KOK, edhe sa do t’i durojmë garat në Kosovë të zëdhënësve të Sllobodan Millosheviqit! 

Sporti

KOK, edhe sa do t’i durojmë garat në Kosovë të zëdhënësve të Sllobodan Millosheviqit! 

Nga: Kemajl Goca Më: 6 nëntor 2020 Në ora: 12:43
KOK, edhe sa do t’i durojmë garat në Kosovë të zëdhënësve të Sllobodan Millosheviqit! 

Durimi e ka një kufi! Federata e Futbollit të Kosovës është e pranuar në UEFA dhe FIFA, Federata e Basketbollit të Kosovës është e pranuar në FIBA Europe dhe FIBA, Federata e Hendbollit e Kosovës në EHF dhe iHF, Federata e Volejbollit të Kosovës në CEV dhe FIVB etj. 

Këto federata e kanë të drejtën e organizimit të garave në çdo pëllumb të tokës së Kosovës dhe jo edhe këlyshët dhe zëdhënëset e kryekasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviqit dhe bandat e Arkanit! 

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK), si institucioni më i lartë sportiv në Kosovë, a duhet të reagojë përballë këtyre garave që organizohen në Republikën e Kosovës nga Federata e Futbollit të Serbisë, ajo e basketbollit, e hendbollit, e volejbollit etj? A i takon apo jo? Normal që i takon dhe i takon edhe fortë, duhet të kërkojë  nga Ministria e Punëve të Brendshme që të ndërhyjë në të gjitha fushat sportive ku ka gara ilegale të organizuar nga ish zëdhënësi i Millosheviqit, Aleksandër Vuçiq. 

Të ndalen garat në një pjesë të Mitrovicës, në periferi të Prishtinës, si në Graçanicë, Lapla Sello, në anën e Anamoravës, se u bëtë rezil në shtetin tonë të njohur ndërkombëtarisht! Prej kujt po frikësohemi, prej kujt dreqit po fshiheni?  

Fakti që më çuditë më së shumti është Besim Hasani, ky burrë që ka qenë pjesë e pavarësimit të sportit të Kosovës, ka qenë në krye të KOK-ut nga viti 1996 dhe nuk u tremb kurrë nga bandat serbe, çfarë ka sot që po hesht, një Zot e di? A mos vallë është lodhur nga punët e shumta? Një Besim Hasani që e njoh, si trim, si shumë të guximshëm, si njeriu që ka dhënë shumë në vitet e 90-ta, që nuk u frikësua kurrë nga regjimit serb, sot po hesht!  

Po i drejtohem profesionalisht si Besim Hasani, se e ka postin më të lartë, se nesër nëse largohet apo rrëzohet nga KOK-u, atëherë do ta njoh si qytetar të thjeshtë dhe si kontribues, as që merrem me më të, se nuk është faktor pastaj. Por që është burrë i mirë, e dimë, por nuk e njohim si frikacak!  

KOK, boll i duruam garat e Serbisë. Nuk është mirë që në Kosovë erdhi e shkoi klubi i futbollit Slloboda e Uzhicës e dirigjuar nga nacionalisti Millovan Gjoriq,  tani pas pak ditëve vjen edhe Smederava, e mos t’i përmendi me radhë! A keni dëgjuar që në Slloveni ka gara në kuadër të Serbisë, ose në Maqedoni, ose në Mal të Zi, ose në Kroaci, ose në Bosnjë, përveç në shtetin e Kosovës. Kjo është anormale.

Po heshtin njerëzit që e dinë se çfarë ka bërë pushtuesi serb, si i ka ndërpre ndeshjet, si i ka marrë milicia serbe në biseda informative, si i ka maltretuar që besa disa edhe i ka rrahur  rëndë.

Fatmirësisht sot FFK-së ka Agim Ademin president, njeriu që dha kontribut në vitet e 90-ta, Arben Fetahu në krye të FBK-së, basketbollist i Gjeneratës së Republikës, Eugen Saraçini në krye të FHK-së, atëkohë gazetar i shquar kundër regjimit serb, Abedin Ibrahimi, në krye të FVK-së, ky i fundit e di fortë mirë si i ka mbajtur stërvitjet përreth kanalizimit të WC-ve ku edhe hundët të ziheshin nga era e rëndë, edhe aty i ka ndjekur milicia e regjimit kriminal serb, Arbër Grabovci, zëvendësministër në MKRS, futbollist i asaj kohe dhe shumë trim, etj.

Besim Hasani si president i KOK-ut, si burrë i Gjeneratës së Republikës, këta burra të lartpërmendur etj. sigurt do t'i keni me vete, edhe nuk e besoj që nuk të përkrahin mi ndaluar garat ilegale serbe. U bë boll më! Boll i duruam. Klubet serbe që ekzistojnë në Kosovë, le të luajnë në garat e shtetit të tyre, të Republikës së Kosovës, jo më në Serbi! Këtu është Kosovë dhe jo më të valojë Flamuri i Shumadijës sa herë t’i teket Draganit e Millovanit apo Zoricës dhe Dragicës!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat