Konservatorët britanikë ia ndërrojnë emrin faqes në Twitter gjatë debatit televiziv

Teknologji

Konservatorët britanikë ia ndërrojnë emrin faqes në Twitter gjatë debatit televiziv

Më: 20 nëntor 2019 Në ora: 09:00
Foto ilustrim

Partia Konservatore e Britanisë së Madhe është akuzuar për mashtrim të publikut pasi ia ndërroi emrin faqes së vet zyrtare në Twitter, duke e bërë “factcheckUK” gjatë debatit televiziv të liderit të saj me kundërshtarin politik nga Partia Laburiste. Kjo faqe u përdor për të publikuar përmbajtje kundër opozitës britanike.

Publiku britanik është mjaft i dhënë pas faqeve për kontrollimin e fakteve, të cilat menaxhohen nga mediumet e famshme, përfshirë televizionin “BBC” dhe gazetën “The Guardian”, dhe të cilat përdoren për t’i vërtetuar premtimet e bëra nga politikanët.

Gjatë debatit të së martës mbrëma mes konservatorit Boris Johnson dhe laburistit Jeremy Corbyn, Partia Konservatore e ndryshoi emrin e faqes së saj që i kushtohet medieve. Përpos emrit, partia ia ndryshoi kësaj faqeje edhe logon për ta fshehur origjinën politike. Kjo llogari u përdor më pas për të shpërndarë materiale në përkrahje të partisë.

Disa minuta pasi përfundoi ky debat mes dy kandidatëve kryesorë në zgjedhjet e dhjetorit, emri i kësaj faqeje u ndryshua përsëri, duke e marrë emrin e vjetër të partisë.

Rrjeti “Twitter” reagoi përmes një deklarate, duke thënë se ka rregulla që e ndalojnë sjelljen mashtruese. Në këtë deklaratë thuhet: “Çdo përpjekje e mëtejme për t’i mashtruar njerëzit përmes ndryshimit të të dhënave të profileve të verifikuara, si në rastin e debatit zgjedhor në Britani të Madhe, do të pasohet me masa vendimtare korrektuese”, shkruan “The Guardian”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat