Bashkimi Evropian, hetime kompanisë amerikane Google - Bota Sot
Bashkimi Evropian, hetime kompanisë amerikane Google

Teknologji

Bashkimi Evropian, hetime kompanisë amerikane Google

Më: 5 gusht 2020 Në ora: 06:50
Google

Zyrtarët e Bashkimit Evropian për mekanizmat rregullatore kundër monopoleve njoftuan të martën se do të fillojnë një hetim ndaj planeve të kompanisë Google për të blerë kompaninë Fitbit.

Gjigandi amerikan i teknologjisë Google, entitet në pronësi të kompanisë Alphabet, shpreson të hyjë në tregun e teknologjisë që mbartet në trup, nëpërmjet blerjes së kompanisë Fitbit, me rreth 2.1 miliardë dollarë. Kompania Fitbit prodhon paisje inteligjente që mbahen si ora e dorës. Një sërë grupesh që mbrojnë privatësinë dhe të drejtat e konsumatorëve duan ta bllokojnë këtë shitje për shkak të shqetësimeve anti-monopol dhe të privatësisë.

Bashkimi Evropian dhe disa entitete të tjera thonë se janë të shqetësuar se kjo blerje do të rriste nivelit e të dhënave tek të cilat ka qasje kompania Google, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë për kompanitë e tjera të konkurojnë me efikasitet në hapësirën e reklamimit në internet.

Komisioni ekzekutiv i BE-së deklaroi se "transaksioni i propozuar do të konsolidonte më tej pozitën e kompanisë Google në tregjet e reklamave në internet , duke rritur sasinë, tashmë të pamatë të të dhënave që kompania Google mund të përdorë për të personalizuar reklamat që dërgon dhe që shfaq".

Komisionerja e BE-së për konkurrencën, Margrethe Vestager, shtoi se "hetimi synon të sigurohemi se kontrolli i kompanisë Google mbi të dhënat e mbledhura nga paisjet që mbarten në trup si rezultat i këtij transaksioni, nuk do të prishin konkurrencën".

Image
Paisje inteligjente të kompanisë Fitibt

Zëvendës presidenti kryesor i kompanisë Google, për paisjet dhe shërbimet, Rick Osterloh, reagoi duke thënë se "kjo marrëveshje do të ketë të bëjë me paisje dhe jo të dhëna", si dhe shtoi se "e kemi bërë të qartë që në fillim se nuk do të përdorim të dhënat e shëndetit dhe mirëqenies së Fitbit-it për reklamat e Google-it".

Zyrtarët e Bashkimit Evropian për zbatimin e rregullave kundër monopolit thanë se nuk mjafton thjesht ky premtim.

Fitbit-i ishte një nga kompanitë e para që tregtoi paisje që mbarten në trup, për të monitoruar aktivitetet fizike, rrahjet e zemrës, cilësinë e gjumit, si dhe një sërë faktorësh të tjerë. Kompania Fitbit ka mbi 28 milionë përdorues aktivë, si dhe mbi 100 milionë paisje të shitura./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat