SHBA skanon internetin nga frika e sulmeve kibernetike të Iranit

Teknologji

SHBA skanon internetin nga frika e sulmeve kibernetike të Iranit

Më: 11 janar 2020 Në ora: 06:48
Ilustrim

Zyrtarët e qeverisë amerikane po vëzhgojnë dhe presin, ndërsa shumë besojnë se është vetëm çështje kohe përpara se Irani të godasë me një sulm kibernetik si hakmarrje ndaj sulmit amerikan ku u vra komandanti i Forcave “Quds” Qassem Soleimani.

Sipas buletinit të fundit të Departamentit të Sigurisë Kombëtare, nuk ka ende kërcënime specifike dhe të besueshme për SHBA. Por zyrtarët thonë se garancitë që ka dhënë publikisht Irani, se i ka dhënë fund hakmarrjes, nuk do të thonë asgjë.

“Irani ka qenë një nga aktorët më të këqij”, tha një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit të enjten. “Ne jemi shumë të shqetësuar rreth aftësive e aktivitetit të Iranit”, shtoi ai.

Zyrtarët e qeverisë amerikane kanë qenë në mëdyshje të komentojnë çdo detaj mbi aktivitetet në internet të aktorëve iranianë përgjatë ditëve të fundit. Ata thonë se aftësitë e Iranit janë në të njëjtin nivel me ato të Rusisë, Kinës e Koresë së Veriut kur është fjala për përdorimin e sulmeve kibernetike me synim sistemet e kontrollit industrial ose infrastrukturën.

“Departamenti i Sigurisë Kombëtare po punon për të përmirësuar koordinimin dhe ndërgjegjësimin mbi situatën nëse shfaqet ndonjë kërcënim specifik”, tha një zëdhënës i departamentit. Sipas tij, departamenti i shtetit po punon me agjencitë e zbulimit, kompani e organizata kryesore të sektorit privat dhe është i gatshëm të “zbatojë masa të zgjeruara mbi sigurisë, sipas nevojave”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat