​Krasniqi e Gjakova premtojnë medalje të tjera për Kosovën në të ardhmen

Sporti

​Krasniqi e Gjakova premtojnë medalje të tjera për Kosovën në të ardhmen

Më: 9 gusht 2021 Në ora: 16:36
Foto nga vendi i ngjarjes

Me anë të një ceremonie solemne, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta vlerësoi sot me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” dy xhudistet kampione nga Kosova, fituese të “Medaljes së Artë” në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”, D’Istria Krasniqi dhe Nora Gjakova, si dhe trajnerin e tyre, Driton (Toni) Kuka.

Ai vlerësoi lartë arritjet e këtij ekipi duke thënë se kjo është rezultat i një strategjie dhe një pune të jashtëzakonshme të bërë për vite me radhë.

Meta: Sukseset e arritura janë si rezultat i një strategjie dhe një pune të jashtëzakonshme

“Kur Majlinda Kelmendi mori medalje e artë në Rio të gjithë u habitëm dhe sigurisht që ishte një ngjarje e jashtëzakonshme sepse ishte hera e parë që Kosova prezantohej në një event të tillë me shumë sukses duke tërhequr mjaftë vëmendje. Por tani kur kemi dy të arta nga Tokio sigurisht që nuk kemi të bëjmë thjeshtë me një ngjarje, nuk kemi të bëjmë thjeshtë me një talent të jashtëzakonshëm siç ishte edhe siç është Majlinda Kelmendi, por kemi të bëjmë me një projekt të jashtëzakonshëm. Kemi të bëjmë me një vazhdimësi, kemi të bëjmë me një strategji dhe kemi të bëjmë me një punë jashtëzakonisht profesionale por edhe shkencore:. tha Meta

Tutje, Meta tha se me sukseset e arrituar në “Tokio 2020”, Distrie Krasniqi dhe Nora Gjakova i kanë treguar botës fuqinë dhe ambiciet që i ka Kosova si shtet, madje ato kanë dërguar një mesazh të fuqishmë edhe tek shtetet që ende nuk e kanë njohur Kosovën.

Meta: I keni treguar botës fuqinë e Kosovës

“Unë dua të shpreh falënderimin më të përzemërt për Distrie Krasniqin, për Nora Gjakovën dhe për Driton Kukën, ndaj unë dua të shpreh falënderimet më të përzemërta për gjithë këtë punë të jashtëzakonshme, për këtë arritje madhështore të sportit të xhudos, për këtë diplomaci të jashtëzakonshme sportive që ju keni bërë ashtu sikurse edhe aderimi dhe prezantimi me sukses i Kosovës edhe në UEFA dhe FIFA edhe këto triumfe, këto fitore, këto medalje të arta kanë dhënë një kontribut të shkëlqyer për imazhin e Kosovës, për të shtuar respektin ndaj saj në botë edhe ne ato vende që ende nuk kane njohur sepse kanë njohur fuqinë dhe ambicien e këtij vendim përmes këtyre shqiponjave si Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova dhe gjithë ekipi i tyre i shkëlqyer.”, theksoi Meta.

Medalistja e artë Distrie Krasniqi, pas pranimi të çmimi “Nderi i Kombit”, tha se për atëky çmim ka vlerë më shumë se të gjitha medaljet e fituara deri më tani dhe se me suksesin e arritur ajo e ka bërë krenar gjyshin e saj për të cilin thotë se ka bërë shumë sakrifica dhe kontribute për çështjen kombëtare.

Krasniqi: Ky çmim vlen më shumë se të gjitha medaljet që i kam fituar

“Sot ndihem shumë e vlerësuar që po dekorohem me këtë çmim si “Nderi i kombit Shqiptar”. Për mua kjo vlen më shumë se medalja olimpike dhe më shumë se të gjitha arritjet dhe medaljet që i kam pasur deri sot. Unë dhe familja ime ndihemi shumë të nderuar dhe jam shumë e sigurt që gjyshin im i ndjerë pas gjithë sakrificave dhe pas gjitha kontributeve për çështjen kombëtare dhe për flamurin tone kuqezi sot mbesa e tij dekorohet si nderi i kombit shqiptar. Falemnderit shumë për vlerësimin dhe do premtoj që do punoj shumë që gjithmonë ta përfaqësoj kombin tonë sa më denjësisht.”, tha Krasniqi.

Medalistaj tjetër e artë, Nora Gjakova me këtë rast tha se ajo është rritur me flamurin dhe himnin kombëtar dhe se dihet shumë kreane që e pranoi këtë çmim duke premtuar edhe medlaje të tjera në të ardhmen.

Gjakova: Unë dhe ekipi ynë do të vazhdojmë të sjellim medalje të reja

“Në këtë fjalim të shkurtër dua ta falënderoj presidentin Ilir Meta për respektin që tregoi sot për ne, ndihem shumë krenare që po e pranoj titullin nderi i kombit. Unë jam rritur me flamurin dhe himnin kombëtar dhe ndihem krenare që kam arritur ta përfaqësoj denjësisht popullin shqiptar në nivelim më të lartë që mund të arrihet në sport... Shpresojë që unë dhe ekipi ynë do të vazhdojmë t’iu sjellim medalje të reja.”, tha Gjakova.

Në fund, trajneri Driton Kuka falënderoi presidentin Ilir Meta duke shtuar se suksese e arritura nga ekipi i tij janë për të gjithë popullin shqiptar kudo që ata ndodhen.

Kuka: Nuk kam fjalë që ta përshkruaj nderin që po më jepet me këtë çmim

“I nderuar president i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta. Ku ka më mirë se në prapavinë tonë të gjendet flamuri kuqezi edhe në çdo prononcim timin gjithmonë edhe në të kaluarën kur Majlinda është bërë kampione olimpike edhe tash kur janë tri kampione Olimpike gjithmonë e kam potencuar që këto janë medalje për mbarë popullin shqiptar. Padrejtësitë historike besoj se me kohë do të zhduken por kjo është me te vërtetë ndjenje e jashtëzakonshme që po dekorohemi prej jush me titullin më të lartë të popullit shqiptar dhe kjo nuk ka fjalë që e përshkruan kënaqësinë edhe ndjenjat e mia kështu që jam shumë falënderues dhe iu premtoj që do të vazhdojmë tutje që me sukseset tona ta bëjmë krenar popullin shqiptar kudo që është.”, tha Kuka.

Ndryshe, Kosova rrëmbeu dy medalje të arta në Lojërat Olimpike “Tokio 2020” dhe u rendit si e 42-ta në renditjen totale bazuar në trofetë e fituata nga të gjitha shtete pjesëmarrëse.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat