Vigan Qorrolli me lot në sy per vdekjen e mikut të tij: Avni Shabani m’i hapi dyert...

Sporti

Vigan Qorrolli me lot në sy per vdekjen e mikut të tij: Avni Shabani m’i hapi dyert...

Nga: K.G. Më: 16 dhjetor 2020 Në ora: 12:33
Avni Shabani

Mbrëmë në orët e vona, ndërroi jetë gazetari i mirënjohur sportiv Avni Shabani!

Vdekja e tij ka tronditur të gjithë, një personalitet i veçantë, një kontribues i madh jo vetëm sportiv, sidomos në vitet më të rënda, në kohën e Gjeneratës së Republikës, përveç si gazetar, në lokalin e tij janë mbajtur edhe mbledhjet e sportit kundër regjimit kriminal serb.

Analisti politik, Vigan Qorrolli, është i pikëlluar për vdekjen e Avniut, njeriu që ia hapi dyert...

Image

Vigan Qorrolli

 “Ishte qershori i vitit 2001, kur unë tashmë i kisha bërë dy vite “përvojë” në gazetari. Përvojë i thënçin në moshën e një tinejxheri ferizajas, që besonte se sporti dhe shoqëria jonë, do zhvilloheshin hovshëm me ardhjen e lirisë. Sporti dhe shoqëria janë ende në atë stad, me farë pak përmirësime.

Si drejtor i Radio Ferizajt në vitin 2001, gazetari shumëvjeçar i sportit në Rilindjen mitike, Avni Shabani, m’i hapi dyert e Radios dhe zyrën e tij të Drejtorit ma la në dispozicion 24 orësh — për t’i dërguar me “fax” shkrimet e mia në gazetën Kosova Sport në Prishtinë. Po po me fax, meqë interneti ende ishte në fazën e tij modeste të zhvillimit në Kosovë. 

Ai me këshillat e tij të supervlefshme për gazetarinë sportive por edhe për egërsinë e kolegëve — ishte i pari që më bënte derman.

Më pas, Avniu, u bë Drejtor në Komunën e Ferizajt i Kulturës, Rinisë dhe Sportit. 

Ishte i veçantë në sjellje. Djalë shembull për krejt qytetin. Edhe më i veçantë ishte me bohemllëkun e tij. Shpesh takoheshim më pas për ndonjë teke raki, që aq shumë e adhuronte.

Me vonë, kur erdhi të jetojë në Prishtinë, më rrallë takoheshim, mbase dinamika e jetës e bëri të vetën.
Deri para disa muajsh, kur edhe u pensionua, ishte gazetar i sportit në Radio Kosovë.

Kisha nderin të jem mysafir në komentim dhe analizim së bashku në Radio në ndeshjen çerekfinale të Kupës së Botës 2014 ndërmjet Francës dhe Gjermanisë (0:1).

Mbrëmë e kuptuam me zemërim dhe keqardhje të thellë së Avniu e ka humbur betejën me poshtërsinë kryesore të njerëzimit për këtë vit (C19).
Ferizaj humbi një njeri shembullor, e familja udhërrëfyesin e saj.
Familjes së madhe Shabani (Kongjeli) ju shprehi ngushëllimet e mia më të thella. Avni, mik — pusho i qetë”, ka shkruar Vigan Qorrolli në profilin e tij në facebook.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat