Bill Gates: Nuk e kuptoj pse njerëzit nuk mbajnë maska

Teknologji

Bill Gates: Nuk e kuptoj pse njerëzit nuk mbajnë maska

Më: 5 korrik 2020 Në ora: 22:09
Bill Gates

Një nga personat më të pasur në botë, Bil Gates, ka thënë se nuk e kupton pse njerëzit refuzojnë të mbajnë maskat të cilat mbrojnë nga koronavirusi, duke marrë parasysh se nuk janë as të bezdisshme e as nuk kushtojnë shumë.

Themeluesi i Microsoftit ka qenë i përfshirë në projekte që kanë të bëjnë me shëndetësinë me vite të tëra, dhe kishte paralajmëruar për rrezikun e një pandemie në vitin 2015. Andaj edhe shpesh është pyetur rreth zhvillimeve që kanë të bëjnë me përhapjen e koronavirusit.

“Është vështirë të kuptohet pse njerëzit nuk mbajnë maska, ato nuk janë të bezdisshme”, tha Gates gjatë një takimi virtual për revistën FastCompany të SHBA-së. “Nuk kushton shumë, sidoqoftë njerëzit e shohin si kufizim të lirive të tyre, pavarësisht rrezikut të infektimit të njerëzve tjerë”.

Ai gjithashtu ka thënë se i duket e “frikshme” që emri i tij shpesh lidhet me teori të ndryshme konspiracioni. Ai ka thënë se në një krizë si kjo që po e kalojmë tani, është e nevojshme që t’u përmbahemi fakteve.

Gates gjithashtu shprehi brenga se teoritë e konspiracionit do të çojnë në refuzimin e mbajtjes së maskës, posaçërisht në SHBA, dhe se këto teori gjithashtu do të shkaktojnë refuzimin e vaksinimit, nëse një e tillë do të zbulohet në të ardhmen e afërt.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat