aty ku mundeni, nuk kishin fytyrë ta takonin Driton Kukajn dhe as vëllain e tij, Agron Kukajn, kryetar i Federatës së Xhudos së Kosovës.

Nuk shkoi shumë,  Majlinda kampione olimpike në vitin 2016, po ku tjetër pos në Rio! Të gjithë ata që qeshnin dhe dyshonin, në vitin 2016 ndërruan kapelat, nga mohues të rezultateve të Majlindës, u kthyen mos të themi në tifoz të flaktë apo u përulen para Kukajt. Kur thoshte Kuka se Majlindën e kërkon Azerbajxhani dhe ofron një milion euro, dikujt iu duk një tallje e vitit apo një vic i Kukajt për të frikësuar shtetin, por në Rio 2016 u binden se Majlinda kushton me dhjetëra miliona euro!

Por mbrëmë Kosovës i ndodhi një lajm i keq e trishtues, karateisti më i mirë, Orges Arifi, me zemër të thyer, e thotë publikisht, nuk do të garojë për Kosovën, por ka vendos për shtet tjetër dhe shumë shpejt do të tregoj emrin. Një vendim i vështirë i Arifit, por që ka një mijë arsye! Në bazë të asaj letre publike, le shumë për të kuptuar se ka një arsye që po e braktis shtetin që u lind, u rrit dhe në fund po ia kthen shpinën.

Ai në bazë të asaj letre, premton se do të tregoj të vërtetën pse po ik nga shteti i tij në një shtet tjetër! A ka ma marre se me të ik garuesit më të mirë nga shteti i Kosovës? Çka nëse nesër del e thotë hapur se për këtë arsye ka ik, a thua cili do të ishte kundërpërgjigja ndaj tij?

Kosova është një mal sportistësh, por kemi garues elit që nuk gëzojnë trajtimin e duhur dhe profesional. Shpresojmë të mos kemi ikje tjera, por siç shihet gjendja çfarë jemi dhe ku jemi, nuk përjashtohet mundësia edhe dikush tjetër të merr hapin e Orgesit, sepse nuk jetohet më vetëm me vullnet dhe pa kushte. Nuk të duhet asgjë krenaria kur nuk ke bukë me ngrënë dhe nuk e ke jetën e dinjitshme të sportistit!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat