Karateistët fituan pikë Olimpike në Madrid - Bota Sot
Karateistët fituan pikë Olimpike në Madrid

Sporti

Karateistët fituan pikë Olimpike në Madrid

Më: 8 nëntor 2018 Në ora: 12:59
Pamje nga një garë

Kombëtarja e Kosovës në karate ka mbyllur garat individuale në kampionatin botëror, që po mbahet në Madrid të Spanjës.Në një konkurrencë shumë të fortë, garuesit tanë kanë garuar në kategori të ndryshme, me synimin për të fituar sa më shumë pikë Olimpike për të zënë normën Olimpike Tokyo 2020.
Më i suksesshmi doli Alvin Karaqi në kategorinë -84 kilogramë. Karaqi fitoi tri luftëra, për t’u ndalur në luftën e katërt, nga turku Ugur Aktas, me pikë me epërsi, edhe pse rezultati ishte baras 2:2. Sipas Rregullores së pikëve Olimpike të Federatës Botërore të Karatesë (WKF), Karaqi ka fituar 456 pikë Olimpike, bazuar në kuotën 12 që ka kampionati botëror, duke llogaritur këtu edhe pikët e pjesëmarrjes dhe renditjen nga pozita 15-33. Alvini ishte në mesin e 18 më të mirëve.
Herolind Nishevci në kategorinë +84 kilogramë shënoi dy fitore, për t’u ndalur në të tretën. Ai përkundër se ishte i lënduar arriti të realizojë dy fitore, duke shtuar kështu në konton e tij edhe 300 pikë Olimpike.
Dy fitore realizuan edhe Elhami Shabani (-75 kg) dhe Orges Arifi (-60 kg), të cilët njësoj si Nishevci fituan nga 300 pikë Olimpike. Pikët zyrtare WKF do t’i publikojë më 1 dhjetor 2018.
Rruga për të zënë normën Olimpike Tokyo 2020 për karateistët mbetet ende e gjatë. Në karate, kategoritë Olimpike tek meshkujt janë: -67 kg, -75 kg, +75 kg dhe kata, ndërsa tek femrat: -55 kg, -61 kg, +61 kg. Dy karateistët tanë më të suksesshëm, Karaqi dhe Nishevci bëjnë pjesë në kategorinë e njëjtë Olimpike, +75 kg.
Nga garuesit tjetër, me një fitore e mbylli botërorin edhe Ylli Cenaj, në kategorinë -67 kg.
Humbje në luftën e parë pësuan: Adelina Rama (-61 kg), Gresa Zhitia (-65 kg), Diellza Dragusha (-68 kg), Fortesa Orana (+68 kg), si dhe Vlerona Shala (kata) e Argjend Berjani (kata).
Sot ekipi i Kosovës garon në ekipore në të dyja konkurrencat.
Drejtësinë në këtë botëror po e ndajnë edhe tre gjyqtarët tanë me licencë ndërkombëtare: Ardian Muhadri, Besart Vitia dhe Besim Ilazi. Botërori ka filluar më 6 nëntor, ndërsa mbyllet më 11 nëntor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...