Vazhdon java evropiane e sportit në Mitrovicë

Sporti

Vazhdon java evropiane e sportit në Mitrovicë

Më: 28 shtator 2018 Në ora: 16:19
Kryetari i Federatës së Atletikës të Kosovës, Halil Sylejmani

Në kuadër të Javës Evropiane të Sportit të organizuar nga Federata e Atletikës, rreth 400 pjesëmarrës të grupmoshave dhe klubeve të ndryshme të Kosovës kanë garuar në disiplina të ndryshme të atletikës që u mbajt sot në qytetin e Mitrovicës.

Kryetari i Federatës së Atletikës të Kosovës, Halil Sylejmani, ka bërë të ditur për KosovaPress se Kosova di të organizojë ngjarje të tilla të mëdha, sepse ka atletë. Sipas tij, rezultatet nuk janë çfarë do të dëshiroheshin, andaj ka apeluar tek qeveria që të ndihmojë në krijimin e kushteve më të mira për këtë sport. Ai ka porositur të rinjt gjithandej Kosovës që të merren sa më shumë me sport, ngase siç u shpreh ai, sporti është shëndet, shoqërim, por edhe ambasadori më i mirë i një shteti.

Sylejmani: Sporti është ambasadori më i mirë i një shteti

“Sot do t’i tregojmë të gjithëve se ne dimë të organizojmë, kemi atletë, ndoshta rezultatet çfarë dëshirojmë nuk janë, por do të marrim pjesë në shumë disiplina siç bëjnë shumë federata në botë… Do ta ngre zërin për një të drejtë, sepse atletë ka, fëmijë të shëndoshë ka, besoj se edhe suksese në sport kishim me tregu, jo vetëm këtu po edhe jashtë, por kushtet nuk ekzistojnë e për të ekzistuar duhet të intervenojë qeveria e Kosovës. ..Sporti është shëndet, është shoqërim, sporti është ambasador më i mirë…Kisha lutur të gjithë, që jo vetëm në Mitrovicë, por në çdo lagje të merremi me sport. Kështu tregojmë se jemi të shëndoshë por edhe atdhetar, sepse njëherësh përfaqëson.. Kur ngritet flamuri i Kosovës, atëherë s’di çka duhet folur më tepër”, ka thënë Sylejmani.

Fituesit e tre vendeve të para në të gjitha disiplinat u shpërblyen me mirënjohje nga Federata e Atletikës së Kosovës. Ndryshe, Java Evropiane e Sportit që po mbahet për herë të parë në Kosovë dhe nën patronatin e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, është një organizim sportiv që mbahet në javën e fundit të muajit shtator edhe nëpër vende të ndryshme të Bashkimit Evropian. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat