Gjykata evropiane e drejtësisë vendos që Skype është operator telekomunikimi

Teknologji

Gjykata evropiane e drejtësisë vendos që Skype është operator telekomunikimi

Më: 8 qershor 2019 Në ora: 20:33
Foto ilustrim

Gjykata evropiane e drejtësisë ka vendosur që shërbimi i Microsoftit për thirrje dhe mesazhe telefonike Skype është operator telekomunikimi sepse ofron pagesë të shërbimit dhe ka marrëveshje me operatorët e rrjeteve për kryerjen e thirrjeve.

Gjykata në Belgjikë dhe Instituti belg për postë dhe telekomunikacion (IBPT) e kanë kërkuar mendimin e Gjykatës evropiane të drejtësisë nëse shërbimi Skype i emërtuar SkypeOut, i cili ua mundëson përdoruesve që nga kompjuteri të bëjnë thirrje në telefonat fiks ose mobilë, duhet të rregullohet në të njëjtën mënyrë si dhe kompanitë e tjera të ngjashme.

Skype pohon se nuk transmeton sinjale dhe nuk ofron shërbime të tjera të elektrokomunikimit siç definohet nga rregulloret aktuale të BE. Microsofti njoftoi se do ta respektojë vendimin e gjykatës.

Dy vjet më parë, në mënyrë që t’i kapërcejë dallimet midis kompanive tradicionale të telekomunikimit dhe konkurrentëve të tyre të rinj përmes internetit, Komisioni Evropian ka miratuar rregulla për sektorin përkatës, rregulla këto të njohura si Ligji evropian për elektrokomunikim, i cili e përfshin Skype, WhatsApp, Facebook Messenger dhe shërbimet e tjera zanore përmes protokollit të internetit (VoIP) .

Shtetet anëtare të BE-së kanë afat deri në fund të vitit 2020 për t’i miratuar rregulloret.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat