Mark Zuckerberg premton se Facebook do të sillet më mirë

Teknologji

Mark Zuckerberg premton se Facebook do të sillet më mirë

Më: 4 gusht 2019 Në ora: 09:02
Mark Zuckerberg

Nuk është hera e para që një ekzekutiv i Facebook thirret përpara Kongresit në Uashington, DC, për të dhënë shpjegime në lidhje me një mori pyetjesh që iu bënë në seancën dëgjimore.

Të paktën, ligjvënësit amerikanë që ishin të pranishëm në një situatë të tillë, kësaj here dukeshin më të përgatitur se ata të një viti më parë, të cilët kishin shumë pak informacion për biznesin e Facebook gjatë seancave dëgjimore lidhur me shkeljen e rëndë që ai kishte bërë në shpërndarjen e të dhënave pa leje të 50 milionë përdoruesve të tij, shkruan The Economist.

Këtë herë, David Marcus dha përgjigje të arsyetuara shumë mirë ndaj disa pyetjeve sensitive që iu bënë gjatë seancës dëgjimore. Një ndër më delikatet lidhej me projektin e sapolindur të rrjetit social, Libra. Disa prej pyetjeve që iu bënë ishin: A përbën kërcënim për të dhënat e përdoruesve ky projekt i ri?

Si do të arrijë Facebook-u të gjenerojë para nga Libra, kur kjo e fundit drejtohet nga një organ i pavarur me seli në Zvicër? Për çdo transaksion të dhënash do të kërkohet miratimi i përdoruesve, ndërsa paratë do të vijnë nga reklamuesit, ishin përgjigjet e pyetjeve të mësipërme.

Por një prej pyetjeve që kushdo do të dëshironte t’ia bënte z. Marcus ishte krejt tjetër: Pse duhet që një rrjet social me probleme në të kaluarën të hedhë në treg një instrument global financiar? Kjo është edhe pyetja e parë që të vjen në mend, pas vendimit që u mor nga Komisioni Federal i Tregtisë për t’i vënë kësaj kompanie një gjobë prej 5 miliardë dollarësh amerikanë për keqpërdorimin e të dhënave të përdoruesve.

Gjoba është një prej më të lartave që qeveria amerikane i ka vendosur ndonjëherë një kompanie të Teknologjisë (ndërsa BE-ja është treguar më e ashpër në këtë drejtim). Facebook-u po mundohet që t’i bindë qeverinë se, pavarësisht të gjitha fakteve që e akuzojnë atë, atij mund t’i jepet edhe një mundësi tjetër, duke i besuar sërish.

Kohët e fundit, Mark Zuckerberg, shefi i Facebook, ka bërë thirrje për hartimin dhe vendosjen e më shumë rregulloreve ndaj Gjigantëve të Teknologjisë, duke përfshirë këtu edhe kompaninë e tij. Gjatë seancës, z. Marcus u shpreh se Libra dhe Calibra (portofoli dixhital që do të bëjë të mundur dërgimin e kriptomonedhës te kushdo që ka një smartphone) nuk do të prezantohen deri në momentin që shqetësimet dhe çdo dyshim i ligjvënësve amerikanë të jetë sqaruar.

Kësaj here, përfaqësuesi i Facebook u duk sikur po kërkonte më shumë leje për të hedhur në treg një produkt të tillë sesa falje për gabimet që ky rrjet ka bërë në të kaluarën. Maturia e treguar nga ana e përfaqësuesve të Facebook ka ndikim shumë të lartë dhe mbi të gjitha pozitiv tek investitorët. Progresi i këtij rrjeti social sa vjen e po ngadalësohet gjithnjë e më shumë, por të ardhurat nga Instagram po rriten me shpejtësi, siç po rriten edhe paratë e gjeneruara nga WhatsApp-i.

Analistët janë në pritje të rezultateve të tremujorit të dytë të Facebook, që dalin në fund të korrikut për të vërtetuar se të ardhurat e këtij rrjeti social janë rritur me 25% nga viti i kaluar, në 16.3 miliardë dollarë amerikanë. Ndryshe nga disa firma të tjera të teknologjisë, të ardhurat neto të Facebook priten të rriten me 6% në 5.4 miliardë dollarë, më se e mjaftueshme për të mbuluar gjobën që mund t’i vihet. Po kjo nuk do të thotë që Facebook i ka tejkaluar të gjitha vështirësitë. Autoritetet financiare janë të shqetësuara nga Libra, sepse ajo mund të rezultojë të jetë një mashtrim dhe mund të përdoret për pastrim parash, ashtu siç ndodhi edhe me disa kriptomonedha të tjera.

Bankierët qendrorë kanë frikë se, nëse miratohet gjerësisht, ajo mund të shndërrohet në një kërcënim ndaj stabilitetit financiar. Më 16 korrik, Ursula von der Leyen, Presidentja e sapozgjedhur e Komisionit Europian, tha se dëshironte që gjigantët e teknologjisë të paguanin më shumë taksa. Të nesërmen e kësaj date, Komisionerja Europiane e Konkurrencës së bllokut, Margrethe Vestager, njoftoi nisjen e një hetimi ndaj Amazon në lidhje me përdorimin e të dhënave tregtare. Në disa vende rregullatorët për mbrojtjen e të dhënave duan t’i detyrojnë kompanitë jopajtuese që të ndalojnë krejtësisht përpunimin e të dhënave. Ky veprim do të ishte shumë më shumë sesa thjesht vendosja e një gjobe.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat