Artur Miler: Teatri ka qenë forma më e mrekullueshme dhe e jashtëzakonshme e të shkruarit

Teatri

Artur Miler: Teatri ka qenë forma më e mrekullueshme dhe e jashtëzakonshme e të shkruarit

Më: 29 mars 2020 Në ora: 16:02
Artur Miler

Brenda kësaj shtëpie ndodhej studioja e tij, në të cilën Miller punonte vetëm orëve të natës, sepse siç thoshte nuk ndihej rehat në dritën e diellit. Në këtë dhomë, në vitet ’60 ndodhej vetëm tryeza e shkrimit, një karrige dhe një raft i mbushur me libra.

Artur Miler ka jetuar dhe shkruar për një kohë të gjatë në një peizazh shumë të bukur, në një fermë diku në shtetin e Konektikatit. Ai vetë u rrit në Bruklin dhe Harlem, por shpesh tërhiqej nga peizazhi rural, qetësia dhe paqja që i karakterizon mjedise të tilla. Në një shtëpi të bardhë, të rrethuar me pemë, ai ka shkruar një pjesë të mirë të veprave të tij, i “shqetësuar” vetëm nga cicërimat e zogjve dhe disa zhurma të largëta që përcilleshin nga kodrat në formën e një jehone. Brenda kësaj shtëpie ndodhej studioja e tij, në të cilën Miller punonte vetëm orëve të natës, sepse siç thoshte nuk ndihej rehat në dritën e diellit. Në këtë dhomë, në vitet ’60 ndodhej vetëm tryeza e shkrimit, një karrige dhe një raft i mbushur me libra.

Voznesensky, një poet rus, ka thënë se për shkrimtarin dhe poetin janë shumë të rëndësishme ambientet ku punon dhe krijimi i asaj mikroklimës së domosdoshme për të krijuar. Jeni dakord me një vlerësim të tillë?

Më pëlqen një vlerësim i tillë. Në rastin tim parametrat janë ata të duhurit. Nuk jam i “zhytur” në një hapësirë të pafund, ku mund të humbas koordinatat. Distancat e brendshme dhe të jashtmet të mjedisit tim janë ato të duhurat, mendoj.

A mund të na thoni diçka në lidhje me fillimin e karrierës suaj si shkrimtar?

Pjesën time të parë e kam shkruan në Miçigan në vitin 1935. E kam shkruar gjatë një pushimi pranveror, pra pak a shumë brenda 6 ditësh. Isha i ri në atë kohë, ndaj guxoja shumë dhe guxoja që të shkruaja mjaft shpejt. Në atë kohë kisha parë vetëm dy drama, ndaj nuk e kisha idenë se sa të gjata duhej të ishin pjesë të tilla. Më pas doli se ishte nja 40 minuta e gjatë. Ishte diçka që nuk e kisha marrë seriozisht. Të paktën kështu tentoja që t’i mbushja mendjen vetes.

Të isha një dramaturg ishte për mua një ide maksimaliste. Gjithmonë kam menduar se teatri ka qenë forma më e mrekullueshme dhe e jashtëzakonshme e të shkruarit, apo për ata që duan vërtet të quhen mjeshtër të të shkruarit. Ka shumë pak kryevepra që mund të cilësohen të tilla për sa u përket pjesëve teatrale, kjo nëse e krahasojmë me artet e tjera dhe zhanret e tjera të letërsisë.

Cilët kanë qetë dramaturgët që keni vlerësuar më shumë kur keni qenë i ri?

Së pari grekët, për formën e tyre të përkryer të simetrisë. Fillimisht personazhet mitologjike ishin të panjohura për mua dhe e kam pasur të vështirë që të zbërtheja simbolikën e pjesëve. Në fillimet e mia nuk kisha kulturën që kam sot për të kuptuar se cila ishte madhështia e vërtetë e këtyre pjesëve, por gjithsesi arkitektura e pjesës për mua ishte përgjithësisht e qartë. Janë pjesë që lënë gjurmë dhe kanë peshë edhe tek më injorantët, ndaj janë të mëdha dhe universale.

Keni qenë veçanërisht i tërhequr nga tragjedia?

Më duket se ka qenë e vetmja formë e duhur për të shprehur botën e asaj kohe. Pjesa tjetër ose ishte një tentativë për tragjedi, pse një ikje prej saj. Por tragjedia ka qenë kolona kryesore.

Kur shkruat “Vdekja e një shitësi” në një intervistë që keni dhënë, jeni shprehur se ndjenja tragjike evokohet brenda nesh kur jemi në prani të një personazhi që është i gatshëm të japë jetën, nëse është nevoja, për të siguruar një gjë: dinjitetin personal. A i konsideroni pjesët që ju shkruani aktualisht si tragjedi moderne?

Kam ndryshuar shumë herë mendje në lidhje me këtë gjë. Mendoj se bërja e një krahasimi të drejtpërdrejtë mes një vepre bashkëkohore dhe një tragjedie klasike është e pamundur, për shkak të fesë dhe pushtetit, që janë marrë si të mirëqena dhe janë konsideruar apriori në çdo tragjedi klasike. Është si një ceremoni fetare, ku mbërrihet objektivi përmes sakrificës. Ka të bëjë me komunitetin që sakrifikon dikë, të cilën e adhurojnë dhe e përçmojnë njëherazi në mënyrë që të justifikojnë ekzistencën.

Cilat kanë qenë ato dy pjesët teatrale që na thatë se patë para se të uleshit të shkruanit vetë?

Kur isha 12 vjeç, mbaj mend që ishte ime më ajo që më çoi në teatër një pasdite. Ne jetonim në Harlem dhe në atë kohë atje kishte 2-3 teatro që jepnin vazhdimisht shfaqje. Mbaj mend se ishte një shfaqje që kishte të bënte me një anije të madhe, mbaj mend njerëz që ishin duke u mbytur në skenë dhe ulërinin. Për mua ishte shumë eksituese dhe zbavitëse, sepse ishte një skenë jashtë së zakonshmes. Pjesa tjetër ishte me kinezë, diçka më zbavitëse dhe në qendër të Nju Jorkut. Mbaj mend që kinezët kishin grabitur një bionde të bukur. Nuk kujtoj gjë tjetër dhe këto kanë qenë “kryeveprat” që pashë para se të ulesha dhe të shkruaja vetë. Por kisha lexuar ndërkohë Shekspirin, Ibseninin. Sigurisht jo shumë.

Një pjesë e madhe e dramave tuaja kanë në qendër të tyre marrëdhënien djalë-baba. Keni qenë tepër i lidhur me babanë tuaj?

Kam qenë dhe jam, por mendoj se pjesët e mia në akt nuk reflektojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë marrëdhënien time me të. Për sa i përket një ati, ai është një figurë që mishëron dhe ngërthen në vetvete shumë pushtet dhe moral. Ndërkohë që im atë nuk ishte ati i përkryer. Nuk e kam menduar kurrë figurën e tim eti si frymëzuese, sepse nëse do ta kisha bërë do të isha ndier i bllokuar. Figura e babait është mitike. Im atë ka qenë ndërkohë një njeri i zakonshëm, shumë më realist nga sa mund të jetë një njeri i zakonshëm. Mund ta konsideroja njeriun e fundit në botë që mund të kryente një vetëvrasje.

A mendoni se për teatrin, shfaqja e kinemasë ishte fillimi i një fundi?

Forma fillestare e teatrit u ndryshua nga kinemaja, pra ajo që e konsiderojmë si emocionin e drejtpërdrejtë që ta jep vetëm skena, ashtu të ngrohtë dhe të drejtpërdrejtë.

Po televizionin a e shihni si një mjet të mirë për të përcjellë dramën te një shkallë e gjerë shikuesish?

Nuk mendoj se ka ndonjë lloj mediumi që mund t’i afrohet teatrit kur është fjala për të përcjellë ato emocione, apo mesazhe që i përcjell vetëm teatri. Por sigurisht që ka edhe mjete të tjera që mund të bëhet përcjellës e një prej tyre është edhe televizori. Mendimi im është se audienca që sheh TV është gjithmonë e ndarë. Ndjesia ime është që njerëzit që shohin diçka në masë reagojnë ndryshe nga ata që e shohin në një grup të vogël apo të vetmuar. Nuk ka të bëjë me sasinë, por me cilësinë e përjetimit që në grup, për mendimin tim, është më e madhe se sa kur je vetëm. Megjithatë kjo nuk është thelbësore në të përjetuarit e një drame në ekran.

A mendoni se aktualisht jeta e amerikanëve, sot më shumë se kurrë, është e projektuar në drejtim të suksesit personal?

Po. Sot është shumë më e fuqishme kjo tendencë se kur unë shkruaja “Vdekja e një shitësi”. Mendoj se është në kufijtë e çmendurisë. Nuk ka më perspektivë.

A mund të shfaqen sërish format strikte të aplikuara nga Molieri në teatër?

Nuk mendoj se format e vjetra mund të përsëriten në kohët e reja, sepse ato u krijuan për të shprehur momentet e një kohe që nuk është më. Për shembull unë vetë nuk mund të shkruaj kurrë më “Vdekja e një shitësi”, ose edhe vepra të tjera që i kam shkruar. Secila është e ndryshme dhe u përket e përkon me një kohë të caktuar.

Keni ndonjë përfytyrim në lidhje me evoluimin tuaj që nga zanafilla? Për sa u përket formave dhe termave?

Unë vazhdoj që të eci. Para dhe mbrapa. Për fat më shumë para se sa mbrapa. Para se të shkruaja pjesën time të parë, që pati vërtet sukses, kam shkruar 14 ose 15 pjesë për teatër dhe për radio. Pjesa më e madhe nuk kanë qenë realiste. Ishin pjesë metaforike, apo simbolike, disa kanë qenë në vargje. Më pas erdhi “Të gjithë djemtë e mi”, ose siç mund ta quaj fati im. Të tjerat pasuan këtë sukses, por janë pak a shumë e njëjta natyrë. Në përgjithësi përpiqem që të krijoj një të tërë nga pjesëza të vogla.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat