Radiot dixhitale fuqizojnë komunikimin global

Teknologji

Radiot dixhitale fuqizojnë komunikimin global

Më: 13 shkurt 2021 Në ora: 21:16
Mike O’Sullivan njofton se si një format transmetimi ka filluar të luajë rol të rëndësishëm në komunikimet globale

Shumë transmetues po përdorin një larmi platformash të radiove dixhitale për transmetime me cilësi të lartë në distanca të largëta. Mike O’Sullivan njofton se si një format transmetimi ka filluar të luajë rol të rëndësishëm në komunikimet globale.

Më shumë se 2.5 milionë makina në Indi janë të pajisura me antena të radios dixhitale Mondiale dhe transmetuesi kombëtar i Indisë po zgjeron programet dixhitale në valë të mesme dhe të shkurtëra që mund të ndiqen në të gjithë globin.

Një transmetim nga India u dëgjua në Brazil.

Platforma për radiot dixhitale Mondiale, ose DRM mund të përdoret në valë të gjata ose frekuenca më të larta VHF të përdorura nga transmetuesit FM.

Kjo mundëson transmetimin me cilësi të lartë dhe shumë programe njëkohësisht.

" Tani janë tre kanale në vend të vetëm njërit, pra ka mundësi për të transmetuar tre programe njëkohësisht, ose për transmetime në tre stacione", thotë Ruxandra Obreja, kryetare e kompanisë Radio Digital Mondiale (DRM).

Rrjeti britanik BBC, Agjencia Amerikane për Median Globale dhe agjenci të tjera transmetimi po e testojnë ose kanë filluar ta përdorin këtë platformë.

Kina tani është bërë transmetuesi më i madh në botë i programeve me valë të shkurtra në formatin DRM.

Shtetet e Bashkuara kanë bërë teste përmes transmetimeve të Radio Marti-t në Kubë.

Një test i vitit 2009 nga Zëri i Amerikës u dëgjua në Austri.

Transmetimi u bë në valë të shkurtëra, me më pak ndërprerje që zakonisht i shoqëron programet në valët e shkurtëra të teknologjisë së vjetër.

Një ish-zyrtar i Zërit të Amerikës thotë se DRM ofron më shumë se sa thjesht mundësinë e transmetimit të programeve radiofonike.

"Ato janë të dhëna dixhitale, pavarësisht nëse bëhet fjalë për audio, skedarë apo imazhe", thotë ai.

Stacioni fetar Trans World Radio transmeton mësime biblike përmes platformës DRM në Indi, Kinë dhe Japoni.

"Pra, kur bëhet fjalë për komunikimin, veçanërisht në zonat ku nuk kemi qasje në internet, kjo është mënyra më e mirë", thotë George Ross nga Trans World Radio.

DRM ka avantazhe më të mëdha ndaj platformave të tjera dixhitale sepse për përdorimin e saj nevojitet më pak energji, ajo ka shtrirje më të gjërë përmes valëve të shkurtëra dhe aftësi më të mëdha të përpunimit të të dhënave.

Megjithatë ajo ka sfidat e saj. Përmirësimet e transmetuesve janë të shtrenjta dhe nuk ka ende një treg të madh të pajisjeve që mund të kapin sinjalin DRM. Ato kushtojnë më shumë sesa pajisjet e ngjashme analoge. Por çmimet po bien, dhe transmetuesit përdorin më pak energji elektrike, kanë shtrirje më të gjërë se transmetuesit analogë, dhe mund të arrijnë në distanca të largëta. Transmetuesi kombëtar i Brazilit po teston platformën DRM për komunitetet e izoluara të Amazonës, ndërsa një organizatë bamirësie private po teston një sistem më të thjeshtë të dhënash që lidh telefonat celularë përmes pajisjeve që funksionojnë me teknologji të valëve të shkurtra duke përdorur kodimin dixhital, jo platoformën DRM, por një përdorim të ngjashëm modern të teknologjisë së vjetër.

"Njerëzit thonë se radioja është platforma e së kaluarës dhe ne po shohim drejt së ardhmes. Por, e ardhmja është, si zakonisht, shumë e komplikuar, dhe ky është një kombinim platformash. Nuk mendoj se televizioni e ka eliminuar radion. Nuk mendoj se interneti e ka eliminuar televizionin”, thotë Ruxandra Obreja, kryetare e kompanisë Radio Digital Mondiale.

DRM, shton ajo, është pjesë e asaj të ardhmeje./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat