Të dhënat e lokacionit në Facebook mund t’i identifikojnë vatrat e COVID-19

Teknologji

Të dhënat e lokacionit në Facebook mund t’i identifikojnë vatrat e COVID-19

Më: 6 janar 2021 Në ora: 20:37
Foto ilustrim

Të dhënat anonime në Facebook lidhur me udhëtimet e njerëzve do të mund të përdoren për ta identifikuar shpërndarjen e COVID-19 në lokacionet, ku zyrtarët shëndetësorë ende nuk janë në dijeni të tyre, ka zbuluar një studim i ri australian.

I publikuar në revistën shkencore “Journal of the Royal Society Interface” të mërkurën, studiuesit e Universitetit të Melburnit i kanë analizuar të dhënat anonime të lëvizjes së popullsisë të siguruara nga aplikacioni Facebook, si pjesë e programit të tij “Data for Good” për të përcaktuar nëse ato do të mund të ishin një tregues i dobishëm për përcaktimin e shpërndarjes së shpërthimeve të COVID-19, bazuar në vendet ku njerëzit kanë udhëtuar.

Studimi i ka analizuar tri vatra të shpërthimit në Australi: shpërthimin e Cedar Meats në perëndim të Melburnit, vala e dytë më e madhe në Viktoria dhe shpërthimin në Crossroads Hotel në Uellsin e Ri Jugor.

Studimi ka gjetur se lokacionet ku njerëzit kishin pasur lëvizje të parashikueshme dhe periodike – si udhëtimet në dhe nga vendi i punës – ishin indikatorë më të dobishëm të shpërndarjes së virusit sesa mjediset sociale. Në studimet e rasteve, të dhënat ishin edhe më të dobishme në aspektin e parashikimit të shpërndarjes së virusit në shpërthimin e Cedar Meats, sesa në atë të Crossroads Hotel.

Kur ishte në pyetje analizimi i valës së dytë në Viktoria, e cila filloi me masat e ngujimit në periferi gjatë fundit të qershorit dhe fillimit të korrikut, analizat kanë zbuluar se të dhënat e lëvizjes do të mund ta alarmonin Qeverinë se shpërndarja veçse kishte lëvizur përtej periferisë fillimisht në izolim.

“Ekzaminimet tona të valës së dytë të përhapjes mes komuniteteve në Viktoria kanë treguar se disa javë para se të zbulohej, shpërndarja e një numri të vogël të rasteve aktive ishte tregues i shpërthimit të shpërndarjes më shumë se 30 ditë më vonë, kur ishin paraqitur ndërhyrjet”, kanë thënë studiuesit. “Ky vëzhgim lë të kuptohet se edhe kur numri i rasteve është i ulët, përhapja në nivel të ulët përbrenda komunitetit ka mundësi të ndodhë nëpër rajonin e metropolit të Melburnit. Kjo sugjeron se masat e veçanta të izolimit, që janë zgjeruar përtej kufijve të rajoneve në të cilat ishin identifikuar rastet, mund të kenë qenë më efektive për ta frenuar përhapjen”.

Studiuesi kryesor nga Universiteti i Melburnit, Cameron Zachreson, ka thënë për të përditshmen “The Guardian Australia” se është vështirë të thuhet nëse të dhënat do të mund të ndryshonin vendimmarrjen e Qeverisë së Viktorias lidhur me kohën e izolimit të Melburnit gjatë valës së dytë.

“I kemi analizuar të dhënat e lëvizjes dhe i kemi krahasuar me zonat që ishin mbyllur. Ishte shumë e qartë se izolimi i këtyre zonave të veçanta mbase nuk do ta kishte efektin e dëshirueshëm, por në të njëjtën kohë, ky izolim i zonave të caktuara nuk ka zgjatur shumë gjatë”, ka thënë ai. “Është zgjeruar në një rajon më të gjerë të Melburnit brenda pak ditësh. Mendoj se u bë më se e qartë se kjo qasje nuk do të ishte e mjaftueshme”.

Zachresoni ka thënë se të dhënat do të ishin të dobishme në rastet kur jo shumëçka dihet lidhur me një vatër shpërthimi.

“Vrojtimi i informatave të tilla të lëvizjes do të mund t’ju japë njëfarë përshtypjeje të qëndrueshme. Aty padyshim se ekziston njëfarë sinjali. Nuk do t’ju japë çfarëdo që doni”, ka thënë ai. “Do të ketë vende që ka gjasa që të kenë shkallë të lartë rreziku e që nuk janë të përfshira në të dhëna, sikurse në shpërthimin në Crossroads, kishte raste edhe në Blue Mountains. Kjo ndodh shkaku se këta njerëz kishin kaluar shteg më të gjatë në një udhëtim, sesa që do të bënin normalisht. Dhe kjo është një prej atyre gjërave që modelet agregate të lëvizjes që ne i kemi nuk i mbulojnë mirë”.

Zachresoni ka thënë se të dhënat mund, po ashtu, të përdoren nga qeveritë për të përcaktuar se ku të shpallin zona potenciale të rrezikut, në vend se të përqendrohen vetëm në zonat lokale të Qeverisë apo në qytete të tëra, sikurse aktualisht.

“Kësisoj do të kishim përcaktimet më pak arbitrare se ku ndodhen zonat me rrezik të lartë”, ka thënë ai.

Zachresoni ka theksuar se të dhënat nuk do t’ua lejojnë studiuesve që ta identifikojnë dikë, meqenëse Facebooku veçse i bën anonime këto të dhëna. Qeveritë, po ashtu, nuk do t’u qasen lirshëm të dhënave të shkencëtarëve, gjë kjo që do të thotë se nuk do të ishin në gjendje që t’i identifikojnë personat nëpërmjet grupit të të dhënave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat