OAEK: Kosova të rris investimet në sektorin kibernetik dhe mbrojtjen e të dhënave

Teknologji

OAEK: Kosova të rris investimet në sektorin kibernetik dhe mbrojtjen e të dhënave

Më: 30 tetor 2020 Në ora: 13:20
OAEK

Rreziqet kibernetike ndikojnë në mundësitë për të operuar, reputacionin, dhe madje edhe vetë ekzistencën e bizneseve. Sektori privat duhet t’i kushtojë rëndësi të veçantë hartimit dhe përmbushjes së praktikave për siguri kibernetike, ruajtjes së të dhënave të klientëve, pronës intelektuale, si dhe infrastrukturës kritike. Këto, ndër të tjera, u thanë gjatë një punëtorie të organizuar nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, ku u diskutua mbi mbrojtjen e të dhënave, shitësit e besueshëm, sigurinë kibernetike dhe privatësinë e informacionit.

Valerie Tucker, zyrtare për ekonomi në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, njëherit edhe moderatore e punëtorisë, tha se me nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit për Rrjetin 5G në mes të Kosovës dhe SHBA-së, Kosova ka marrë një hap shumë të rëndësishëm drejt ruajtjes së sigurisë kombëtare, të drejtave të njeriut, pronës intelektuale dhe të dhënave personale, sot dhe në të ardhmen.

Agim Bekaj, përfaqësues i Kosovës në kompaninë amerikane Microsoft, potencoi se në aspektin kibernetik njëri nga problemet më të mëdha në vend është shkalla e lartë e piratësisë si dhe përdorimi i softuerëve të jashtëligjshëm. Sipas tij, Microsoft, duke përcjellë transformimin digjital të proceseve arsimore, i është përkushtuar mbrojtjes së fëmijëve dhe të dhënave të tyre duke ofruar një platformë të sigurtë dhe pa pagesë për vijimin e mësimeve.

Ai theksoi se një ndër mënyrat më efikase për të shmangur sulmet kibernetike është investimi në mbrojtjen e identitetit dhe të dhënave, ndërsa u bëri thirrje bizneseve për të shfrytëzuar shërbimet cloud. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat