Desku: Hezitimi i KOK-ut duke mos hartu plan konkret afatgjatë për sportin 

Sporti

Desku: Hezitimi i KOK-ut duke mos hartu plan konkret afatgjatë për sportin 

Nga: K.G. Më: 28 gusht 2020 Në ora: 18:09
Desku: Hezitimi i KOK-ut duke mos hartu plan konkret afatgjatë për sportin 

Trajneri i klubit të karatesë Peja, Baki Desku, është i shqetësuar me situatën që po kalon sporti i Kosovës në përgjithësi. Ai përmes një letre të hapur ka kërkuar një reagim më energjikë nga institucionet sportive dhe në përgjithësi të vendit tonë. 

“Kriza Pandemike dhe pasojat në Sport!
Pandemia ka kapluar botën duke infektuar popullatën dhe për fat të keq duke marrë edhe shumë jetë njerëzish gjithandej botës, e duke shkaktuar krizë globale ekonomike dhe kriza në të gjitha sferat e jetës, po ashtu edhe në sport.

Si qytetarë i thjeshtë i Republikës së Kosovës dhe pjestarë i komunitetit më të suksesshëm të shtetit (Komuniteti i Sportit),dhe si kontribues i madh i sportit qe 39 vite në vazhdimësi, së pari si garues, mandej si trajnerë dhe referë, jam i shqetësuar me rrjedhat, zhvillimet,dhe neglizhencën e njerëzve përgjegjës të shtetit dhe të sportit, të cilët që gjashtë muaj nuk kanë bërë asnjë veprim, plan apo strategji konkrete për të tejkaluar këtë krizë, e cila nëse vazhdon në këtë trend, sporti dhe sportistët do të shuhen gradualisht. 

Jemi dëshmitarë dhe po i përcjellim rrjedhat në media, kanale televizive dhe në jetën e përditshme, dhe na gëzon fakti që Ministria e arsimit ka dalë me plan konkret për fillimin e mësimit në disa nivele të klasave, por jemi të shqetësuar dhe të indinjuar skajshmërisht për sportistët dhe sportin.

Dihet që sporti është veprimtaria e vetme që shteti dhe qytetarët mund të mburrën dhe i bënë krenarë, sporti i jepi jehonë senzibilizuese si ambasador i vërtetë i shtetit tonë në arenën ndërkombëtarë me suksese kulminante, që shumë shtete na kanë lakmi.

Andaj për fat të keq Politika e dështuar nga zyrtarë politik të emëruar sa për ti rehatuar militantët në pozita te larta, staf përcjellës e këshilltarë, që s’kanë lidhje me sport, po ashtu edhe hezitimi i KOK-ut duke mos hartu plan konkret afatgjatë për sportin, po e çojnë sportin e klubet drejt shuarje dhe largimin e sportistëve e trajnerëve.

Prandaj kërkojmë nga krerët e shtetit, MSH, IKSHPK, MKRS dhe Komiteti Olimpik, që ti lënë kulltuqet, ti lënë promovimet, shetitjet, seminaret, ekspozimet në media, e gjërat tjera të panevojshme për momentin, ti përcjellin ngjarjet në rajon, ti analizojnë si po funksionojnë vendet e rajonit dhe urgjentisht të marrin masa dhe të reflektojnë për ta shpëtuar sportin, sepse për atë punë paguhen nga taksa e qytetarit dhe e kanë detyrë dhe obligim, përndryshe shumica e trajnerëve dhe sportistëve do të tërheqën dhe do të mbylljen klubet.

Veprimi dhe reflektimi i juaj i menjëhershëm, është ndërgjegja dhe detyra e juaj ndaj shtetit, sportit, trajnerëve dhe mijëra sportistëve!”, shkruan Msc Baki Desku, ndryshe është edhe instruktor i karatesë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat