IOC: Shtetet që s’garantojnë pjesëmarrjen e Kosovës, të mos aplikojnë fare për turne ndërkombëtarë

Sporti

IOC: Shtetet që s’garantojnë pjesëmarrjen e Kosovës, të mos aplikojnë fare për turne ndërkombëtarë

Më: 19 nëntor 2018 Në ora: 22:11
Sportistët e Kosovës

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) u ka dërguar sot një letër të gjitha federatave ndërkombëtare për të ritheksuar qëndrimin e vet për pjesëmarrjen e Kosovës nëpër gara ndërkombëtare.

Sipas një njoftimi publik, IOC-ja ka kërkuar që para se të caktohet ndonjë ngjarje sportive ndërkombëtare në një shtet, të gjithë organizatorët duhet të sigurohen duke marrë garancinë me shkrim nga autoritetet lokale se do të ketë liri dhe jo diskrimin.

Sporti fiton betejën ndaj politikës, Spanja lejon sportistët kosovarë me simbole shtetërore

“Kjo është me qëllim që të sigurohet trajtim i barabartë për të gjithë atletët pjesëmarrës dhe delegacionet sportive, në pajtim me parimet bazë të autonomisë dhe mosdiskriminimit, që udhëheqin Lëvizjen Olimpike”, thuhet në letrën e IOC-së.

Më pas është theksuar se “nëse kjo nuk është e mundur, apo ka dyshime, IOC-ja e ka bërë të qartë se çdo shtet që nuk ofron garanci për këto parime, do të përjashtojë veten nga e drejta e organizimit të një ngjarje sportive”.

AIBA i kërkon falje Donjeta Sadikut dhe Federatës për mos pjesëmarrjen në Botërorin në Indi

IOC ka përsëritur se asnjë organizatë sportive nuk duhet të kërkojë organizim të ngjarjeve sportive pa pasur përfundimisht të gjitha garancitë për mosshkeljen e këtyre parimeve.

“Ka pasur disa shembuj së fundmi për këtë çështje që u zgjodhën pa probleme dhe me sukses falë bashkëpunimit dhe qasjes së përbashkët mes IOC-së, Federatave Ndërkombëtare, dhe organizatorëve/autoriteteve lokale dhe komiteteve përkatëse. Shembulli më i fundit ishte në Spanjë, ku delegacioni sportiv i Kosovës ka hasur në vështirësi të vazhdueshme me pjesëmarrjen në disa ngjarje ndërkombëtare sportive të mbajtura aty. Qeveria e Spanjës tani ka siguruar se do të angazhohet për të garantuar pjesëmarrjen e atletëve kosovarë në ngjarjet sportive të organizuara në Spanjë nën kujdesin e IOC-së, siç ishte rasti i Lojërave Mesdhetare në Tarragona. Kjo do të thotë lehtësim për viza për pjesëmarrësit kosovarë dhe lejimin e përdorimit të simboleve kombëtare, flamurin e himnin, sipas protokollit olimpik. Shkurtimisht, ka siguruar se këta atletë do të marrin pjesë me të drejta të barabarta si të tjerët”, thuhet më tej në këtë letër, ku IOC-ja falënderon Komitetin Olimpik të Spanjës për qasjen dhe garancinë e dhënë.

IOC-ja në fund ka thënë se ka punuar për shumë vjet me federatat ndërkombëtare për të mbrojtur të drejtën e atletëve. “Kjo shkon përtej çdo konsiderate politike dhe përfshin drejtësinë dhe integritetin e garave sportive në pajtim me parimet fundamentale që qeverisin Lëvizjen Olimpike”, thuhet më tej në letër.

Sipas IOC-së, kur një organizatë kombëtare sportive aplikon për një organizim ndërkombëtar do të duhet të garantojë se të gjithë atletët janë të lirë të garojnë dhe nuk duhet të bëjë diskriminim apo të lejojë ndërhyrje politike. Në këtë pikë, IOC-ja thotë se nëse përsëriten raste të tilla kur një shtet/territor nuk njihet nga shteti nikoqir, do të merren masat e duhura nga organizatorët për të siguruar që pjesëmarrja e këtyre atletëve do të jetë në kushte të njëjta si e çdokujt tjetër. IOC-ja ka përsëritur se çështja politike është e ndarë nga sporti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat