Autorja Fjolla Hoxha në Forumin Ndërkombëtar të Theatertreffen të Berlinit

Teatri

Autorja Fjolla Hoxha në Forumin Ndërkombëtar të Theatertreffen të Berlinit

Më: 4 maj 2017 Në ora: 13:32
Fjolla Hoxha

Mes datave 6-21 maj, autorja kosovare Fjolla Hoxha është ftuar që të marrë pjesë në Forumin Ndërkombëtar (Internationales Forum) të festivalit më të madh të teatrit në territorin gjermanofolës ‘Theatertreffen’.

10 performancat më të mira të vitit nga Zvicra, Austria dhe Gjermania janë përzgjedhur që të shfaqen gjatë kësaj periudhe dy javore. Njëherësh, 39 pjesëmarrësit e Forumit Ndërkombëtar nga e mbarë bota do të marrin pjesë në 4 punëtori të ndryshme dhe do të ligjërojnë mbi përvojën e tyre teatrale. Fjolla Hoxha është dramaturge, poete dhe kritike e dramës dhe teatrit e cila dramën e saj origjinale “Çka mbinë s’pari kur kallet bota?” me regji të Flutra Zymit e kishte në repertorin e Teatrit Kombëtar të Kosovës në vitin 2015. 

Aktualisht Fjolla është duke punuar në dramën e saj të re “Hiber-nacion” e cila kishte lexime skenike në Unicorn Theatre në Londër gjatë muajit shkurt të këtij viti. Njëherësh, ajo është duke bashkëpunuar me VorAlpenTheater dhe grupin actNow në krijimin e një bashkëproduksioni teatror mes të rinjve nga Lucerni dhe Gjilani në shfaqjen “Schatzi, a je mirë?” e cila e pati premierën kosovare në prill dhe do të vazhdojë me shfaqje në Lucern mes 26-30 maj në VorAlpenTheater. 

Lidhur me pjesëmarrjen në forumin ndërkombëtar Fjolla njofton se kishte aplikuar dhe vitin e kaluar por nuk ishte pranuar. Në vitin 2010 ajo ishte pjesëmarrëse në Bienalen teatrale në Wiesbaden të Gjermanisë, Die Neue Stucke aus Europa (Vepra të reja nga Evropa) ku kishte marrë pjesë në punëtorinë dhjetëditore të udhëhequr nga dramaturgu i famshëm anglez Mark Ravenhill. “Hera e parë që dëgjova për Theatertreffen ishte në Wiesbaden ku edhe njoftova mes shumë autorësh dramaturgen turke Dilek Altintas që kishte vijuar studimet e larta në Universitetin e Stambollit ku kam qenë nxënëse edhe unë, por ja që u desh të njoftoheshim në Gjermani. Ajo kishte qenë pjesëmarrëse në Theatertreffen dhe më tha që duhet të aplikoja patjetër, sepse përvoja e saj në këtë festival ia kishte ndërruar jetën kreative dhe ia kishte hapur horizontet, shkruan kultplus.

Edhe dramaturgia serbe Marijana Verhoef me të cilën u njoftova në Wiesbaden dhe më pas bashkëpunuam në realizimin e audio-dramës time “Jo kur sapo e njoftova Williamin”, në festivalin Waldstock në Pegnitz të Gjermanisë, kishte qenë pjesëmarrëse në forumin ndërkombëtar dhe kështu kisha shumë modele para vetes që më nxitën të provoj edhe unë”, është shprehur Fjolla. Ajo flet dhe për përkrahjen e marrë nga Jeton Neziraj, respektivisht Qendra Multimedia e cila e kishte referuar aplikacionin e saj në Goethe Institut në Beograd, prej nga Fjolla fitoi bursë të plotë që të marrë pjesë në festival sivjet. Gjatë festivalit, pos ligjërimit dhe këmbimit të përvojave me autorë nga Tokyo deri në Kiev, Beirut, Buenos Aires, LA e ndërmjet, Fjolla do të marrë pjesë në punëtorinë dhjetëditore të artistëve belgë Kris Verdonk dhe Kristof Van Baarle nga grupi artistik A Dogs Company me fokus në Metamorfozën e Tekstit bazuar në novelën “Historia e fshehtë e luftës së tretë botërore” të J.G.Ballard. “Ajo që dua të nxjerr nga kjo pjesëmarrje e privilegjuar në Theatertreffen është padyshim promovimi i punës time dhe krijimi i kontakteve të reja që do të qelin hapësirë për bashkëpunime teatrale në të ardhmen mirëpo mbi të gjitha jam shumë e entuziazmuar për t’i parë 10 top shfaqjet e krijuara në territorin gjermanofolës dhe për pjesëmarrjen në punëtorinë dhjetëditore që besoj se do të m’a qelin trurin dhe do të më ushqejnë me mundësi të reja për t’ju qasur punës time”, është shprehur Fjolla. 

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat