Sipërmarrësi shqiptar Elvin Guri bëhet aksioneri kryesor i One Telecommunications

Teknologji

Sipërmarrësi shqiptar Elvin Guri bëhet aksioneri kryesor i One Telecommunications

Më: 20 nëntor 2020 Në ora: 19:37
Elvin Guri

Autoriteti i Konkurrencës i ka hapur rrugë ndryshimit të tërthortë të strukturës aksionare të One Telecommunications dhe kalimit të shumicës së kuotave nga Spass Rusev për te Elvin Guri.

Megjithëse përfituesi fundor i kontrollit mbi kompaninë ka ndryshuar, Komisioni i Konkurrencës vlerësoi se transaksioni në fjalë nuk klasifikohet si përqendrim dhe, rrjedhimisht, nuk nevojitet një autorizim nga ky autoritet për kryerjen e tij. Aktualisht, as aksioneri i ri kontrollues Elvin Guri dhe as ortaku tjetër, Atanas Dobrev, nuk kanë pjesëmarrje apo interesa të tjera në tregun shqiptar.

99.9% e aksioneve në One Telecommunications zotërohen nga shoqëria holding, Albania Telecom Invest AD (ATI). Kjo shoqëri u krijua enkas në vitin 2018, për marrjen pjesë në garën për blerjen e Telekom Albania.

Në fund të muajit korrik të këtij viti, aksioneri kryesor i konsorciumit ATI, Spas Rusev, i shiti aksionet e tij te ortakët e tjerë, Elvin Guri dhe Atanas Dobrev. Guri kishte qenë aksioner i konsorciumit që nga themelimi, ndërsa Dobrev ishte bërë ortak në mars 2020.

Në përfundim të marrëveshjes, Elvin Guri do të zotërojë 54.2% të aksioneve në ATI, ndërsa Atanas Dobrev 45.8% të aksioneve. Kontrolli i Elvin Guri mbi ATI do të bëhet përmes dy kompanive në pronësinë e plotë të tij, Guri Enterprises BV dhe River Styxx Capital.

Elvin Guri është një sipërmarrës shqiptar-bullgar, që e ka zhvilluar aktivitetin e tij sipërmarrës kryesisht në sektorin e mikrofinancës dhe të private equity në Bullgari.

Atanas Dobrev është drejtor i përgjithshëm i kompanisë më të madhe bullgare të telekomunikacioneve, Vivacom.

Konsorciumi ATI e bleu operatorin e dytë më të madh të shërbimeve celulare në Shqipëri, Telekom Albania, në fillim të vitit 2019, për 50 milionë euro. Operacioni u financua në pjesën dërrmuese me një kredi nga First Investment Bank Bullgari. Oferta e ATI ishte e dyta për nga madhësia në garën për Telekom, por refuzimi i qeverisë shqiptare për të lejuar kalimin e pronësisë te ofertuesi më i lartë, Telekom Srbija, hapi rrugën për kompaninë bullgare.

Në verën e këtij viti, Telekom Albania ndryshoi emrin në One Telecommunications dhe emrin tregtar në ONE. Sipas të dhënave më të fundit nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) One është operatori i dytë më i madh në shërbimet e komunikimit të lëvizshëm në Shqipëri. Në fund të qershorit 2020, One raportonte rreth 850 mijë përdorues aktivë të shërbimeve celulare ose rreth 36% totalit. Pas blerjes nga ATI, vitin e kaluar kompania raportoi një fitim neto prej rreth 285 milionë lekësh, pas dy vitesh radhazi me humbje. /Monitor

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat