Polemika dhe kritika për Olimpiket e Pekinit

Sporti

Polemika dhe kritika për Olimpiket e Pekinit

Më: 12 gusht 2021 Në ora: 19:51
Olimpiket e Pekinit

Skandalet dhe polemikat lidhur me Lojrat Olimpike nuk janë të pazakonta. Por nuk ndodh shpesh që një vend organizator të jetë nën akuza për gjenocid. Pikërisht një situatë e tillë shpaloset ndërsa bëhen përgatitjet për Olimpiket Dimërore të vitit 2022. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Bill Gallo njofton:

Pas pak muajsh Kina do të hapë Lojërat Olimpike Dimërore. Për shumë akttivistë të të drejtave të njeriut, ky moment nuk meriton të festohet. Fakti që Kina është organizatore e Lojërave 2022 ka zgjuar polemika të zjarrta.

Kina ka izoluar mbi 1 milion myslimanë ujgurë në kampe internimi, të njohura si qendra riedukimi në provincën Xinjiang. Shumë janë burgosur thjesht se mbajnë mjekërr apo se lexojnë Kuranin. Disa grupe për të drejtat e njeriut e cilësojnë këtë politikë si gjenocid.

Por shefi i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar Thomas Bach thotë se organizata që ai drejton nuk merret me këto çështje, pasi Lojrat Olimpike nuk janë politike.

“Si organizatë jo-qeveritare nuk kemi as mandatin dhe as kapacitetin të ndryshojmë ligjet e një vendi sovran. Ne nuk mund të zgjidhim problemet e të drejtave të njeriut, të cilat nuk i kanë zgjidhur dot gjenerata të tëra politikanësh”.

Por shumë ujgurë ndjehen të ofenduar nga ky arsyetim.

“Më lejoni t’ju drejtoj pyetjen: a është gjenocidi temë politike? A janë përdhunimet masive të grave të pafajshme problem politik? Jeta në një skëterrë orvelliane nën përgjim dhe ku miliona vetë janë në kampe përqëndrimi, po kjo, a është temë politike?” pyet aktivistja Rushan Abas.


Rushan Abas është e përkatësisë ujgure. Motra e saj, mjeke në pension, u burgos nën akuzat për terrorizëm.

Që nga ai moment, zonja Abas filloi aktivizmin. Olimpiket janë në shenjestrën e punës së saj. Ajo ka bërë thirrje për bojkotimin e tyre, megjithëse kjo pengon konkurrimin e shumë sportistëve.

“Kur flitet për faktin se atletët do të humbasin shansin për të konkurruar, kemi harruar faktin se shumë ujgurë kanë humbur të gjithë familjen. Shumë ujgurë po vdesin. U kanë marrë pronat, nderin, madje edhe jetën,” thotë zonja Abas.

Organizata Human Rights Watch u ka bërë thirrje diplomatëve dhe zyrtarëve të tjerë ta bojkotojnë këtë aktivitet.

“Nëse shkojnë për të ndjekur garat do të përdoren nga qeveria kineze si mjet për të legjitimizuar krimet e tyre kundër njerëzimit dhe shumë shkelje të tjera të të drejtave të njeriut,” thotë aktivistja Yaqiu Wang.

Nuk është e qartë se ç’përmasa do të marrë bojkoti. Por Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka theksuar se do të qëndrojë neutral.

“Ata nuk e kanë kritikuar haptazi Pekinin për shkeljet e të drejtave të njeriut, aq më pak të ngrenë mundësinë e zhvendosjes së Lojërave në një vend tjetër. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar deri tani nuk ka bërë asnjë veprim domethënës,” thotë zonja Wang.

Në fillim të vitit 2022 do të hapen Olimpiket Dimërore të Pekinit, nën një hije të errët polemikash e kritikash./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat