Katër sporte të reja shtohen për LO Paris 2024, peshëngritjes dhe boksit i ulet kuota

Sporti

Katër sporte të reja shtohen për LO Paris 2024, peshëngritjes dhe boksit i ulet kuota

Më: 8 dhjetor 2020 Në ora: 17:19
Katër sporte të reja shtohen për LO Paris 2024, peshëngritjes dhe boksit i ulet kuota

Bordi Ekzekutiv (BE) i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON) ka marrë vendime të ndryshme për Lojërat Olimpike Paris 2024, të cilat do të mbahen në Paris të Francës në verën e vitit 2024.

BE i KON-it vendosi të shtojë në programin Olimpik për LO Paris 2024 katër sporte të reja.

‘Break-dance’, sërfi, ngjitja sportive dhe ‘skateboard’ do të garojnë për herë të parë në Lojërat Olimpike të vitit 2024, sporte këto të propozuara nga Komiteti Organizativ i “Paris 2024”. ‘Break-dance’ ka të bëjë me vallëzimin atraktiv në rrugë, kurse ‘skateboard’ përfshin ngasjen dhe performimin me skateboard.

Një tjetër vendim historik që u mor është ai për barazinë gjinore. Për herë të parë, në Lojërat Olimpike barazia gjinore e sportistëve do të jetë 50/50, shifër kjo që i kalon edhe Lojërat Olimpike Tokio 2020, që kanë 48.8 për qind të barazisë gjinore.

Po ashtu, është rritur numri i garave të përziera (mikse) nga 18 në 22 krahasuar me Tokio 2020.

Është ulur kuota e numrit të përgjithshëm të sportistëve në 1050, përfshirë sportet, që do të thotë se do të ketë ulje të përgjithshme të numrit të sportistëve për 592 më pak, krahasuar me Tokio 2020.

Ulja më e lartë e kuotës iu bë sportit të peshëngritjes, të cilëve u janë hequr katër gara nga programi, duke mbetur në pesë disiplina për gjini, me një kuotë totale prej 120 sportistëve, krahasuar me 196 me LO Tokio 2020.

Ulja e dytë më e madhe i është bërë sportit të boksit, të cilët do të kenë barazi të plotë gjinore në pjesëmarrjen e sportistëve dhe kjo do të ndodh për herë të parë. Boksi do të ketë shtatë kategori olimpike për meshkuj dhe gjashtë për femra.

“Me këtë program, ne po i bëjmë Lojërat Olimpike Paris 2024 të përshtatshme për botën pas koronavirusit. Ne po ulim më tej koston e Lojërave. Po ashtu, do të arrijmë për herë të parë në histori numrin e njëjtë të barazisë gjinore”, deklaroi presidenti i KON-it, Thomas Bach.

KON-i vlerësoi lartë edhe angazhimin e Federatës Botërore të Atletikës për të arritur barazinë e plotë gjinore si në kuotat e sportistëve, ashtu edhe në numrat e garave. Sidoqoftë, për të mos rritur numrin e përgjithshëm të sportistëve në Lojërat Olimpike Paris 2024, BE i KON-it vendosi të mbajë të njëjtin numër të garave të atletikës (48) si në programin Olimpik të Tokio 2020, ndërsa i ofroi mundësinë Federatës Botërore të Atletikës për të zëvendësuar garën e meshkujve në 50 kilometra ecje në këmbë me ndonjë prej garave të reja mikse, shkruan në faqen e KOK-ut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat