Trumpi do të marrë masa ndaj softuerëve kinezë - Bota Sot
Trumpi do të marrë masa ndaj softuerëve kinezë

Teknologji

Trumpi do të marrë masa ndaj softuerëve kinezë

Më: 3 gusht 2020 Në ora: 08:05
Foto ilustrim

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, planifikon të marrë masa ndaj asaj që e sheh si kërcënim të sigurisë kombëtare që paraqitet nga softuerët e lidhur me Partinë Komuniste të Kinës, ka thënë Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, të dielën.

Komentet e Pompeos erdhën pas raportimeve se Microsofti është në bisedime të avancuara për të blerë operacionet e TikTokut në SHBA, platformë e cila ka qenë burim i censurës dhe brengave për sigurinë kombëtare edhe nga administrata e Trumpit, shkruan AP.

“Këto kompani kineze të softuerit që po punojnë në SHBA, qoftë TikTok ose WeChat e shumë tjera, janë duke mbledhur të dhëna drejtë për Partinë Komuniste Kineze, që është aparati shtetëror i sigurisë” tha Pompeo për Fox News.

“Mund të jenë softuerët për njohjen e fytyrave. Mund të jenë informatat për vendbanime, numra të telefonit, miqtë, me kënd jeni të lidhur. Këto janë çështjet për të cilat presidenti Trump ka bërë të qartë se do t’i rregullojmë”, ka shtuar ai.

TikTok tha të shtunën se të dhënat për përdoruesit në SHBA ruhen në SHBA ku edhe kontrollohen qasjet ndaj të dhënave, dhe se investuesit më të mëdhenj të kësaj platforme vijnë nga SHBA. “Jemi të vendosur në mbrojtjen e privacisë dhe sigurisë së përdoruesve tanë”, tha një zëdhënës i kësaj platforme.

Sidoqoftë Trump të premten deklaroi se së shpejti do të ndalojë TikTok-un në SHBA. Një komitet federal është duke rishikuar nëse kjo gjë është e mundshme sipas ligjit, sidoqoftë disa anëtarë të saj pajtohen se TikTok nuk mund të mbetet në SHBA në këtë formë që ka sepse “rrezikon të shpërndajë informatat e afro 100 milionë amerikanëve” sipas Sekretarit të Financave, Steven Mnuchin.

“Presidenti, kur të merr vendimin, do të sigurohet që kemi bërë do gjë që është e mundur që të ketë zero rrezik për popullin amerikan”, tha Pompeo.

Debati rreth TikTok është i fundit që SHBA po ka me kompanitë kineze, përfshirë Huawei dhe ZTE. Administrata e Trumpit ka urdhëruar që SHBA të mos blejë pajisje nga këta furnizues që përdoren nëpër rrjetet e SHBA-së. Trump gjithashtu është përpjekur që të largojë aleatët e saj nga Huawei për shkak brengave se qeveria Kineze ka qasje ndaj të dhënave të kësaj kompanie, gjë që Huawei e mohon.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat