Aplikacione speciale për fëmijë specialë

Teknologji

Aplikacione speciale për fëmijë specialë

Më: 22 janar 2019 Në ora: 17:32
Ilustrim

Njëra është aktore, me diplomë nderi nga Universiteti Parks, në Britaninë e Madhe. Dikush luan si titullare në ekipin e volejbollit të Ischia-s, Itali. Një tjetër magjepsi jurinë dhe publikun kur performoi në talent show-n e kërcimit, te “The Greatest Dancer”. Ka nga ata që pikturojnë e të lënë pa frymë me krijimet dhe fantazitë e tyre.  Sarah, Eleonora, Andrew dhe Andreas, janë të moshave të ndryshme, e nga kombësi të ndryshme. Kanë një emërues të përbashkët: talentin dhe dëshirën e jashtëzakonshme për një jetë të sukseshme. Janë dëshmia se, me pak mbështetje, punë e shumë dashuri, personat me sindromën Down mund të bëjnë jo vetëm një jetë normale, por edhe të zhvillojnë talente të mëdha.

Këtë më mirë se kushdo tjetër e di Colin Dean, babai i një fëmijë njëkohësisht me sindromën Down dhe autizëm. Colin ka shpikur e zhvilluar aplikacionet “Special iApps”, të cilat u vijnë në ndihmë fëmijëve me Aftësi të Kufizuar, sidomos atyre me sindromën Down. Në datat 19 e 20 janar, Colin ishte i ftuar në zyrat e Fonacionit Down Syndrome Albania, ku trajnoi terapistë të qendrës dhe prindër të fëmijëve me Sindromën Down për përdorimin e dy prej aplikacioneve të paketës “Special iApps”, “SpecialWords” (Fjalë të Veçanta) dhe “SpecialStories” (Histori të Veçanta).

Aplikacionet janë mënyra më e mirë për t’u përdorur si mjete didaktike, duke pasur parasysh sa të dhënë janë fëmijët, sidomos ata me aftësi të kufizuar, ndaj telefonave e tabletave. Të kombinosh këtë “varësi” të fëmijëve me programet didaktike është ideale. Aplikacionet “Special iApps” gërshetojnë në mënyrë të përkryer imazhin, shkrimin dhe audion, ndaj fëmijët me sindromën Down e kanë më të thjeshtë të mësojnë. Teksa “Special Words” mëson fjalë të reja dhe i shkathtëson në gjuhën e shprehur e të kuptuar, “SpecialStories” i ndihmon fëmijët me përsosjen e aftësive në rutinën ditore dhe kujtesën. Aplikacionet mund të personalizohen e pasurohen me më shumë fjalë dhe histori. Një tjetër avantazh është se këto aplikacione mund të përdoren jo vetëm në qendër nga terapistët, por gjithashtu nga prindërit në shtëpi.

“Special iApps” u mundësuan nga Vodafone, që fondin e dhuratave për festat e fundvitit ia kushtoi fondacionit Down Syndrome Albania, duke siguruar 40 tableta, si edhe blerjen e aplikacioneve “Special Words” e “Special Stories”. Vodafone solli gjithashtu në qendër krijuesin e tyre, Colin Dean, i cili trajnoi terapistë e prindër për përdorimin e “Special iApps”. Sikur “Sindroma e Empatisë” të prekte sa më shumë njerëz, nesër do të shikonim të tjerë personalitete me sindromën Down në botën e artit, sportit e televizionit.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat