Sfidat para gjigandëve të teknologjisë së medias sociale

Teknologji

Sfidat para gjigandëve të teknologjisë së medias sociale

Më: 30 mars 2021 Në ora: 07:03
Ilustrim

Facebook-u punësoi njerëz për kontrollimin e fakteve, Twitter u ka shtuar paralajmërime postimeve dhe Google hoqi videot nga platformat, por për kompanitë teknologjike, dezinformimi është një problem që nuk po zhduket. Kompanitë gjigande të medias sociale po përballen me presion gjithnjë e në rritje për të kufizuar e keqinformimet ndërsa ligjvënësit amerikanë po diskutojnë për rregullore të reja.

Ndërsa vendi ka një president dhe Kongres të ri, kompanitë e teknologjisë po përballen me presion të intensifikuar për të goditur ekstremizmin dhe dezinformimin në rrjetet e tyre. Ligjvënësit thonë se janë të gatshëm për të vepruar. G.K. Butterfield është ligjvënës demokrat. “Janë bërë premtime të cilat nuk janë zbatuar. Duket se Kongresi tani do të duhet t’i detyrojë këto kompani, ndoshta me gjoba, për të bërë ndryshime domethënëse.”

Gjatë një senace dëgjimore në Kongres, drejtuesit e kompanive Facebook, Twitter dhe Alphabet, pronarja e firmës Google, mbrojtën veprimet që kanë ndërmarrë për të luftuar gjuhën e urrejtjes dhe dezinfomimin në rrjetet e tyre. Facebook, për shembull, ka hequr 12 milionë postime me pretendime të gabuara ndaj koronavirusit dhe vaksinave dhe thotë se ka 35 mijë punonjës që trajtojnë çëshjtet e keqinformimit.

Shumë pjestarë të Kongresit nuk janë të kënaqur nga masat në fjalë ndërsa disa prej tyre thonë se firmat e medias sociale përdorin algoritma që i shtyjnë njerëzit drejt pikpamjeve më ekstremiste, duke shkaktuar ndoshta pasoja reale, siç ishte sulmi ndaj Kapitolit në janar. Ligjvënësi demokrat Michael Doyle i akuzoi drejtpërdrejt firmat e medias sociale. “Sulmi ndaj Kapitolit dhe lëvizja që e motivoi filluan dhe u ushqyen në platformat tuaja. Po zgjidhni angazhimin dhe përfitimin mbi shëndetin dhe sigurinë e përdoruesve tuaj, vendit dhe demokracisë tonë.”

Cathy McMorris është ligjvënëse republikane. “Platformat tuaja janë frika më e madhe që kam unë si prind i tre fëmijëve në moshë shkollore. Është një betejë për zhvillimin, shëndetin mendor dhe përfundimisht një betejë për sigurinë e tyre. I kam vëzhguar algoritmet tuaja dhe çfarë ofrojnë ato. Është e frikshme, dhe e di që nuk jam e vetme.” Tre drejtuesit e lartë thanë se përballen me një sfidë të madhe për të ofruar një platformë për shprehjen e lirë ndërsa luftojnë keqinformimin. Në shumë mënyra, beteja e tyre reflekton atë që po ndodh në shoqëri, thotë drejtuesi i lartë i kompanisë Facebook, Mark Zuckerberg.

“Besoj se ndarja që shohim sot është kryesisht rezultat i një atmosfere politike dhe mediatike që i largon amerikanët.” Ligjvënësit po shqyrtojnë mundësinë që t’i mbajnë kompanitë përgjegjëse për postimet në rrjetet e tyre që nxisin dhunë ose përhapin keqinformime që mund të kenë pasoja fatale tek njerëzit. Katie Paul drejton Projektin Tech Transparency. “Pyetja është se si mund të mbahen përgjegjëse këto kompani në një mënyrë që i stimulon ata të marrin hapa domethënës për të zvogëluar përmbajtjen e dëmshme në platformat e tyre.”

Nga ana tjetër egziston rreziku që një veprim i tillë mund të bëjë që kompanitë të dëmtojnë lirinë e fjalës, thonë disa vëzhgues. Alexandra Givens drejton Qendrën për Demokraci dhe Teknologji. “Egziston një rrezik real se nëse kompanitë mbahen përgjegjëse për postimet politike apo polarizuese dhe të detyrohen të bëjnë korrigjime të tepruara, ato mund të bllokojnë zërat e njerëzve që duan të ndajnë opinionet e tyre.”

Ajo që tashmë dihet është se firmat e medias sociale janë nën presion për të treguar se po ndërmarrin veprime kundër dezinformimeve ndërsa ligjvënësit përpiqen të gjejnë një mënyrë që kompanitë ta bëjnë atë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat