Çfarë ndodh me Instagramin tuaj kur vdisni?

Teknologji

Çfarë ndodh me Instagramin tuaj kur vdisni?

Më: 26 tetor 2019 Në ora: 10:22
Instagrami

Rrjeti social, Instagram, e ka ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si ne e shohim dhe e trajtojmë vdekjen në dekadën e dytë të shekullit të ri.

Më herët këtë vit, Ekaterina Karaglanova i kishte rreth 85 mijë përcjellës në Instagram. Figura 24-vjeçare nga Moska e përdorte këtë rrjet kryesisht për të treguar për udhëtimet e saj nëpër botë. Fotografitë e saj dukeshin të mahnitshme – det i kaltër në Santorini, male të mbuluara nga bora në Alpet e Bavarisë, qiell i kaltër në Dubai. Secili postim i kishte mijëra pëlqime. Por më 22 korrik 2019, publikimi i fotografive u ndërpre. Disa ditë më vonë, trupi i saj u gjet në një valixhe pasi ishte therur për vdekje në banesën e saj. Jo shumë kohë më vonë, policia ruse e publikoi një video ku ish i dashuri i saj tregonte si e ka vrarë atë.

Profili i Karaglanova-s mbetet njësoj siç ka qenë kur ajo ishte gjallë, përveçqë është mbushur me figura të dhimbshme me zemra dhe komente të njerëzve që shprehin ngushëllime. Ajo madje i ka 30 mijë përcjellës të rinj që nga data e vdekjes. Është vështirë të thuhet se çka kërkojnë njerëzit nga llogaria që ajo e ka lënë pas. Disa po e vlerësojnë atë si përkujtim, disa të tjerëve ndoshta po u pëlqen shikimi i fotografive, por ka diçka të pazakontë kur përdoruesit e internetit e shfrytëzojnë profilin e një personi që nuk është më në jetë. Megjithatë, ky nuk është një fenomen i rrallë. Në të vërtetë, kjo është bërë mënyra se si ne i bëjmë gjërat. Sepse si mund të përballemi ndryshe me fundin e jetës së vërtetë, kur jeta në internet vazhdon të ekzistojë?

Sipas rregullave të tanishme të Instagramit, familja e ngushtë duhet të vendosë se çfarë do të ndodhë me llogarinë tuaj pas vdekjes, ndonëse kjo nuk është gjithmonë kaq e thjeshtë. Nëse familja juaj dëshiron që llogaria të zhduket plotësisht, ajo duhet ta plotësojë një aplikacion në internet para se ta ofrojnë certifikatën e vdekjes ose dëshminë se anëtarët e familjes janë përfaqësues ligjor të personit të ndjerë. Nëse familja dëshiron që llogarinë ta mbajë vetëm si përkujtim, duhet të ofrohet dëshmi që keni vdekur përmes një artikulli të gazetës apo ndonjë linku njoftues për vdekjen.

Shumica e njerëzve nuk vendosin për opsionin e parë. Kur jeni duke e vuajtur humbjen e një anëtari të familjes, gjëja e fundit për të cilën do të mendoni është dërgimi i certifikatës së vdekjes në Instagram. Kjo nënkupton që, tani më shumë se kurrë më parë, ne jemi të rrethuar nga fantazmat e jetëve të internetit. Ata mund të mos publikojnë “storie” apo fotografi dhe mund të mos i lexojnë mesazhet tuaja, por ju mund të shikoni mbrapa dhe të shihni se çfarë kanë qenë duke bërë ata deri në vdekje. Ajo që është veçanërisht shqetësuese rreth kësaj është se llogaritë e njerëzve të vdekur duken njësoj sikur kur ata kanë qenë gjallë, përpos lëvizjeve. Pra, mund ta gjeni veten mes dy skajeve, ku është vështirë ta dalloni një llogari të dikujt që ka vdekur nga llogaria e dikujt që thjesht nuk ka publikuar gjëra të reja kohëve të fundit, shkruan “Vice”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat