Këshilli Kombëtar për Parandalimin e Dhunës në Sport njoftoi federatat me rregulloren për eliminimin e dukurive negative në sport

Sporti

Këshilli Kombëtar për Parandalimin e Dhunës në Sport njoftoi federatat me rregulloren për eliminimin e dukurive negative në sport

Më: 31 korrik 2018 Në ora: 15:34
Këshilli Kombëtar për Parandalimin e Dhunës në Sport njoftoi federatat me rregulloren për eliminimin e dukurive negative në sport

Këshilli Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në ngjarjet sportive ka takuar përfaqësuesit e federatave sportive në Kosovë, të cilët i njoftoi me rregulloren për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës dhe dukurive negative në sport.
Rregullorja në fjalë është nënshkruar muajin e kaluar nga Ministri për Kulturë, Rini e Sport, Kujtim Gashi. 
Ky Këshill, i cili është organ i përhershëm me përfaqësim ndërinstitucional përbëhet nga Besim Kelmendi nga Prokuroria e Shtetit, i cili edhe është kryetar i Këshillit Kombëtar, Besim Hasani, president i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Afrim Ahmeti nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, Feim Hoxha dhe Daut Thaçi nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Kryetari i këtij Këshilli, Besim Kelmendi, i njoftoi me detajet e kësaj rregullore dhe kërkoi nga federatat që ta njoftojnë Këshillin Kombëtar në lidhje me organizimin e ngjarjeve, në të cilat konsiderojnë se mund të hasin në rrezikshmëri të lartë apo edhe në ndonjë dukuri negative.
Presidenti i KOK-ut, Besim Hasani, vlerësoi lart organizimin e këtij këshilli, derisa kërkoi që në ngjarjet e organizuara të lihet një vend i veçantë edhe për Këshillin Kombëtar, me qëllim që të ketë një pamje të mirë dhe rasti i mundshëm i dukurisë negative të zbardhet më lehtë.
Këshilli përmendi edhe rastin e trukimit të ndeshjeve sportive, për çka kërkoi nga federatat dhe personat tjerë që të njoftohet paraprakisht Këshilli Kombëtar, në mënyrë që një ndeshje e trukuar të parandalohet ose të hetohet nga Prokuroria, në rast se ajo ndodh.
Rregullorja dhe formimi i Këshillit Kombëtar u mirëprit nga përfaqësuesit e federatave, të cilët uruan që bashkërisht të zbardhin rastet e dukurive negative në ngjarjet sportive.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat