Kush është Bleron Fetaovski, që do ta përfaqësojë Kosovën në Buenos Aires?

Sporti

Kush është Bleron Fetaovski, që do ta përfaqësojë Kosovën në Buenos Aires?

Më: 25 shtator 2018 Në ora: 18:27
Kush është Bleron Fetaovski, që do ta përfaqësojë Kosovën në Buenos Aires?

Bleron Fetaovski është peshëngritësi i vetëm që do të përfaqësojë Kosovën në Lojërat Olimpike Verore për të rinj, Buenos Aires 2018, dhe njëri nga pesë sportistët që do të përfaqësojnë vendin tonë për herë të parë në Olimpiadën e të rinjëve.
Bleroni është ftuar me ftesë falë Univerzalitetit, bashkë edhe me tre sportistët tjerë: Melisa Zhdrella (not), Erdonis Maliqi (boks), Muhamet Ramadani (atletikë), ndërsa Erza Muminoviq (xhudo) ka fituar normën Olimpike.
17-vjeçari, Fetaovski, prej disa muajsh është duke u përgatitur për të pasur paraqitje sa më të mirë në ngjarjen më të madhe sportive për të rinj. Ai garon në kategorinë -77 kilogramë.
“Bleroni është kampion i Kosovës në peshëngritje për junior”, thotë Astrit Hasani, kryetar i Federatës së Peshëngritjes së Kosovës për faqen zyrtare të KOK-ut.
Ai tregon se si e ka zbuluar talentin e Bleronit. “Në vitin 2014 së bashku me trajnerin ndërkombëtar, Ilir Tafaram, e kemi identifikuar Bleronin në Shkollën Fillore Dardania në Prishtinë”.
Pas vetëm katër vitesh karrierë, Bleronit i është realizuar ëndrra për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike Verore për të rinj. “Jam shumë i lumtur që më është dhënë mundësia të jem pjesëmarrës në Lojërat e para Olimpike për të rinj, të parat për Kosovën. Synimi im është të kem paraqitje shumë të mirë”, shprehet shtatlarti, Fetaovski.
Bashkë me Hasanin, që është edhe trajner, si dhe peshëngritësin tjetër, Arbnor Krasniqi, Bleroni ka udhëtuar drejt Ankaras së Turqisë, për të zhvilluar një fazë përgatitore, falë mbështetjes që Komiteti Olimpik i Kosovës u ka dhënë federatave, sportistët e të cilave do të garojnë në Buenos Aires 2018.
“Përgatitjet në Ankara po shkojnë shumë mirë. Jemi duke ushtruar dy herë në ditë në klubin ku kanë stërvitur yjet e peshëngritjes, Naim Sylejmanoglu dhe Halil Mutlu”, shton Hasani, i cili pret që Bleroni ta thyej rekordin e tij personal në Buenos Aires 2018. Rekordi i Bleronit është 190 kilogramë në total.
“Përgatitjet po shkojnë shumë shumë mirë. Jam shumë i kënaqur. Kam ushtruar shumë edhe në Prishtinë dhe tani në Ankara”, thekson Bleroni, që është pjesë e klubit Prishtina.
Lojërat Olimpike Verore për të rinj mbahen prej 6-18 tetor 2018 në Buenos Aires të Argjentinës. Për ekipin Olimpik të Kosovës do të jetë pjesëmarrja e parë që prej anëtarësimit të Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, katër vjet më parë.
Letënjoftimi
Emri: Bleron
Mbiemri: Fetaovski
Datëlindja: 02/06/2001
Vendlindja: Prishtinë: 
Klubi: Prishtina
Kategoria: -77 kg
Suksesi: Kampion i Kosovës dhe Shqipërisë për të rinj 77 kg (21 prill 2018).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat