Shpallen sportistët më të mirë të vitit “Laureatët 2020”

Sporti

Shpallen sportistët më të mirë të vitit “Laureatët 2020”

Më: 22 shkurt 2021 Në ora: 19:05
Foto ilustrim

Komiteti Olimpik i Kosovës ka mbajtur ceremoninë e ndarjes së çmimeve për sportistët më të mirë të vitit “Laureatët 2020”

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin, Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës Avdullah Hoti, Ministrja në detyrë për Kulturë Rini dhe Sport Vlora Dumoshi, Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës Besim Hasani, xhudistja Majlinda Kelmendi e personalitete të tjera nga fusha të ndryshme.

Më këtë rast, Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, tha se përkundër angazhimit të madh të Kosovës për të ndihmuar sportistët, asnjëherë nuk iu dalin hakut atyre dhe sakrificës që ata e bëjnë.

Hasani: Asnjëherë nuk mund t’iu dalim hakut sportistëve dhe sakrificës së tyre

“ Si shoqëri dhe si organizata sportive vërtet mundohemi të bëjmë më të mirën për sportistët e Kosovës, për trajnerët dhe administratorët, por më lejoni të konstatoj bazuar në përvojën time të gjatë në lëvizjen olimpike se përkundër që Kosova bënë shumë për sportistët, më shumë se pjesa dërmuese e shteteve të botës, ne asnjëherë nuk iu dalim hakut sportistëve dhe sakrificës së tyre. Sportistët elitar me trajnerët e tyre ushtrojnë me intensitet të plotë deri në katër herë nga dy orë brenda një ditë, nuk gabohem, katër herë brenda ditës nga dy orë....Prandaj jemi këtu sot në këtë solemnitet të iu themi sportistëve faleminderit për djersën dhe sakrificën, faleminderit trajnerëve tuaj, familjeve tuaja të respektuara. Sportistë të nderuar, jemi të vetëdijshëm se nuk mund t’iu dalim hakut, por do të përpiqemi, do të përkujdesemi për kompensimin e pjesë tuaj akademike. Do të bëjmë marrëveshje te veçanta më rektorët e universiteteve publike, private që të ndiqni ligjëratat online. Do te përpiqemi të jeni të punësuar në ambasada, në dogana, në polici e ushtri.”, deklaroi Hasani.

Ndërsa kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti tha emrin e Kosovës gjithmonë e kanë lartësuar sportistët tanë, më shumë se politikanët duke filluar nga ata të viteve të 80-ta të cilët kanë vendosur standarde të larta.

Hoti: Kosovën e ka lartësuar më shumë sporti se sa politika:

“Emrin e Kosovës gjithmonë e kanë lartësuar sportistët tanë më shumë së politikanët dhe kjo është e vërtetë duke filluar prej prej sportistëve të viteve të 80-ta të cilët kanë vendosur standarde të larta. Më kujtohet me këtë rast boksi me Mehmetin me Azizin me Hashanin, Gashin... e plotë të tjerë, pastaj në futboll me Vokrrin e më shumë të tjerë.... Padyshim pjesa më e ndritshme është periudha e pasluftës ku sportistët tanë në të gjitha anët e globit e kanë përfaqësuar Republikën e Kosovës dhe na kanë nderuar duke prezantuar flamurin tonë shtetëror të Kosovës së pavarur edhe në ato vende ku Kosova nuk është njohur si shtet i pavarur.”, deklaroi Hoti.

Trajneri u xhudos Driton Kuka kërkoi nga organet shtetërore një përkujdesje më të madhe për sportistët e Kosovës edhe pas përfundimit të karrierës së tyre në mënyrë që të mos mbesin në mëshirën e Kohës.

Kuka: Shteti të përkujdeset për sportistët edhe pas përfundimit të karrierës së tyre.

“Sportistët sot pas përfundimit të karrierës kanë nevojë për mbështetje që të mos mbesin rrugëve. E thanë që për sportin është e nevojshme që sportistët, ata që kanë nivel te lartë, të fitojnë punësim në polici, në ushtri, dogana e të tjera, siç është në shumicën e shteteve sepse është e papranueshme njerëzit si Majlinda kur ta përfundon karrierën....të mbesin rrugëve mandej në mëshirën e kohës nuk është në rregull kështu që po besoj që kjo është për këtë legjislacionin e ri, ose kuvendin që t’i shtyjë gjërat përpara.”, tha Kuka.

Basketbollisti Dardan Berisha i cili mori çmimin si sportisti më i mirë i vitit 2020, duke folur për KosovaPress theksoi se ky çmim ka një vlerë të madhe për të dhe që e motivon shumë për të punuar edhe më shumë në të ardhmen.

Berisha: Ky çmim më motivon për të punuar edhe më shumë për të ardhmen

“Normal është një çmim shumë, diçka me vlerë për mua, një moment që ndoshta nuk kam me e harruar. Faleminderit shumë Komitetit Olimpik për çmimin. Për mua është një motiv shumë i madh për të punuar për të ardhmen edhe për ta prezantuar Kosovën sa më mirë. Do ta kisha falënderuar edhe familjen time që kanë qenë përkrahës gjithmonë.”, tha Berisha.

Këto ishin të gjitha çmimet e ndara sot në ceremoninë “Lauratët 2020”:

Çmimin Shpresat Olimpike për vitin 2020 për femra e mori xhudistja Laura Fazliu, çmim ky i cili u nda nga drejtoresha e Agjensisë se Lajmeve KosovaPress, Suzana Hashani.

Çmimin Shpresa Olimpike 2020 për meshkujt e fitoi Betim Maliqi nga Federata e Karatesë

Çmimin për arritje speciale në sport për vitin 2020 e mori Latif Demolli nga Federata e Boksit të Kosovës.

Kombëtarja më e mirë e vitit për vajzat u shpall Kombëtarja e Futbollit të Kosovës.

Kombëtarja e Kosovës në basketboll u shpall si më e mira nga të gjitha kombëtaret tjera në kategorinë e meshkujve.

Trajneri më i mirë i vitit shkoi për trajnerin e xhudos, Driton Kuka

Sportisti i vitit 2020, Dardan Berisha, basketbollist

Sportistja më e mirë e vitit 2020 u shpall xhudistja Distria Krasniqi

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat