Anijet-robot: Amsterdami teston anijet elektrike vetëdrejtuese

Teknologji

Anijet-robot: Amsterdami teston anijet elektrike vetëdrejtuese

Më: 4 qershor 2021 Në ora: 18:51
Amsterdami teston anijet elektrike vetëdrejtuese

Amsterdami do të fillojë së shpejti testimin e anijeve elektrike vetëdrejtuese që do të mund të kryenin disa funksione, duke nisur nga mbledhja e mbeturinave e deri te transportimi i udhëtarëve.

Kanalet afro 100-kilometërshe të kryeqytetit holandez janë përdorur për transportim shumë kohë para se veturat dhe kamionët me motorë të djegies së brendshme ndotëse të nisnin bllokimin e rrugëve të saj të ngushta.

Tani, një projekt i njohur me emrin “Roboat” apo “Anijet-robot”, synon zhvillimin e mënyrave të reja të navigimit nëpër shtigjet ujore të botës, pa ndihmën e dorës së njeriut në timon, ka shkruar të premten e përditshmja britanike The Guardian.

Stephan van Dijk, drejtor i Inovacionit në Institutin e Amsterdamit për Zgjidhje të Avancuara Metropolitane, i cili është duke bashkëpunuar me Institutin e Massachusettsit për Teknologji, ka theksuar se teknologjia është “tepër e rëndësishme në operacionet tejet komplekse të porteve, ku keni shumë lundra dhe anije. Në këtë rrafsh mund përnjëmend ta përmirësoni sigurinë me sisteme autonome, por ta bëni atë edhe më efikas dhe me një qasje operacionale 24 orë në ditë, 7 ditë të javës”, ka thënë Dijk për Guardian.

Në një demonstrim të kohëmëparshëm, një anije elektrike prej katër metrash ka lundruar afër një replike të anijes tregtare trishtyllëshe të shekullit 18 në Amsterdami, duke ofruar një pamje të së shkuarës detare të qytetit dhe të ardhmes së saj.

Pas kësaj, ajo duhet të mësojë se si të manovrojë nëpër trafikun e ngjeshur të kanaleve në Amsterdam, të cilat janë përplot me anije private dhe lundra për turistët.

Anijet robot kanë helika portokalli dhe katër shtylla që mbushen nga një bateri elektrike. Ato mund të arrijnë shpejtësinë prej 6 kilometrash në orë dhe mund të lundrojnë për 12 deri në 24 orë, varësisht prej llojit të baterisë dhe ngarkesës.

Drejtohen nga distanca prej një kompjuteri, i cili i përpunon të dhënat nga kamerat dhe senzorët që i skanojnë zonat përreth anijes, duke i detektuar objektet e palëvizshme dhe ato lëvizëse.

Guardian ka shkruar se anijet janë modeluar në atë mënyrë që t’u përshtaten lehtësisht synimeve të ndryshme, për bartjen e ngarkesave apo punëtorëve.

Zhvilluesit e tyre pretendojnë se ende u duhen rreth deri në katër vjet kohë për ta përsosur teknologjinë e vetëdrejtimit.

“Kjo kryesisht për shkak se duam që të jemi tërësisht të sigurt se mund të navigojmë sigurt nëpër kanale”, ka thënë për Guardian, inxhinieri i Megatronikës, Rens Doornbusch. “Aktualisht, e kemi jetësuar pjesën e lëvizjes autonome, por një prej hapave të radhës është që të sigurohemi se mund në të vërtetë ta menaxhojmë çdo lloj situate që mund të hasim në kanale”.

Para se këto lloj anijesh të mund të vihen në funksion, zhvilluesit e tyre duhet që gjithashtu t’i navigojnë pengesat legjislative dhe shqetësimet e privatësisë.

“Jemi duke punuar në mënyrë aktive bashkë me ministritë dhe ligjvënësit për të identifikuar se cilat aspekte specifike ligjore duhet të ndryshohen për ta lejuar operimin plotësisht autonom”, ka thënë Van Dijk.

Ai ka shtuar se përdorimi në anije i të dhënave nga kamerat dhe skanuesit është zhvilluar “në atë mënyrë që ne të mos e identifikojmë ndonjë person që ecën nëpër rrugë. Andaj, në këtë kuptim, privatësia është duke u siguruar”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat