Autoritetet Amerikane sfidojnë gjykatën për WeChat dhe TikTok

Teknologji

Autoritetet Amerikane sfidojnë gjykatën për WeChat dhe TikTok

Më: 23 shtator 2020 Në ora: 14:53
TikTok

Departamenti amerikan i Tregtisë njoftoi të hënën se po sfidon urdhrin e një gjykatësi federal i cili rrëzoi një urdhër të këtij departamenti që i kërkonte kompanive Apple dhe Google të heqin nga SHBA aplikacionin WeChat për shkak të shqetësimeve që lidhen me privatësinë e të dhënave dhe sigurinë kombëtare. Urdhri fillestar i departamentit, lëshuar të premten, përfshinte edhe një tjetër aplikacion në pronësi të Kinës, TikTok-un.

Në të ngrihej shqetësimi i administratës Trump në lidhje me mënyrën se si këto aplikacione mbledhin të dhënat e përdoruesve dhe me mundësinë që këto informacione të ndahen me agjencitë qeveritare kineze.

Kina i ka hedhur poshtë akuzat e Uashingtonit dhe të shtunën e quajti qëndrimin amerikan “bullizëm” që shkelte standardet e tregtisë ndërkombëtare. Gjykatësi amerikan Laurel Beeler iu përgjigj të dielën një kërkese të përdoruesve të WeChat për të pezulluar urdhrin e Departamentit të Tregtisë, duke argumentuar se veprimet e administratës Trump do të kufizonin të drejtën e fjalës së lirë për përdoruesit bazuar tek Amendamenti i Parë i Kushtetutës amerikane.

WeChat ka rreth 19 milionë përdorues aktivë në Shtetet e Bashkuara. Shërbimi, në pronësi të kompanisë kineze të teknologjisë Tencent, është i njohur për amerikanët të cilët e përdorin atë për të komunikuar me familjen e miqtë e tyre në Kinë.

Aplikacioni TikTok arriti të sigurojë pezullimin për një kohë të shkurtër të urdhrit të Departamentit të Tregtisë, pasi njoftoi një marrëveshje për të formuar një kompani të re me gjigantin e teknologjisë amerikane Oracle dhe kompaninë WalMart, duke mbajtur kontrollin mbi 20 për qind të aksioneve.

Duke folur për rrjetin televiziv Fox News të hënën, zoti Trump tha se administrata e tij nuk do ta miratojë marrëveshjen nëse ByteDance, pronari kinez i TikTok-ut, ka ende pjesë në kompani.

“Nëse zbulojmë se ata nuk kanë kontroll të plotë, atëherë ne nuk do të miratojmë marrëveshjen”, tha Trump duku iu referuar Oracle-t dhe WalMart-t. “Do ta ndjekim nga afër këtë çështje tha ai”.

Por këto komente janë në kontrast me ato që zoti Trump dha të shtunën kur ai pohoi se e miratonte marrëveshjen “në koncept” dhe “i kishte dhënë asaj bekimin e tij”.

Departamenti i Tregtisë e ka shtyrë ndalimin e veprimtarisë së TikTok-ut në SHBA deri më 27 shtator dhe i ka dhënë kohë kompanisë deri në 12 nëntor për të zgjidhur shqetësimet që lidhen me sigurinë kombëtare përpara se të përballet me një gamë më të gjerë kufizimesh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat