Ekipi Olimpik i Kosovës do të përfaqësohet me pesë sportistë në Lojërat Olimpike për të rinj (LOR), Buenos Aires 2018, të cilat mbahen prej 6-18 tetor në Argjentinë. Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka marrë konfirmimin nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (KON) për pesë sportistë të pesë sporteve të ndryshme. Pas xhudistes Erza Muminoviq, e cila është e vetmja që ka fituar normën Olimpike Tokyo 2020, Kosovën në Buenos Aires 2018, do ta përfaqësojnë edhe katër sportistët tjerë: Melisa Zhdrella (not), Erdonis Maliqi (boks), Muhamet Ramadani (atletikë) dhe Bleron Fetaovski (peshëngritje).
Erza është kampione e Evropës për U-18, pas medaljes së artë të fituar në Sarajevë të Bosnjë e Hercegovinës, në qershor të këtij viti. Zhdrella, Maliqi dhe Fetaovski janë ftuar nga KON-i në bazë të kriterit të univerzalitetit (komisioni tre palësh: Solidariteti Olimpik i KON-it, Federata Ndërkombëtare përkatëse dhe ANOC), kurse Ramadani është ftuar nga Federata Evropiane e Atletikës. Ai garon në hedhje të gjyles 5 kilogramë. Bashkë me sportistët në Buenos Aires 2018 do të udhëtojnë edhe trajnerët. Të drejtë pjesëmarrje në LOR kanë sportistë të moshës 14-18 vjeçare. Ekipi Olimpik i Kosovës do të përfaqësohet për herë të parë në Lojërat Olimpike për të rinj, në të cilat synon të fitojë medalje. Sportistët që do ta përfaqësojnë Kosovën: Erza Muminoviq, xhudo (kategoria -44 kg); Bleron Fetaovski, peshëngritje (kategoria -77 kg); Erdonis Maliqi, boks (kategoria -64 kg); Muhamet Ramadani, atletikë, (hedhje e gjyles 5 kg); Melisa Zhdrella, not (50 m. bretkocë, 50 m. krol).