KON inkurajon sportistët dhe zyrtarët të vaksinohen

Sporti

KON inkurajon sportistët dhe zyrtarët të vaksinohen

Më: 27 janar 2021 Në ora: 12:09
Besim Hasani

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (KON) ka inkurajuar delegacionet e ekipeve olimpike kombëtare të marrin vaksinat anti-Covid 19, para se të udhëtojnë për në Tokio të Japonisë, ku prej 23 korrik – 8 gusht 2021 do të mbahen Lojërat Olimpike Verore Tokio 2020.

Një deklarim i tillë është bërë gjatë takimit online të presidentit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON), Thomas Bach, me 206 presidentët e Komiteteve Olimpike Kombëtare, ku u diskutuan përgatitjet për LO Tokio 2020 dhe Lojërat Olimpike Dimërore

“KON do të punojë ngushtë me Komitetet Olimpike Kombëtare për të inkurajuar dhe ndihmuar sportistët, zyrtarët dhe palët tjera të interesit për t’u vaksinuar në vendet e tyre, në përputhje me udhëzimet kombëtare të imunizimit, para se të udhëtojnë drejt Japonisë. Vaksinimi do të bëhet për të pasur një mjedis të sigurt gjatë Lojërave, por edhe për hir të respektit ndaj popullit japonez, i cili duhet të ndihet i sigurt se gjithçka po bëhet për të mbrojtur jo vetëm pjesëmarrësit, por gjithashtu edhe vetë popullin e Japonisë”, thuhet ndër të tjera në deklaratën për media të KON-it.

Sipas presidentit Bach, vaksinimi nuk do të jetë i obligueshëm.

“KON udhëhiqet nga katër parime: Së pari të organizojë Lojërat Olimpike në një mjedis të sigurt për të gjithë. Së dyti, përparësia e vaksinimit duhet t’u jepet grupeve të cenueshme, infermierëve, mjekëve dhe të gjithëve që po i mbajnë njerëzit tanë të sigurtë. Së treti, ne inkurajojmë të gjithë pjesëmarrësit olimpikë dhe paralimpik, të cilëve u ofrohet vaksinimi ta pranojnë atë. Së katërti, vaksinimi nuk do të jetë i detyrueshëm”, theksoi Bach.

Në takimin online me presidentin Bach dhe zyrtarët tjerë të lartë të KON-it, mori pjesë edhe presidenti i KOK-ut, Besim Hasani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat