Në natën e dytë të Festivalit “Talia e Flakës” u dha shfaqja “I vetëm në banesë” - Bota Sot
Në natën e dytë të Festivalit “Talia e Flakës” u dha shfaqja “I vetëm në banesë”

Teatri

Në natën e dytë të Festivalit “Talia e Flakës” u dha shfaqja “I vetëm në banesë”

Më: 25 janar 2019 Në ora: 09:55
“I vetëm në banesë”

Festivali i Dramës Shqipe “Talia e Flakës”, që po mbahet në kuadër të manifestimit mbarëkombëtar “Flaka e Janarit”, ka vazhduar ta tërheqë vëmendjen e publikut edhe në natën e dytë, pasi salla sërish ishte e mbushur me adhurues të artit skenik.

Radha ishte për nikoqirin, Teatrin e Qytetit të Gjilanit që u prezantua me shfaqjen dinamike, komedinë “I vetëm në banesë”, me tekst të Avni Shkodrës, në regji të Natyrë Kallabës, e me kastën e aktorëve: Alban Shahiqi, Mejreme Berisha, Emine Toska, Safete Mustafa, Njomëza Kalaveshi dhe Tringa A. Hasani.

Ajo çfarë iu prezantua publikut kishte të bënte me personazhin Artanin, një skenarist serialesh, që mbetet i vetëm në banesë, pasi Blerina, gruaja e tij, shkon në një seminar.

Kështu, ai fillon të shkruajë skenarin e tij të radhës duke i krijuar personazhet, që të gjitha femra, por që ato fillojnë t’i shfaqen në skenë, natyrisht ashtu siç i konceptonte ai në skenarin që shkruante. Por, ato herë ishin reale, e herë pjellë e imagjinatës së tij.

Ato gra, që Artani i sillte në banesë, fshehtas nënës, e cila e vizitonte shpesh edhe në imagjinatën e tij, e përballin këtë skenarist me një sfidë, në mes të dëshirës për flirtim dhe të qëndruarit besnik ndaj gruas së tij.

Tutje, ky skenarist serialesh humb sensin e realitetit, duke e komplikuar edhe më shumë situatën, pasi karakteret që i vinin në mënyrë fiktive dhe me situata absurdi, e sillnin atë në situata emocionale, ku si përfundim përjeton vdekjen përkatësisht vrasjen nga secili personazh.

Postierja numër 69, shërbëtorja, psikologja, vaska, abazhurët, pasqyrat, telefoni, laptopi, picat, xhointi... audiencës i servoheshin me një qasje konceptuale bashkëkohore, të përcjella me koreografi, lojë dhe këndim.

Ndryshe, edhe loja e Albanit si kryepersonazh, por edhe e aktoreve, Mejremes, Eminës, Safetës, Njomëzës dhe Tringës, në momente të caktuara, por sidomos në pjesën e fundit, sollën emocione te publiku i pranishëm, të cilin e bënë për vete, e nga të cilët, në fund, u shpërblyen edhe me duartrokitje.

Ata që u angazhuan që shfaqja të ishte në tërësi e plotë, pra edhe me elemente tjera përbërëse për një shfaqje, ishin edhe: Bekim Korça - skenografia, kostumet dhe koreografia, Florim Gagica - muzika, Fatmir Halili - dritat, Raif Haziri - inspicient dhe organizator, Suad Berisha - rekuizitat, si dhe treshja, Mejdi Hoti, Haki Aliu dhe Fehmi 
Hoti - realizatorë të skenografisë.

Përndryshe, në mbrëmjen e radhës, në natën e tretë, në skenën e Teatrit të Gjilanit do të ngjitet, Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” nga Tirana, i cili do të sjellë shfaqjen “Kreonët e Ballkanit”, me autor dhe regji të bërë nga Enver Petrovci, duke e begatuar kështu edhe më shumë, këtë Festival të Dramës Shqipe, që ka edhe karakter garues.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...