Ismet Karaxha - veprimtar i dalluar në Gjeneratën e Republikës

Sporti

Ismet Karaxha - veprimtar i dalluar në Gjeneratën e Republikës

Nga: Kemajl Goca Më: 6 shkurt 2021 Në ora: 13:17
Ismet Karaxha - veprimtar i dalluar në Gjeneratën e Republikës

Vitet që nuk harrohen kurrë, janë vitet e 90-ta (1991-1999), kur shqiptarët e Kosovës përjetuan torturat me çnjerëzore nga pushtuesi serb.

Sportistët dhe veprimtarët sportivë, si asnjëherë më parë u organizuan në çdo aspekt dhe i formuan garat e pavarura të Republikës së Kosovës, duke iu thënë një herë e përgjithmonë jo garave me ish Jugosllavinë dhe me klubet e Serbisë.

Ismet Karaxha i takon Gjeneratës së Republikës. Ai ka qenë ndër veprimtarët më të dalluar, duke mos kursyer as markën e fundit në shërbim të sportit. 

Në atëkohë ka qenë kryetar i klubit të atletikës Prishtina, nënkryetar i Lidhjes së Sporteve të Prishtinës dhe në bazë të mundësive i ka ndihmuar financiarisht (në vitet e 90-ta) edhe sportet tjera, si futbollin, basketbollin, atletikën etj.

Nuk u ndal asnjëherë përkundër kërcënimeve nga sigurimi shtetëror serb. Ai, me mijëra sportistë shqiptarë i rezistuan fuqishëm okupatorit serb, duke i zhvilluar garat e Kampionatit të Kosovës në ara dhe fusha të improvizuara, edhe aty shumë herë janë përndjekur, u morën në biseda informative, u arrestuan, që besa disa edhe janë burgosur në disiplinat e ndryshme sportive. 

Karaxha është prej figurave më të respektuara sportive në Kosovë, një personalitet i rrallë, i qetë, me vizione të qarta dhe që i dha shumë sportit, që edhe sot është kryetar i KA Prishtina, ndërsa në vitet e pasluftës, shumë vite kryetar i klubit të basketbollit Prishtina, duke shënuar suksese të mëdha, fitoi shumë tituj e Kupa, nga kryetarët më të mirë që kishte ky kolektiv.

Sot jeton një jetë të qetë, ndihet krenar që dha aq sa mundi në vitet më të vështira, kur jeta ishte në rrezik në çdo sekondë, së bashku me shumë veprimtarë tjerë e sfiduan agresorin serb deri në pikën e fundit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat