KOK-u sugjeron federatat se si të veprojnë kundër garave ilegale sportive serbe në Kosovë!

Sporti

KOK-u sugjeron federatat se si të veprojnë kundër garave ilegale sportive serbe në Kosovë!

Nga: Kemajl Goca Më: 29 gusht 2018 Në ora: 16:52
Besim Hasani

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK-u), para pak kohe, iu është drejtuar me një letër secilës federatë sportive në Kosovë, duke i sugjeruar konkretisht se si të veprojnë në lidhje me garat që organizohen ilegalisht nga klubet serbe në territorin e shtetit të Kosovës. Siç merret vesh, asnjë federatë nuk ka kthyer ndonjë përgjigje në drejtim të KOK-ut dhe as që kanë ndonjë plan-veprimi! Megjithatë, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, ka kërkuar nga federatat që të veprojnë dhe ai si Komitet do t’ju qëndrojë pas.

Deri me tash federatat po heshtin dhe askush nuk e di se si do të veprojnë edhe gjatë këtij edicioni të ri, kur klubet nga Serbia po futen brenda territorit tonë si në bahçe të babës dhe i zhvillojnë aktivitetet në kuadër të Serbisë.  Në letrën që kemi siguruar, që iu është dërguar federatave, KOK-u ju ka bërë të qartë plan-veprimin federatave.

“Nisur nga fakti se kohëve të fundit është ngritur si shqetësim mediatik organizimi i ligave dhe garave sportive në Kosovë nga shteti fqinjë Serbia, ku përgjegjës për organizimin e garave të tilla janë vetëm organizatat sportive të Kosovës, respektivisht federatat sportive të Kosovës, një shqetësim të tillë e ndanë edhe KOK-u.  

Bazuar në këtë fakt, të bashkëngjitur po ju përcjellim letrën sqaruese se si të veprohet, nëse ndonjërës nga federatat i cenohet e drejta e saj për organizimin e garave në territorin e Republikës së Kosovës, konkretisht në pjesët e banuara me popullsi jo shqiptare. Andaj, kërkojmë nga ju që të përfillen sugjerimet e shënuara në letrën e KOK-ut. Komiteti Olimpik i Kosovës ka gatishmërinë t'i mbështes federatat për ndalimin e proceseve të tilla që cenojnë integritetin sportiv në shtetit tonë”, thuhet nga KOK-u.

Image

Letra e KOK-ut drejtuar federatave tona sportive

"Komiteti Olimpik i Kosovës me shqetësim të madh po i ndjek shkrimet e fundit të mediave në lidhje me zhvillimin e garave sportive të vendit fqinj, Serbisë, në territorin e Republikës së Kosovës, përmes të cilave po cenohet sistemi sportiv i vendit tonë. Prej vitesh klube të ndryshme sportive nga Serbia, pa u penguar nga askush zhvillojnë gara në territorin e Republikës së Kosovës dhe ky trend për Komitetin Olimpik të Kosovës është i papranueshëm. Andaj, KOK kërkon nga federatat tona, të ndërmarrin masat e duhura si në vijim: Federatat duhet t'i drejtohen me shkrim Federatave përkatëse Ndërkombëtare, për marrjen e masave të duhura ndaj Federatave përkatëse të Serbisë, të cilat janë duke organizuar gara sportive në vendin tonë, për të cilat përgjegjëse janë vetëm federatat sportive të Kosovës.

Po ashtu, në CC të jenë të njoftuara edhe Komiteti Olimpik i Kosovës, Komiteti Olimpik i Serbisë dhe federatat përkatëse sportive të Serbisë. Nëse një gjë e tillë nuk ka rezultat, atëherë duhet t'i drejtohemi organeve përgjegjëse të Qeverisë së Republikës së Kosovës. KOK-u shpreh gatishmërinë të ndihmojë në këtë proces, në mënyrë që bashkërisht të ndalim cenimin e sistemit tonë sportiv”, me respekt Besim Hasani, kryetar i KOK-ut.   Kjo letër është dërguar me 4 prill të këtij vitit në adresë të federatave, por çuditërisht askush prej tyre nuk e ka pa të arsyeshme të konsultohet me KOK-un apo të ndërmarrin edhe ndonjë veprim ndaj garave ilegale serbe në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat