Hapet Java Evropiane e Sportit

Sporti

Hapet Java Evropiane e Sportit

Më: 23 shtator 2019 Në ora: 12:17
Foto ilustrim

Komiteti Olimpik i Kosovës edhe këtë vit ka hapur Javën Evropiane të Sportit, që mbahet nën patronatin e ministrit në detyrë të Kulturës, Rinisë dhe Sport, Kujtim Gashi.

Këtë herë, KOK ka organizuar Forumin për Sportin, i cili ka për qëllim të mbledh të gjithë përfaqësuesit e lartë të sportit, kontribuuesit, biznesmenët, institucionet qendrore dhe ato lokale, gazetarët sportivë, dhe të gjithë ata që kanë kontribuuar në forma të ndryshme në sport, në mënyrë që bashkërisht të diskutojnë problemet e shumta që preokupojnë sportin, klubet, sportistët tanë, si dhe komunat.

Temat të cilat janë diskutuar gjatë këtij forumi përfshijnë: Ligji për Sponsorizim, Kategorizimi i Sportit, Sportistëve dhe Trajnerëve, Qeverisja e Mirë në Sport, Barazia Gjinore, etj.

Të pranishëm ka qenë Ministri i Sportit Kujtim Gashi, i cili ka bërë hapjen e forumit, personalitete të larta nga sporti, drejtues të federatave, komunave, Administrata Tatimore e Kosovës, biznesi, gazetarë sportivë etj.

Në fjalën hapëse të këtij forumi ministri në detyrë, Kujtim Gashi, u shpreh se këto aktivitete zhvillohen me qëllim që qytetarët e Kosovës të merren më shumë me aktivitete fizike dhe sportive, të cilat do të organizohen në kuadër të Javës Evropiane të Sportit.

Java Evropiane e Sportit sivjet shënon 5 vjetorin e themelimit dhe mbahet në vende të ndryshme të Evropës.

Sivjet janë  planifikuar rreth 84 ngjarje për 8 ditë sa do të zhvillohet java, ku planifikohet të marrin pjesë rreth 2 mijë persona.

Ndërsa kryetari i Komuniteti Olimpik të Kosovës tregoi arsyen se pse kanë vendosur të mbahet ky forum.

Ai tha se ka shumë çështje rreth kësaj teme që duhet ngritur.

 "E patë se vitin e kaluar e kemi pasur forumin për barazi gjinore dhe gjithëpërfshirëse, por kësaj radhe kemi vendosur për këtë forum pikërisht për të ngritur disa tema me të cilat preokupohet komuniteti i sportit, të cilat i keni në rend të ditës", tha Hasani.

Kujtojmë se Java Evropiane e Sportit në Kosovë po mbahet për të dytën herë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat